Shumë vendime dhe akte tjera të cilat nxirren qoftë nga niveli lokal (komunat) po ashtu edhe nga niveli qendror (qeveria dhe agjencitë e ndryshme), anulohen si të tilla.
Rasti më i freskët është përzgjedhja e Drejtorit të Doganës së Kosovës ku reagoj edhe Presidenti i vendit lidhur me zhvillimin e procedurave për përzgjedhjen e Drejtorit duke aluduar se ai është shërbyes civil dhe se nuk kanë të drejtë të marrin pjesë organizata dhe ambasada të huaja në përzgjedhjen e zyrtarëve dhe shërbyesve civil pa u ndryshuar legjislacioni.
Pavarësisht nëse kanë të drejtë ose jo Presidenti i Republikës së Kosovës apo Ministria e Financave në përzgjedhjen e drejtorit të doganave siç është rasti konkret, ngritja e këtyre dilemave na sjell deri tek rezultati se në shumë raste ka kolizion të ligjeve dhe normave juridike.
Interpretimi i normave juridike do të ndihmonte shumë në sqarimin e drejtë të kuptimit të normës juridike ose “Ratio legis”
Interpretimi është pjesë e rëndësishme dhe qenësore gjatë hartimit të akteve juridike.
Janë disa lloje të interpretimeve si: shkencore, gjyqësore, historike, gjuhësore dhe interpretime të tjera. Në vendin tonë është nevojë dhe domosdoshmëri në hapjen e drejtimeve të reja të tilla si ai i interpretëve juridiko-gjuhësor.
Shembull interpretët gjuhësor do të ishte drejtim i qëlluar specializimi me lëndë të kombinuara nga fusha e gjuhës-letërsisë dhe fushës juridike.
Legjislacioni i mangët, i formuluar në mënyrë joprofesionale, dykuptimësh si dhe ekstensiv e me gabime të shumta padyshim se na sjell në situate kur shumë vendime edhe akte tjera anulohen.
Me rastin e hartimit të legjislacionit duhet marr në konsideratë që të marrin pjesë ekspert të fushave të specializuara juridike, ekspert nga fusha e gjuhësisë dhe nga lëmi të tjera.
Propozuesit dhe Aprovuesit e legjislacionit, (Qeveria dhe Kuvendi) duhet kushtuar kujdes elementeve të ndryshme gjatë hartimit të akteve juridike.Shembull për këtë është Kodi Penal I Republikës së Kosovës, akt juridik me peshë të madhe për për vendin dhe qytetarë tonë.
Legjislacioni në përgjithësi përmban gabime të shumta, në lidhje me këtë po e potencoj vetëm një gabim, i cili ka të bëjë me veprën penale mashtrimi i konsumatorëve, e përcaktuar me nenin 298 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës Nr. 04/L-082.
Propozuesit dhe aprovuesit e Kodit Penal të Kosovës ( Qeveria dhe Kuvendi) me rastin e hartimit dhe përpilimit të Kodit Penal është dashur të formojnë grupe punuese me ekspert të fushave të ndryshme dhe të marrin opinionet e profesionistëve të fushave të tjera sidomos të gjuhësisë.
Në këtë opinion personal po paraqes rastin e ndryshimeve të bëra me veprën penale Përdorim i paautorizuar i firmës, i markës apo i mmodelit të huaj i paraparë me Kodin e Përkohshëm Penal të Kosovës-Neni 241 si dhe veprën penale mashtrimi i konsumatorëve të paraparë me nenin 298 të Kodit të ri Penal të Kosovës.
Sipas Kodit Penal të ri të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi me 1 Janar 2013 vepra penale mashtrimi i konsumatorëve do ta zëvendësoj veprën penale të përdorimit të paautorizuar të firmës, markës apo të modelit të huaj.
Në këtë opinion tim do të paraqes përmbajtjen e kësaj vepre penale sipas Kodit Penal të Kosovës dhe sipas Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës dhe në fund opinionin tim lidhur me këtë ndryshim të veprës penale.
Mashtrimi i konsumatorëve-Neni 298 i Kodit Penal të Kosovës
Kushdo që gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike dhe me qëllim të mashtrimit të blerësve apo konsumatorëve, përdor ose posedon me qëllim të përdorimit si emër apo shenjë të tij ose shenjë të veçantë të mallrave të tij, emrin apo shenjën e tjetrit, shenjën e mallrave apo shenjën e shërbimeve të tjetrit, ose shenjën e tjetrit që lidhet me prejardhjen gjeografike ose ndonjë shenjë tjetër të veçantë të mallrave apo përbërësve të tyre, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Kushdo që me qëllim të mashtrimit të blerësve apo konsumatorëve, përdorë gjatë prodhimit shenjën apo modelin e tjetrit pa autorizim, ose vë në qarkullim artikujt e prodhuar në këtë mënyrë, dënohet me dënimin nga paragrafi 1 i këtij neni.
Sendet dhe pajisjet për prodhimin e tyre nga ky nenë konfiskohen.
Përdorimi i paautorizuar i firmës, i markës apo i modelit të huaj-Neni 241
(1) Kushdo që gjatë angazhimit në veprimtarinë ekonomike dhe me qëllim të mashtrimit të blerësit apo shfrytëzuesit të shërbimeve përdor firmën e huaj, markën e huaj, markën e mallit apo markën e shërbimit të huaj apo markën e huaj lidhur me prejardhjen gjeografike a shenjat e tjera të posaçme të mallit apo pjesëve të tij në firmën e vet, në markën e vet apo në shenjat e veta të posaçme të mallit dënohet me burgim deri në dy vjet.
(2)Kushdo që me qëllim të mashtrimit të blerësit e përdor në prodhim pa autorizim mostrën a modelin e huaj apo i vë në qarkullim artikujt e prodhuar në këtë mënyrë dënohet sipas paragrafit 1 të këtij neni.
(3) Sendet nga paragrafi 1 dhe 2 të këtij neni konfiskohen.
Nga përmbajtja e veprës penale mashtrimi i konsumatorëve dhe nga emërtimi i saj shohim se këto dy elemente nuk korrespondojnë njëra-tjetrën.
Edhe me Ligjin për Mbrojtjen e Kosumatorëve edhe fjalorin e Gjuhës Shqipe, me termin konsumator nuk korrespodon me përmbajtjen e veprës penale të paraparë me Kodin actual Penal të Kosovës.
Ligji Nr. 04/L-121 për Mbrotjen e Konsumatorëve me konsumator nënkupton çdo person fizik i cili blen dhe përdor mallra ose shërbime për plotësimin e nevojave të veta, për qëllime që nuk kanë lidhje me veprimtarinë tregtare.
Gjithashtu edhe sipas fjalorit të gjuhës shqipe me konsumator nënkupton ai që konsumon, konsumues kurse konsumi përfshin : 1) Përdorimi i të mirave materiale për të plotësuar nevojat e përditshme të njeriut; tërësia e këtyre të mirave materiale:mallra, konsumi, nevojat për konsum.
2) Ajo çka konsumohet e harxhohet: konsumi mujor i ujit etj.
Siç shihet nga formulimi që është bërë sipas Kodit të ri Penal është menduar të largohet ndoshta nga emërtimi i mëhershëm i veprës penale përdorimi i paautorizuar i firmës, markës apo modelit të huaj por është gabuar në emërtimin e saj, në secilin rast sipas mendimit tim dhe duke u bazuar në argumentet e mësipërme konsideroj se e njëjta duhet sa më parë të përmirësohet me anë të një aneksi në Kodin Penal të Kosovës. Duke menduar të largohet nga emërtimi i vjetër dhe duke i dhënë emërtim të ri, një gjë e tillë nuk është në përputhje me emërtimin që përmban tani. Unë konsideroj që me rastin e ndryshimit të Kodit Penal të Kosovës ose duhet të kërkohet ndryshim dhe kjo vepër penale ta ndryshoj emërtimin e tanishëm dhe me disa ndryshime do të thosha “kozmetike” të rikthehet emërtimi i vjetër. Rekomandimi imi personal do të ishte të ndryshohet titulli i emërtimit nga vepra penale “Mashtrimi i Konsumatorëve” në emërtimin e vjetër por me ndryshimet vogla ku do të merrej ky formulim” Përdorimi i pautorizuar i firmës, shenjës apo modelit të huaj” Nga emërtimi i vjetër shprehja “markë” zëvendësohet me emërtimin “shenjë”.
Gjithnjë sipas mendimit tim, hartuesit dhe përpiluesit e legjislacionit duke dashur të ikin nga emërtimet e mëhershme kinse “pro slave” ( pa të drejtë sepse këto vepra penale burimin e kanë nga kodet penale dhe civile të vendeve të zhvilluara si Franca, Gjermania apo Anglia e jo nga vendet pro-sllave), siç është rasti me veprën penale Mashtrimi i Konsumatorëve i humbin kuptimin e veprës penale.
Me rastin e hartimit të këtij opinion janë marr për bazë Kodi Penal i Kosovës i tanishëm, Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës, E drejta Penale- autor Ismet Elezi, E drejta Penale autor Ismet Salihu, Fjalori Gjuhës Shqipe autor Jani Thomai, Miço Samara, Pavli Haxhillazi, Hjari Shehu, Thanas Feka,Valter Memishaj dhe Artan Goga, Ligji për Mbrotjen e Konsumatorëve etj.
Autori është: M.Sc i Shkencave Penale Juridke, dhe
Bachellor i Shkencave Politike dhe Administratë Publike
Autor i shkrimit –Liridon Jetishi– Zyrtar Ligjor-Komuna Ferizaj