Sidoqoftë, Ministri i Financave, Avullah Hoti ka treguar se mjetet për pensionet e veteranëve ende nuk janë siguruar. Lista e veteranëve ishte keqpërdorur pasi aty kishin përfituar edhe persona që kurrë s’kishin qenë pjesë e UÇK’së.
Ministria e Financave nuk po arrin që t’i sigurojë mjetet për t’i paguar pensionet për të gjithë veteranët e Kosovës.
Kështu kishte thënë gjatë ditës së martës, ministri i Financave, Avdullah Hoti.
“Nuk janë siguruar mjetet për veteranët. Numri i tyre, dita ditës po shtohen. Çështja e pagesës për veteranët është e lidhur me fondin monetar FMN. Është e rëndësishme që ne të gjejmë një zgjidhje sa më parë, por tani për tani nuk ka mjete, janë vetëm 25 milionë euro, pra nuk ka më shumë”, pati thënë Hoti.
Por, mos-daljen e pensioneve po e kundërshtojnë ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Madje ata po thonë se nëse pensionet e veteranëve nuk dalin deri më datë 24, atëherë Qeveria rrezikon të përballet me rezistencë nga ana e veteranëve.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi ka thënë për Express se do të ketë protesta nëse preken pensionet e veteranëve.
“Protestë d të ketë nëse pensionet nuk dalin. Marrjen e tyre e kemi të garantuar me ligj. Deri me datë 24 do të presim”, ka thënë Qeriqi.
Ai është shprehur se komisioni për verifikimin e veteranëve ka dështuar në kryerjen e përgjithësive të tij.
“…me kohë dhe kemi kërkuar nga qeveria që të merret më seriozisht me komisionin që të mos lejojë që të bëhen manipulime brenda këtij komisioni, sepse këtë komision e ka formu Qeveria e Republikës së Kosovës. Tash kë do që ta pyesësh e di që listat janë të fryra dhe ka dalë ky numër që është tash. Tash është obligim i qeverisë që t’i mbuloj këta veteran, sepse vetë komisioni qeveritar e ka nxjerrë këtë numër dhe duhet t’i kryej obligimet, sepse ligji ua garanton këtë pension”, ka thënë Qeriqi.
I ashpër rreth kësaj çështjeje është treguar edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Smajl Elezaj.
Elezaj për Gazetën Express, ka thënë se Qeveria është e detyruar që t’I ndajë pensionet.
“Qeveria me dredhitë e tyre nuk mundet mi ndalë pensionet e veteranëve. Qeveria do të jetë e detyruar. Nuk mund të kaloj mbi veteranët e luftës”, ka thënë Elezaj.
Ndërkohë që rritja e pakontrolluar e numrit të veteranëve që përfitojnë pensione është duke e rrezikuar Marrëveshjen Stand-By të Qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Këta të fundit po thonë se buxheti i shtetit po rrezikohet nga numri i madh i veteranëve që marrin pensione./GazetaExpress/