27,07,2024

Karameta i shkruan letër të hapur FSSHK: Thirrje publike Federatës Sindikale Shëndetësore të Kosovës

Must Read

Ish drejtori Burim Karameta, kryetar i komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale i Degës së LDK-së në Ferizaj përmes një letre të hapur i ka bërë thirrje Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës që të “zbres” në Ferizaj dhe të merret me të drejtat e punëtorëve shëndetësorë.

Duhet të shikoni e të njoftoheni se ditë e për ditë shkelen të drejtat e punëtorëve shëndetësor dhe çdo ditë e më tepër bëhen parregullsi, ku në mënyrë të drejtëpërdrejtë atakohen punëtorët shëndetësorë shumica e të cilëve janë anëtarë të Organizatës tuaj” ka shkruara Karameta.

Letra e plotë e ish drejtorit Burim Karameta

Të nderuar Udhëheqës të FSSHK,
Përmes kësaj letre të hapur kërkoj nga ju që sa më parë të zbritni “poshtë” deri në Shëndetësinë Ferizajase dhe të shikoni e të njoftoheni se ditë e për ditë shkelen të drejtat e punëtorëve shëndetësor dhe çdo ditë e më tepër bëhen parregullsi, ku në mënyrë të drejtëpërdrejtë atakohen punëtorët shëndetësorë shumica e të cilëve janë anëtarë të Organizatës tuaj. Për këtë çështje ju kam informuar edhe herave tjera, por deri më tani nuk është ndërmarr asgjë nga ana Juaj në të mirë të punëtorëve shëndetësor në Ferizaj, për të cilën gjë Ju jeni të thirrur ta bëni dhe për këtë detyrë edhe paguheni nga participimet mujore të këtyre punëtorëve.
Reagimi im në këtë formë të hapur bëhet për shkak se Sindikata e Shëndetësisë në Ferizaj nuk qan kokën më për obligimet Statutare që ka, nuk qan kokën për zbatimin e Kontratës Kolektive (KK) e as për dokumentin e Organizimit Sindikal pasi që Kryesia e Sindikatës është e politizuar dhe pjesë përbërëse e pushtetit aktual në Ferizaj. Që është e politizuar dhe merret me politikë ju kam informuar edhe më herët.
Punëtorët shëndetësor në mënyrë selektive shantazhohen çdo ditë nga punëdhënësit e tyre, u bëhet presion e sabotohen për të arritur qëllimet e udhëheqësve shëndetësorë për ndërrimet e vendeve të punës, për degradimet e tyre në koeficintët e pagës, për t’i avancuar të “ngueshmit” e pushtetit dhe Sindikata Shëndetësore në Ferizaj nuk i mbron të drejtat e tyre.
Për të mos e komplikuar, më duhet të veçoj dhe potencoj çështjen e detyrimit të punëtorëve shëndetësor nga punëdhënësi për tejkalimin e orëve të punës dhe tejngarkesën e tyre me vëllimin e punës karshi normës. Tani punëtorët shëndetësor në Ferizaj detyrohen të punojnë për rreth 160 orë në muaj, detyrohen të punojnë natën pa miratimin dhe informimin e tyre pa asnjë pagesë shtesë dhe në kundërshtim me Statutin e FSSHK dhe KK. Kjo është antiligjore dhe e dëmshme për shëndetin e punëtorëve, për efikasitetin dhe funksionalitetin e tyre, për zbehjen e cilësisë në dhënien e shërbimit pacientit. Kjo ndikon në ate që në mënyrë të drejtëpërdrejtë përveç punëtorit pëson edhe pacienti, qytetari i Ferizajt për të cilën gjë jemi të thirrur të jemi në shërbim të tyre.
Sindikata në Ferizaj nuk brengoset as për çështjen e benefiteve materiale të familjarëve të udhëheqësve shëndetësor që bëhen dhe injorimin e të tjerëve, nuk merret as me ate që miqtë e tyre partiak janë komod në punën e tyre, me asistente të bollshme, ndërsa të tjerët mjek sabotohen dhe lihen të vetëm, pa motra përcjellëse në bazë të standardeve, mjekët Stomatolog detyrohen të punojnë pa asistentet obligative …..! Sindikata në Ferizaj nuk merret me këto çështje, zyra e Sindikatës është e shndërruar në byfe, në vend takim për të konsumuar pije e duhan sa më shumë, udhëheqësit e Sindikatës rrallë herë janë në vendin e tyre të punës, defilojnë si “mbretër” nëpër korridoret e Institucionit, duke mos kryer shërbimet për të cilën janë të thirrur.
FSSHK,kërkesa ime është që sa më parë të ndërhyni ta funksionalizoni Sindikatën Shëndetësore në Ferizaj, ta dePOLITIZONI, ta ristrukturoni dhe riformatizoni përmes Kuvendit Zgjedhor dhe ta detyroni që të mbrojë të drejtat e punëtorëve shëndetësor duke zbatuar Statutin e FSSHK, Kontratën Kolektive dhe Ligjin mbi Organizimin Sindikal dhe të fuqizohet Dialogu Social. Deri më tani këto janë shkelur me “dy këmbë”, për t’ua lehtësuar, me “dy këmbë” është shkelur:
1. Misioni dhe vizioni i FSSHK
FSSHK-ja, si organizatë e pavarur dhe e orientuar në interesa të veçanta mbi mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të punëtorëve shëndetësorë, e organizuar sipas parimeve moderne demokratike, dhe funksionalitet të realizuar përmes organeve vendimmarrëse mbi bazën e vullnetit të anëtarësisë, paraqet associmin e punëtorëve shëndetësorë në arritjen e qëllimeve të materializuara në harmoni me kërkesat reale të tyre.
Misioni i FSSHK-së:
1. Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve shëndetësorë në Republikën e Kosovës,
2. Ruajtja e dinjitetit personal dhe kolektiv të punëtorëve shëndetësor,
3. Promovimi i vlerave profesionale dhe humane në vendin e punës dhe ambientin social,
4. Kontribuimi në drejtim të zhvillimit dhe avancimit të shërbimeve publike. në sektorin e
shëndetësisë.
Vizioni i FSSHK-së:
1. Subjekt mbrojtës dhe solidar për të gjithë punëtorët shëndetësorë,
2. Të mbrojë vlerat më të larta sindikale, duke synuar kënaqësinë më të lartë të anëtarëve të Federatës në punë dhe me mirëqenie sociale,
3. Kontribuimi në drejtim të zhvillimit dhe avancimit të shërbimeve publike. në sektorin e shëndetësisë.
2. Kontrata kolektive
Neni 1.
Qëllimi – Kontrata Kolektive Sektoriale (në vijim: KKS) lidhet nga palët në këtë kontratë për rregullimin e marrëdhënieve juridike nga marrëdhënia e punës dhe respektimit të të drejtave dhe detyrimeve të palëve nënshkruese.

Neni 4. Fusha e zbatimit KKS-ja gjen zbatim në rregullimin e raporteve juridike për të gjithë të punësuarit nëpër institucione shëndetësore, duke përfshirë tri nivelet e sistemit shëndetësor, atë parësor, dytësor dhe tretësor.
Neni 10. Orari i punës, Orari i plotë i të punësuarve në institucione shëndetësore është në kohëzgjatje prej 40 orëve brenda jave. Pika 4 – Duke pasur parasysh specifikat e punës së punëtorëve shëndetësorë në institucionet shëndetësore, që cilësohet me angazhime dhe përgjegjësi të larta pasi që janë direkt të kyçur në ofrimin e shërbimeve shëndetësore ndaj të sëmurëve gjatë 24 orëve pa ndërprerje, në pajtim me Ligjin e Shëndetësisë puna në institucionet shëndetësore organizohet si: punë e rregullt prej 07:00 – 15:00; punë në ndërrime prej 07:00 – 19:00 dhe prej 19:00 – 07:00; punë gjatë kujdestarisë prej 08:00 – 08:00 ditën e ardhshme. Pika 5 – Pagesat shtesë për punën e kryer jashtë orarit të rregullt të punës të caktuar në paragrafin 3 të këtij neni bëhen në pajtim me Ligjin e punës, Ligjin e Shëndetësisë dhe analizën financiare të të bashkangjitur në Shtojcën 1 të KKS.
Neni 14. Pushimi javor – Punëmarrësit që kryejnë punë me rrezikshmëri kanë të drejtë në pushim javor në kohëzgjatje prej 48 orëve brenda javës kalendarike.
Neni 24. Metodologjia e informimit – Punëdhënësi është i obliguar që të bëjë me kohë dhe në mënyrë transparente, informimin e të gjithë punëtorëve në institucionin përkatës. Këtë informim, punëdhënësi obligohet ta bëjë përmes sindikatës dhe përmes shpalljeve në mjetet e informimit. Në çdo nivel të sistemit të shëndetësisë do të krijohen web-portalet, përmes të cilave do të bëhet rrjeti i informimit për të gjitha institucionet. Në portalet të tilla punëdhënësi do të bëjë lidhjen elektronike me web-faqen zyrtare të Federatës, www.fsshk.eu.
Neni 25 Objekti i informatave – Pika 1: Punëdhënësi përmes metodave të cekura në nenin 24 të KKS-së, do të sigurojë këto informata për sindikatën dhe punëtorët: planet vjetore, afatmesme dhe afatgjate të zhvillimit, ndryshimet organizative, informatat për vende të punës dhe zhvillimoret që ndikojnë në pozitën ekonomike dhe sociale të punëtorëve, 12 aktet me të cilat rregullohen apo ndryshohen të drejtat e punëtorëve, proceset e ristrukturimit dhe riorganizimit.

3. Ligji Nr. 04/-L-011 Për Organizimin Sindikal në Kosovë
Neni 8. Qëllimi i themelimit të sindikatës – Pika 1. Qëllimi kryesor i themelimit të sindikatave është: 1.1. krijimi i kushteve dhe standardeve më të mira të punës së të punësuarve; 1.2. mbrojtja e të drejtave ligjore, ekonomike, sociale, profesionale, për të punësuarit; 1.3. avancimi dhe zhvillimi i dialogimit social mes partnerëve social.
Neni 10 Zgjedhjet në sindikatë – Pika2. Të drejtën për tu zgjedhur nuk do ta gëzojnë anëtarët të cilët:
2.2. janë të zgjedhur dhe të emëruar në organet e pushtetit lokal dhe qendror; 2.3. janë të zgjedhur në strukturat udhëheqëse të partive politike.

4. Statuti i FSSHK

Neni 1. Dispozitat e Përgjithshme – FSSHK pluraliste e pavarur nga organet shtetërore, nga partitë politike, OJQ etj…….
Neni 6. Detyrimet – d. T’i përmbahet gjitha normimeve të marrëdhënies së punës; f. Të promovojë vlera kolegjiale dhe korrekte në ambientin e vendit të punës.
Neni. 12 – Federata angazhohet që të mbrojë dhe avancojë këto të drejta dhe interesa të anëtarëve të saj, c: Sigurimi i kushteve të punës, shpërblimeve, kohën e punës, pushimit, angazhimit sindikal etj.
Neni 17. Strukturat Organizative të FSSHK – Pika 1: Organet drejtuese të Federatës zgjedhen në mënyrë demokratike,nga poshtë – lartë, japin llogari para zgjedhësve të tyre dhe janë të revokueshme prej tyre. Pika 2: Drejtuesit e Federatës në të gjitha nivelet hierarkike vendimmarrëse nuk mund të jenë njëkohësisht në pozita udhëheqëse të partive politike, e as në strukturat vendimmarrëse menaxheriale.

Mbesim me shpresë të ndërmerrni masat e duhura dhe Organi Juaj në Ferizaj të jetë në detyrën e saj!

Sinqerisht,
Dr. Burim Xh. Karameta
Asambleist në Kuvendin e Ferizajt

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Protestohet në Ferizaj, kërkohet lirimi i Blerim Ramadanit

Me protestë gjithëpopullore nën organizimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, sot bashkë me familjarë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img