17,11,2024

Dialog me shkrimtarin Sali Bashota

Must Read

Intervista e realizuar nga Gëzim Arifi me poetin Sali Bashota, me titullin “Poezia si teori e dashurisë”, ku së pari u botua në librin “Palimpsesti i ideve”, Parnas, Prishtinë, 2013 ; pastaj u ribotua e përkthyer në gjuhën angleze dhe frënge, në librin me titull “Ego”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2014, në Kultplus, më 19 shtator 2019, si dhe në FerizajPress, më 28 tetor 2022.

(Fragment nga libri “Palimpsesti i ideve” i autorit Gëzim Arifi)

                              33 pyetje për Sali Bashotën

  1. Pse shkruani?

-Shkruaj ngase besoj në vetvete për të komunikuar me lexuesit, për ta mundur heshtjen dhe zgjuar pasionin e dashurinë për shkrimin.Më kujtohet, si fëmijë i vogël çdo mëngjes e dëgjoja zërin e zogjve, sa herë cicëronin në pemët e kopshtit tim në vendlindje dhe mendoja si mund të rikthehej zëri i tyre në fjalë apo në vargje.Kjo ishte ëndrra ime e parë e fëmijërisë, e cila ndërlidhet edhe me frymëzimin tim të parë në jetë.

Gjithashtu, më kujtohet si fëmijë, sa herë bie shi, unë luaja me piklat e ngrohta të shiut të pranverës që pushonin në shikimin tim të ndezur dhe me plot gëzim i vizatoja me gishtin tregues në xhamin e avulluar të dritares fytyrat e njerëzve që i doja, si dhe sendet apo gjërat që më pëlqenin më së shumti, siç ishin: dielli, hëna, yjet, bora, lodrat, lulet, zogjtë, macja ime e bardhë etj. Aty, përbrenda atyre lojërave të çuditshme dhe të pakuptueshme sikur mbijetonte prania ime, bashkë me fillimin e dashurisë për gjërat që i ndieja në shpirt, duke menduar për vijimin e ëndrrave të tjera edhe në ditën e nesërme.

Kjo ishte përmasa e çuditshme e idealitetit të fëmijërisë sime në vendlindje, me tërë ato kujtime më të dashura për vetveten duke menduar se po bëja një rrëfim të jashtëzakonshëm, të  përrallëzuar dhe të bukur artistik për të tjerët, madje duke besuar se kurrë realiteti nuk do të shembej në kujtesën time dhe, më në fund, se do të mbetej përgjithmonë i njëjtë dhe i pandryshuar. 

Shtëpia ime e djegur, e cila s’është më, ishte e ndërtuar me gurët e Malit të Çetës, në të cilën dritarja e dhomës sime të gjumit e kishte pamjen nga lindja e diellit. Si fëmijë gjithnjë mendoja se a u ngjajnë zogjtë shtegtarë njerëzve të mirë dhe si merren vesh zogjtë midis veti me gjuhën e tyre.  Më vonë, kam menduar për pavdekësinë e cicërimës së zogjve.Atëbotë e pata pyetur Nanën: pse nuk varrosen zogjtë.Kureshtja ime rritej vazhdimisht, pasi që e kisha krijuar bindjen se zogjtë janë të pavdekshëm.

Në shkollën e Kijevës, në klasën e mësuesit tim, sa herë i vizatoja zogjtë në fletën e bardhë, më kujtohej cicërima dhe fluturimi i tyre, si dhe fjalët që ia kisha thënë Nanës. Këto ëndrra më flinin në shpirt, sikur të ishin mësimet dhe detyrat e mia të përditshme, por më vonë kam kuptuar se ato ishin frymëzime që buronin nga thellësia e shpirtit tim.

Duke i evokuar kujtimet nga fëmijëria shpesh më përfytyrohen gjërat që i kam dashur më së shumti në jetë. Pa dyshim, ishin: Zogjtë, Shiu dhe Lulet. Kjo ishte kënaqësia ime e paharruar e ëndërrimit në fëmijëri, ndërsa më vonë kënaqësi estetike e frymëzimit tim si poet.

Pse shkruaj?  

Shkruaj për ta shpalosur botën time në përballje me imagjinatën, me jetën, me realitetin.Shkruaj për ta ndërtuar vizionin tim krijues në një pikë të ndjeshmërisë shpirtërore, e cila lëviz vazhdimisht përbrenda rrethit të kujtesës, për ta shtresuar magjepsjen e pambaruar të dëshirave. 

Shkruaj për të kuptuar më qartë rruzullimin e ndjenjave dhe mendimeve që ikën nga një skaj në skajin tjetër, për ta zbuluar kuptimin e ëndrrave magjike, të cilat nuk mund të shpjegohen kurrë deri në fund apo për t’i bashkuar kujtimet dhe përjetimet në një vend, i cili e kërkon bekimin e gjuhës poetike.

Shkruaj për të kuptuar më qartë preokupimin tim krijues e ekzistencial: Pse Zoti është Një. Pse pas krijimit të Tokës dhe Qiellit u krijua Drita. Pse bien gjethet në tokë. Pse vyshkën lulet. Pse ikën zogjtë në vjeshtë. Pse fryjnë erërat. Pse ngjallën bimët. Pse ekziston frika. Pse dashuroj. Pse urrej.Pse ekziston realiteti.Pse e dua gjithmonë të vërtetën.Pse shpeshherë fjala e kafshon dhembjen e shpirti.Pse sa herë vdesin kujtimet dheu i përpin lulet e bardha.Pse zhduket gjarpri duke e kafshuar vetminë e vet.Pse frymëzimi im shndërrohet në engjëll. Pse hiri i librave është testament i melankolisë sime.Pse e kam shkruar jetën time në albumin e grisur. 

Pse shkruaj? 

Shkruaj për ta mundur vetminë dhe dhembjen time në çastin e ndezjes apo të shuarjes së kujtimeve. Herën tjetër, shkruaj për t’i shpalosur përjetimet për gjërat që i ndjej në shpirt, për t’i rikthyer në ligjërim, në figurë, madje në kënaqësi të veçantë estetike. Kështu figura e ëndërrimit tim, jo rrallë, ma trondit zemërimin për diçka që nuk mund ta them dhe që nuk mund ta shkruaj. Është një zjarr i ndezur përbrenda shpirtit, i cili vazhdimisht përpiqet të shpërthejë në formën e vet, në mënyrën e vet, në çastin e vet. Dhe kur shpërthen e kërkon një harmoni të përjetshme plot natyrshmëri dhe vetëmohim.

Pse shkruaj? 

Shkruaj për t’i qetësuar shqetësimet e mia në raport me situatat e padurueshme, sepse jeta e përditshme, në njërën anë i ka përballjet dhe të panjohurat, ndërkaq në anën tjetër e ka edhe misionin dhe idealin e vet për ta nxitur procesin krijues, se si mund të thuhen apo të kuptohen gjërat e bukura apo gjërat e mërzitshme në një çast të frymëzimit përbrenda realitetit njerëzor. 

Poezia ime synon të shpjegojë me ndjenjat e saj aktin e shpërthimit të ideve dhe mendimeve, të cilat shqiptohen dhe sistemohen përbrenda një koncepti poetik dhe estetik, ku kujtimet, ëndrrat, përjetimet bashkëjetojnë në kohën dhe hapësirën e caktuar, në radhë të parë, për të provuar ligjërimin e vet, qoftë edhe ngacmimin e një tabloje apo të një sfondi në çastin e imagjinuar apo në realitetin e përjetuar.

Pse shkruaj?

Shkruaj për të kuptuar fillimin e fundit të shëtitjeve imagjinare të metaforave poetike, të cilat frymojnë bashkë me simbolikën e tyre, edhe kur jam i përhumbur në meditimet e mia për dashurinë ndaj fjalës së shkruar. 

Kur shkruaj mundohem të qëndroj gjithmonë midis imagjinatës dhe përjetimeve, edhe kur vlerësoj edhe kur karakerizoj ndonjë fenomen apo çështje, të cilat ndërlidhen me artikulimin argumentues të parimeve të mia krijuese, sepse është thënë se çdo poet e ka pikënisjen e tij të ndërgjegjësimit përbrenda sfidës së pambaruar për ta gjetur kuptimin, çelësin estetik të poezisë së vet. Prandaj, pikërisht për këtë arsye shpesh kam menduar, sikur ta kisha Një dhomë për vete si Virgjinia Vulfi…

2.  Çka është krijimi i një poezie për ju?

-Krijimi i një poezie, jo rrallë, është ringjallje e një kujtimi apo një përjetimi që valëvitet gjithnjë në mendjen time për të shpërthyer në formën e vet, duke e kërkuar shkakun apo esencën e fenomeneve të pazbërthyera. Është një ëndërrim i pafund që e projekton botën e vet midis asaj që mund të thuhej dhe asaj që nuk mund të thuhej. Pa dyshim, është edhe një çast i ndërlikuar psikologjik që e ka estetikën e vet të pranimit apo të refuzimit, apo herën tjetër estetikën e përsiatjes, siç do të thoshte Baumgarteni.

Në fakt, më pëlqen dhe e dua shumë këtë valëvitje të frymëzimit për ta kuptuar dhe përjetuar formësimin e një imazhi, një tabloje, një situate, një momenti, kur synohet të zbërthehet domethënia e lumturisë njerëzore përmes shprehjes poetike apo ideve të bukura, të rralla dhe të paharruara në jetën e përditshme.

Krijimi i një poezie është sikur përfytyrimi dhe shpërfytyrimi i bukurisë femërore që e ka hijeshinë magjepsëse. Trupin. Mendjen. Shpirtin. Jetën. Dashurinë. Prandaj, bota e poezisë ka ngjashmëri me qëllimin dhe arsyen e njeriut për t’i kuptuar të mirat dhe të këqijat e jetës. Është shqiptimi më i fuqishëm i ndjenjave për të prodhuar idealitetin estetik. Herën tjetër është një lloj i virtytit të etur, madje të pashpjegueshëm deri në fund për ta kuptuar dhe përjetuar edhe të tjerët, por jo të gjithë njësoj.

Krijimi i një poezie e përfytyron pasionin dhe dashurinë, por edhe përmbysjen dhe zemërimin e frymëzimeve. Kur shkruaj përpiqem ta ndërtoj botëkuptimin e ideve të mia, të triumfoj mbi situatat e mërzitshme dhe të padurueshme që më rrethojnë, për ta gjetur arsyen e fitores së poezisë.

Krijimi i një poezie është një tronditje e pafund shpirtërore në udhën e mundimshme dhe të panjohur të frymëzimit. Çdo poezi e ka gjithmonë një aspiratë të njëjtë: që të jetë sa më e bukur, e qartë, e kuptueshme. Fshehtësia e bukurisë së poezisë është kërkimi më i fuqishëm, mbase më tronditës i krijuesit, i cili është vazhdimisht në zbulim të idealit të tij krijues.Të gjithë poetët e lakmojnë bukurinë e ideale të poezisë së tyre, kurajon krijuese për të thënë diçka të çmueshme dhe që mbahet në mendje.

Krijimi i një poezie për mua është shtresimi i shenjave të padukshme në shpirtin tim,të cilat synojnë të bëhen të dukshme, me kënaqësinë, fuqinë dhe domethënien e tyre. Fillimi dhe fundi i lojës me fjalët dhe me figurat në poezi e prodhon shkakun e një vetëdije krijuese, e cila reflektohet përbrenda konceptit dialektik të ideve të mia, kështu që synoj të lëviz në drejtim të përsosmërisë së mendimeve, se si mund të shpaloset vetvetja në kohën dhe hapësirën e caktuar, për të treguar diçka të mrekullueshme dhe që pëlqehet, në radhë të parë, nga lexuesit. 

Po them, poetët e kanë vështirë të ikën nga ekzistenca e dhembjeve edhe kur shkruajnë për lumturinë e tyre apo për lumturinë njerëzore.

Krijimi i një poezie për mua është flijimi i vetmisë së pamjaftueshme nga thellësitë e padukshme të harresës, ashtu siç ka thënë Borhesi, “këmbim i fjalëve brenda një lloj ekuilibri midis tri elementeve: ndjenjës, frymëzimit dhe ritmit”.

Krijimi i një poezie për mua është durimi më i çmueshëm dhe më i shtrenjtë në botë që e ka vizionin e vet, i cili nuk mund të shpjegohet me fjalë.Prandaj, më pëlqejnë këto tri parime të Borhesit.

3.      Kush ose çka e frymëzon poezinë tuaj?

-Poezinë time e frymëzon pajtueshmëria dhe papajtueshmëria e jetës me të gjithë përbërësit e saj. Fenomeni i frymëzimit, i trajtuar fjala vjen që nga Platoni në dialogun e tij me titullin “Ijoni ose mbi Iliadën”, ende nuk është shpjeguar përbrenda misterit të vet. Poezia e krijon ambientin magjik, në radhë të parë, me funksionin e saj kuptimor, figurativ, stilistik, estetik. Poezia është pasioni dhe vetëdija krijuese më elitiste e letërsisë.

Poezinë time të parë e kam shkruar në klasën e katërt të shkollës fillore. Titulli i saj është “Nana”. Po i citoj vargjet: Kur të zgjohem/ Në mëngjes/Nënën time/ E përshëndes/Nënën time/Shumë e dua/Ajo më ka rritur mua.Kjo është poezia ime më e dashur.

Poezia ime frymëzohet nga lumturia e jetës, mbase më shumë nga fati dhe dhembja e saj.  Dashuria. Atdheu. Nëna. Gruaja. Fëmijët.Vendlindja, Zogjtë. Lulja. Ëndrra.Trishtimi.Vetmia. Këto janë shenjat emblematike të preokupimit tim krijues. Ka edhe të tjera. Ka shumë.

Poezia ime i ka shenjat e frymëzimit në ëndrrën e jetës së përditshme. Është një përballje midis qetësisë shpirtërore dhe shqetësimit njerëzor. Pamjet e zymta të realitetit midis të zakonshmes dhe të pazakonshmes, midis mundësisë dhe pamundësisë, midis besimit dhe mosbesimit dëshiroj t’i projektoj brenda botës sime krijuese për të shpalosur një kërkim shpirtëror, i cili e synon përjetimin e vet psikologjik dhe estetik. 

Pse kam shkruar kaq shumë poezi për shpirtin, për dashurinë, për vjeshtën, për shiun, për vashën, për bukurinë, për vetminë, për trishtimin, për dhembjen, për vendlindjen, për zjarrin, për gjarprin, për vdekjen, për parajsën, për rruzullimin, për ëndrrat, për mallin, për dorëshkrimet e djegura etj., gjithmonë e kam kërkuar botën e trazimit të shpirtit tim krijues në një situatë ku vargu im e kërkon frymën dhe identitetin e vet, klithjen e një dhembjeje të bekuar të të menduarit.

Fjala vjen, një poezi e imja e shkruar për heroizmin e luftëtarëve të lirisë apo një poezi e imja e shkruar për buzëqeshjen e përgjakur të vajzës së vrarë në luftën e fundit në Kosovë apo një poezi e imja e shkruar në korrik të vitit 2005 për mbrëmjen e paharrueshme në çastin e përëndimin të diellit në San Diego, apo një poezi e imja e shkruar në vjeshtën e vitit 1999 në çastin e lëkundjes së  gjetheve të blirëve të Prishtinës nga fryma e jugut apo një poezi e imja e shkruar në çastin kur e mora lajmin se barbarët serbë e kishin prerë me sëpatë  ftoin e vendlindjes sime, në gusht të vitit 1998, secila nga këto e ka në vete filozofinë dhe estetikën e vet. Gjithashtu, secila nga këto poezi e projekton zjarrin e frymëzimit brenda  laboratorit krijues, aktin e frymëzimit dhe procesin e krijimit, madje, pothuajse, shumica e figurave poetike synojnë bukurinë e harmonishme, mirëpo koha, hapësira, vendi, momenti nuk janë të njëjta, sikundër që as përjetimi estetik dhe psikologjik nuk është i njëjtë.

Frymëzimi im buron nga shpirti e rikthehet në shkrim, sikundër që është mall i pambaruar, i pakryer që e ka përbrenda ndjesinë e vet. Nëse e përfytyron me dashuri e pasion e strukturon në mendjen tënde, e bënë të përjetshëm dhe gjithmonë e bart më vete: si dhembjen, si dashurinë, si mërzinë, si kujtimin, si ëndrrat, si fatin.

Nëse mund ta them kështu, unë përpiqem ta krijoj Teorinë e Dashurisë në poezi, duke e formësuar një përmbledhje të sistemuar të përjetimeve, të cilat e kanë dalldinë e vet magjepsëse në përballje me të papriturat dhe të panjohurat dhe në këtë kuptim më duket se përputhet preokupimi im krijues në nxitjen e vazhdueshme të meditimit lirik: pse gjërat e bukura dhe të dashura dëshiroj t’i perceptoj me një pasion të virtytshëm me prirjen e imagjinatës, mirëpo gjithnjë përbrenda një soditjeje të shqetësuar.

Poezinë time e frymëzon plisi i bardhë i Babait tim, sikundër që edhe ëndrra e pazbërthyer për lirinë apo buzëqeshja e vashës me shikim në dritare, pastaj malli për kohën e humbur apo peizazhi i vendlindjes, apo herën tjetër edhe shiu i vjeshtës apo mungesa e mallit për të dashurit e mi.

Në procesin krijues më ndodh të tërhiqem nga mendimi i parë në shenjë mohimi për atë çka kam shkruar. Ndonjëherë sikur e humbi ecurinë e frymëzimit duke kërkuar me çdo kusht fjalën, imazhin, figurën e përshtatshme. Prapë rikthehem në fillim. Pas pak, sikur më trazon  dhe më preokupon përsëri vetëm shpërthimi i parë i frymëzimit.

Jo rrallë më ka ndodhur që me javë të tëra apo me muaj të përpiqem ta zbuloj mënyrën më të  përshtatshme dhe më të përsosur për mbarimin e një poezie sipas dëshirës dhe vullnetit tim, t’i braktis zbukurimet dhe himnizimet e pranishme, derisa t’ia gjej bekimin krijues, pra butësinë dhe ëmbëlsinë e saj. Kur nuk më del poezia aq shpirtërore, ashtu siç dëshiroj, disi nuk pajtohem, rebelohem dhe zhgënjehem me frymëzimin tim.

Çdo poet synon ta ketë formulën e vet të ngjizjes dhe të harmonizimit të frymëzimeve, pra të krijojë sistemin e vet të mendimit, i cili do të karakterizonte individualitetin e tij krijues.Dua të them se poezia është ekzistenca e një bukurie të pashpjegueshme deri në fund, e cila synon të përmbysë kohën e ankthit dhe të vuajtjes dhe të fuqizojë kuptimin e saj figurativ dhe stilistik.

Gjërat e kësaj bote mund të perceptohen përbrenda peizazhit të vet dhe përfytyrimi nga koha e tashme synon të mbizotërojë edhe në kohën e ardhme.Poezia ime e ka përbrenda krenarinë  kombëtare, por edhe alegorinë, simbolin, ironinë, kontrastin  apo ekzistencën e etnosit, si dhe kulmin e trishtimit të mitit biblik të shqiptarëve në vitin 1999, i cili është projektuar përbrenda librit tim “Dalje nga trishtimi”.

Sikur jam mësuar me ekzistencën e dhembjes së poezisë sime për të depërtuar te esenca e lirisë së saj.Ky është më shumë se fat krijues në një fatkeqësi njerëzore.

4.      Ç’është krijimi i një libri me poezi për ju?

– Krijimi i një libri për mua është kurorëzimi dhe ngadhënjimi i një dashurie shpirtërore me lloj-lloj shenjash, e cila e ka ecurinë e magjisë së vet. Prandaj, çdo libër imi e ka historinë e vet të botimit, sikundër që e ka edhe ditëlindjen e ngulitur në imagjinatën, kujtesën dhe në frymëzimet e mia. Për më tepër çdo libër imi e ka biografinë e vet, natyrisht edhe mallin dhe dashurinë e veçantë. Jam përpjekur ta zbërthej këtë lidhje shpirtërore në jetën time krijuese përbrenda aventurës së përkufizimit të përjetimeve dhe kujtimeve në një kohë dhe në një hapësirë, që ka të bëjë me idealitetin e poezisë.

Krijimi i një libri me poezi për mua është lavdërimi i shqetësimit dhe i dhembjes sime krijuese. Pse ky lavdërim, do të më pyesni ju?

Sepse krijimi i një libri me poezi është ndërtimi i filozofisë së qindra apo mijëra ideve, ndjenjave, mendimeve, imazheve, situatave, figurave etj., të cilat grumbullohen përbrenda ligjërimit të poetit, në radhë të parë, për të formësuar botën e tyre, nga një perceptim i përditshëm i krijuesit në perceptimin e përjetshëm të lexuesve. 

Kështu mendoj unë, sepse poezia është një proces i përhershëm i udhëtimit të frymëzimeve në mendjen e poetit. Mjafton të ndizet një shkëndijë nga trupi i saj për të shpërthyer tërë ajo fshehtësi e ngujuar aty. Fjala vjen, një përjetim i tillë më ka ndodhur kur e kam shkruar poezinë “Hyjnesha e Shiut”.

Krijimi i një libri me poezi është kurorëzimi i një besueshmërie krijuese në vetvete, e cila i ka fazat e caktuara të projektimit të ideve dhe e cila ka një qëllim estetik për të mbërritur deri te ndjeshmëria e lexuesit. Kështu që, çdo herë kur botohet vepra ime e re e ndiej një çast gëzimi të papërshkruar. Jam shumë i lumtur kur e mbaroj me sukses një projekt timin krijues dhe kur të tjerët e pëlqejnë apo e adhurojnë. 

Krijimi i një libri është hyrja në procesin e pajtimeve apo mospajtimeve me vetveten përbrenda një metode apo koncepti krijues, ndërsa botimi i tij është dalja e mistershme nga ai proces, i vështirë dhe i ndërlikuar. Është vetëbesimi i përfunduar i poetit, pa dyshim, mrekullia e një dashurie të rrallë dhe të papërsëritur në atë mënyrë, herave të tjera.

Krijimi i një libri me poezi për mua është ndërtimi i një botëkuptimi apo i një përvoje estetike personale, pastaj formësim i qëndrueshëm i një virtyti poetik, si dhe përmbysje e paradokseve dhe iluzioneve të shpifura, të cilat më preokupojnë vazhdimisht kur nuk e njoh esencën e realitetin.

5.  Ku shkruani më shpesh (në zyrë, në shtëpi, në kafene)?

-Unë kam shkruar shumë poezi në vendlindjen time, kryesisht poezi me tematikë të dashurisë. Gjithsesi, ky do të ishte imazhi më ideal për çdo poet. Tashmë vetëm mund ta imagjinoj Bibliotekën time të djegur në vendlindje, më 2 gusht 1998, me sipërfaqe 60 m/2.Pa dyshim, është një ndjenjë e pashpjeguar se si i shkruaja poezitë e mia në vendlindje. Sikur në çdo çast më tërhiqte një fuqi magjepsëse krijuese, e mbërthyer me mbresa e përjetime të pafundme në rrjedhën e bisedave të njerëzve të mi, prej të cilëve në ndeja të ndryshme kisha mësuar qysh në fëmijëri se çka është fjala e vërtetë, dinjiteti njerëzor dhe besimi për lirinë.

Tani poezitë i shkruaj në banesën time në Ulpianë. Prishtina është vendlindja ime e dytë.  E ndiej se çdo ditë më mungon fryma e gjallë e ambientit të vendlindjes për të konceptuar shkëlqimin e dritës së diellit apo fshehtësinë e ngjyrave të kopshtit tim, cicërimat e zogjve apo zërat e fëmijëve, si dhe “ikjen” në një kënd të dhomës për t’i lexuar librat e detyrueshëm, të cilët m’i kishte caktuar mësuesi në  shkollë. Atëbotë këto përjetime zgjoheshin çdo mëngjes në mendjen time duke ndërtuar edhe një buzëqeshje të lumtur për prindërit e mi.

Pyetja ku shkruani, është një ndër pyetjet më të shpeshta që iu është bërë shkrimtarëve. Secili shkrimtar e ka sekondën, minutën, orën, ditën, stinën, hapësirën,vendin, kohën, ku dhe kur shkruan.Unë mendoj se procesi krijues i detyrohet një misioni shpirtëror dhe i një shpëtimi nga harresa. Borhesi kur e ka konceptuar Bibliotekën si një Parajsë, ka menduar edhe për vendin dhe hapësirën e shkrimit dhe të leximit.

Më në fund, çdo poet synon ta konceptojë dhe ta udhëheqë kohën dhe hapësirën e vet për të shkruar dhe botuar veprën e tij të re.

6. Si ndiheni para se të filloni të shkruani dhe si pasi të mbaroni së shkruari?

-Siç thotë Harold Bloom në veprën e tij “Si dhe përse të lexojmë” se “letërsia imagjinare është tjetërsim dhe si e tillë e fashit vetminë”.

Unë shkruaj, pothuajse, gjithnjë nën ndjesinë e vetmisë dhe mund t’i përshtatem vetëm atij realiteti, kur nuk ka zhurmë dhe është qetësi. Pra, kërkoj qetësi në kohë-hapësirën që më rrethon dhe shqetësim të ndezur në shpirtin tim.Para se të shkruaj, më përfytyrohet një engjëll mbrojtës, i cili “sikur”qëndron gjithnjë afër meje. Do të thoni se ky është frymëzimi hyjnor, brenda së cilit shfaqet kuptimi i jetës njerëzore.

Procesi i të shkruarit është një akt solemn që përbrenda shpirtit dhe mendjes e ka përballjen e fuqishme midis ndjenjave dhe mendimeve. Ndërtimi i ideve dhe konceptimi i imazheve, pra sistemimi i tyre në laboratorin e krijuesit është gjëja më misterioze. Përpiqem ta zbuloj përmbysjen dhe ringjalljen, por edhe shkëlqimin e imazheve të ngulitura në një hapësirë të meditimit, në një çast të harmonishëm që e kërkon ekzistencën e fjalës për ta shqiptuar pasionin për botën e frymëzimit. Tek unë ekziston vetëm një arsye: si do të funksionojë ligjërimi im për ta kuptuar dhe pranuar lexuesit se poezia është pikëpamja më e fuqishme semantike në universin e fjalës poetike. 

Kur e filloj shkrimin sikur i bëj një lutje vetvetes për mbarësinë e aktit të frymëzimit, ndërsa kur e përfundoj fuqimisht më përshpërit në ndërgjegjen time krijuese rituali i besimit dhe i lumturisë  për një vepër të kryer.Vërtet, është një ceremoni shpirtërore. I përmenda jorastësisht: aktin, ritualin, besimin, lumturinë, për t’i përforcuar mendimet e mia. 

Unë mendoj se poezia është shqetësim i ëmbël i shpirtit përbrenda shkëlqimit të vet enigmatik. Ndjesia nuk është gjithmonë e njëjtë as kur i shkruan veprat tua dhe as kur ua lexon veprat të tjerëve.

7. Disa nga poezitë dhe librat tuaj mbajnë në titull fjalën dorëshkrim: Pse është kaq i rëndësishëm  për ju

-Për mua dorëshkrimi është hyrje në zjarrin e ndjenjave dhe kuptimeve, të cilat e kërkojnë mikrobotën e tyre në një sfond të frymëzimit dhe të përjetimit. 

Dorëshkrimi është parabota e përfytyrimeve dhe e mendimeve që ruhen në vetvete për ta gjetur apo zbuluar momentin e shpërthimit. Ky shpërthim përballet përbrenda tallazeve shpirtërore duke i kërkuar idetë, temat, gjuhën, stilin, figurën, ligjërimin. 

Dorëshkrimi është vetvetja e krijuesit, e riprodhuar në shumë variante dhe versione, ndërsa libri është përtej vetvetes, është i lexuesve. Që nga fillimi i krijimtarisë sime gjithnjë e kam kërkuar dashurinë dhe pasionin,për të shprehur botën time krijuese.

Dorëshkrimi i gjallë, dorëshkrimi i djegur, dorëshkrimi i ngjallur janë tri kaptina të jetës sime krijuese. Prandaj, në veprat e mia të fundit dorëshkrimi e ka kuptimin e një kulti të figuruar përbrenda procesionit të një dhembjeje shpirtërore, e cila funksionalizohet në kuadrin e dhembjes krijuese. Botën e dorëshkrimit tim dua ta kuptoj, jo vetëm si imagjinatë, por edhe si ndërgjegje krijuese.

Libri im “Dorëshkrimi i ngjallur”, si model letrar sikur është trazuar me alkiminë e vet përbrenda meje nga gjendja e caktuar shpirtërore për kujtimet e luftës, tashmë edhe si aventurë imja krijuese më dashunuese e udhëtimit të ringjalljes së kujtimeve dhe përjetimeve në vendlindjen time, midis të vërtetës dhe legjendës, midis jetës dhe vdekjes, midis lirisë dhe robërisë, nëse mund të them është edhe një lloj i realizmit të vonuar magjik, i cili ndërlidhet me vetë përkushtimin e librit për Shpirtin e Babait.

Midis poezisë-prolog me titullin “Ndezja e zjarrit” dhe poezisë-epilog me titullin “Fikja e zjarrit”, në librin “Dorëshkrimi i ngjallur”, jam përpjekur ta ndërtoj palimpsestin e dhembjes sime krijuese, e cila ndërlidhet me fenomenin e dorëshkrimit, tashti si figurë konceptuale. Këto shenja simbolike e simbolizuese marrin atribute të caktuara figurative dhe stilistike, mendoj si gjetje dramatike përbrenda ligjërimit tim poetik: zanafilla, trashëgimi, prova e zjarrit, letra e djegur,vallja e zogjve, forma tjetër e ngjalljes, lavjerrësi i ndryshkur, figura e fshehur, flaka e shpirtit, gjumi i parë i dashurisë, trajtat e uratës, zëri i humbur, legjenda e murosjes, djegia e mëkateve, ngushëllimi i pritjes, halucinacioni i dhembjes, shëtitja mbi vegimin e bardhë, vdekja heroike e ëndrrës etj.

Dua ta them një të vërtetë: Në fillimet e procesit tim krijues, kur i shkruaja herë pas here këto poezi, jo çdo ditë, e kisha ndjenjën dhe idenë që ato mund të jenë “zbulim” i ëndrrat të mia më të dashura erotike.Nuk doli ashtu. Çuditërisht përbrenda paragjykimin tim krijues triumfoi logjika e frymëzimit shpirtëror, e cila kishte të bënte me disa motive të patrajtuara nga unë deri atëherë në poezinë time dhe të cilat ndërlidheshin me paprekshmërinë e dhembjes për librat dhe dorëshkrimet e djegura në vendlindje.

Prandaj, unë mendoj se në vetëdijen e autorit procesi krijues i tij nuk e ruan gjithmonë arsyetimin e mallit të parë, pra gjenezën e frymëzimit, kështu që historia e motërzimeve të dorëshkrimeve është e njohur nga autorë të mëdhenj në letërsi të ndryshme të botës. 

8.  Si shkruani (me dorë, me makinë apo me kompjuter)? 

-Kanë thënë të tjerët: imazhi i paraprin modelit.Unë shkruaj gjithnjë me stilolaps në letrën e bardhë. Është një preokupim dhe ballafaqim i çuditshëm me hapësirën e bardhësisë dhe përpiqem të triumfoj mbi këtë hapësirë, duke e mbushur sa më parë me fjalë, të mbështjellura me prirje idealiste. 

Është një mision i çuditshëm i zjarrmisë shpirtërore, e cili e kërkon vazhdimisht shtegun e shpërthimit, pra strehën e vet. Cilën fjalë, cilin mendim, cilën figurë, çfarë imazhi përpiqem ta vë së pari në procesin e frymëzimit. Nga fluturojnë mendimet, si gdhenden figurat, si harmonizohen ndjenjat, si shfaqet imazhet, si shprishen kuptimet, çfarë ndjej në shpirt kur ballafaqohem me të papriturat? Poezia e ka namin dhe prestigjin e vet që te jetë idealiste, prandaj optimizmi apo pesimizmi i saj ndërvepron përbrenda shtresimeve kuptimore për të saktësuar esencën e fuqisë së gjuhës.

Para tridhjetë vjetësh kam shkruar me makinë shkrimi. Zhurma e shkronjave tek përplaseshin në letrën e bardhë gjithnjë më zgjonte një ndjenjë të jashtëzakonshme. Më pëlqente shumë zhurma apo krisma e shkronjave. Dhe kur i vinte rendi pikës, sikur e ndjeja një shqetësim për mungesën e asaj harmonie shkronjash e tingujsh në shpirtin tim, sepse i vinte radha pushimit të mendimeve të mia, ndërprerjes së një kërkimi. 

I ruaj në vete shumë kujtime të dashura nga vitet e mia rinore, lidhur me makinën e shkrimit, të cilën ma kishte blerë Nana dhe cila u dogj bashkë me Bibliotekën time.

9. A bazoheni në një gjendje apo në një informacion

-Poezia është gjendje shpirtërore e krijuesit, sikurse edhe çast meditativ i tij, ndërsa informacioni është përjetim i lexuesit, raport që e kërkon aktin e komunikimit edhe nga tjetri.

Gjendja, situata, imazhi, bëhen qëllim estetik për të formësuar perceptimin subjektiv të realitetit jetësor. Pra, projektimi dhe karakterizimi i gjendjes, i momentit, i çastit në realizimin e një poezie bëhet përmes akceptimit psikologjik.

Megjithatë, frymëzimet e mia zgjohen nga një gjendje e caktuar shpirtërore, në të cilën mund të ndikojë edhe “pafajësia” e ndonjë informacioni, i cili do të kishte efekt të mirë apo të kundërt. Në këtë rast, në kërkimin e shenjave gjuhësore motivimi më i madh dhe më i rëndësishëm për poetin do të ishte bartja e kuptimeve dhe mesazheve deri te ndjeshmëria e lexuesit. Ky është  veprimi më i natyrshëm. 

Tashmë gjendja vetvetiu shndërrohet në informacion, duke synuar shpalimin e botës krijuese të autorit në raport me universalitetin e krijimit dhe të pranimit të poezisë. Edhe e para (gjendja), edhe e dyta (informacioni) i referohen komunikimit,varësisht nga imagjinata dhe inteligjenca krijuese që sot mund të kuptohet si tekonologji e informacionit që ka të bëjë me hipermodernizmin.

Mund të them se poezia është një informacion i trilluar. Kështu kam menduar edhe kur e kam lexuar shkrimtarin dhe filozofin Maks Bense, njërin nga përfaqësuesit më të spikatur të estetikës së informacionit.

10.  Cilat motive parapëlqeni t’i trajtoni? 

-Gjithnjë kam menduar si mund të shkruaj për triumfin e jetës mbi vdekjes apo për triumfin e lirisë mbi robërinë.Edhe kur i kam ëndërruar flokët e bukur të vashës së dashuruar në shiun e verës apo reflektimin e hënës në dritare në mbrëmjen e vona të vjeshtës, detyrimisht më ka shoqëruar shqetësimi krijues: pse jam kaq tepër i zemëruar me vetveten dhe pse jam kaq shumë i lumtur me poezinë.

Poezia ime i ka shenjat e veta të veçanta që e shpjegojnë lumturinë e vetmisë krijuese në kuptimin figurativ të saj. Zjarrmia e krijuesit në procesin e sistemimit të frymëzimeve është një shtegtim i pafund i imagjinatës në çastin e pazbërthyer të fshehtësisë së vezullimit shkëlqyes të frymëzimeve, ku shpërthen spontaniteti dhe besueshmëria e fjalës poetike.

Duke e përqafuar lojën e kuptimeve dhe të figurave, apo ndërlidhur kujtesën me kohën e fëmijërisë, mallin për kohën e humbur, ankthin e ditëve të zymta të rinisë, netët pa gjumë, domethënien e anekdotave të rrëfyera nga Babai apo mallëngjimin e përrallave të rrëfyera nga Nana, krijimi im është më shumë se një ëndërrim, përpjesëtimi i të cilit gjithnjë mbështetet në shenjat vetjake të frymëzimit.

Motivet që përmbajnë histori dhe legjenda nuk më interesojnë shumë. Kryesisht në poezinë time i trajtoj motivet, të cilat ndërlidhen me realitetin ekzistues. Dua ta ndryshoj botën e këtij realiteti, përmasën e dhembshme, të panjohur dhe të pazbërthyeshme të tij. Nga unë motivet vështrohen në rrafshe të ndryshme, sidomos në rrafshin meditativ dhe erotik, por edhe në atë psikologjik. Pra, trajtimi i fenomeneve dhe problemeve nga jeta e përditshme është parapëlqimi im krijues. Aty, pothuajse, dëshiroj ta gjej fillin e domethënies së poezisë sime, perceptimin, gdhendjen, ndjeshmërinë, receptimin, pra të nesërmen e saj.

Nëse poezia është kërkim i një ideali apo synimi estetik, atëherë krijuesi gjithmonë para vetes e ka lexuesin e përfytyruar. Asgjë të mirë, asgjë të bukur dhe të dobishme nuk mund ta bëjmë pa e pasur në ndërdije praninë e lexuesit.

Motivet e poezisë sime i parapëlqej, së pari, të strehuara në laboratorin tim krijues, për të vazhduar më tutje në realizimin e idesë, konceptit, temës e përbërësve të tjerë. Dua të them se nuk jam gjithmonë i qetë kur preokupohem me ndërtimin e poezisë sime. Kjo do të thotë se jam i shqetësuar.

Shembulli i djegies së Bibliotekës dhe dorëshkrimeve të mia do të përcjell krijimtarinë time derisa të jem gjallë.Tragjikja dhe fatkeqësia janë bërë pjesë e pandashme e dhembjes sime njerëzore e krijuese. Kjo është njëra ndër sprovat më të tmerrshme për krijuesin për të kuptuar biografinë e realitetit të tij. Në fakt, ky realiteti  imi i përjetuar, gjithsesi, në të ardhmen bëhet realitet historik për të tjerët.  Prandaj, edhe tani kur po i shfaq këto mendime e kam një gjendje tjetër shpirtërore, në krahasim me përgjigjet në pyetjet e parashtruara deri më tani. Për t’i konkretizuar këto ide po e citoj poezinë time me titullin  “Dhe tani digjen librat”, e cila është shkruar më 2 gusht 1998, pikërisht në ditën kur është djeguar Biblioteka ime.Këto janë vargjet:Dhe tani digjen librat/Nëna vajton mbarimin e shpirtit tim/Në parajsën ku fle trishtimi/Hynë barbarët duke tërhequr zvarrë atdheun/Lamtumirë vargje të pushkatuara/Shkronja të djegura dorëshkrime të përgjakura/Fotografi të fëmijërisë së humbur/Ferri është më i bukur/Se jeta/Lamtumirë trishtim/Dhe tani digjen librat.

Është një dhembje e papërballueshme, pothuajse, e vendosur midis fantastikes dhe metafizikës, por në fakt është dhembje reale.

11.  Sa zgjat procesi i krijimit të një poezie

-Çdo poezi e ka filozofinë e vet të krijimit. Në mendjen time me ditë të tëra i rrutulloj idetë për t’i sistemuar konceptet dhe imazhet në përballje me procesin e frymëzimit.Për më tepër procesi i krijimit të një poezie mbase zgjat me javë të tëra, apo edhe me muaj. Është një sprovë e dilemave dhe e anktheve, e shtresuar përbrenda motivimeve të autorit: si do të funksionalizohet gjuha, ligjërimi, figura, stili apo komunikimi e përjetimi gjatë dhe pas procesit të krijimit të poezisë.

Procesi i krijimit të një poezie është aventura e shenjave më të përveçme shpirtërore, të cilat hyjnë me pafundësinë e ndjenjave në botën e krijuesit.Po flas për krijimin e ideve, figurave, motiveve etj., si për  si për krijimin e zjarrit, dritës, errrësirës, vetmisë etj., derisa mendoj gjithmonë për ekzistencën e sensit estetik në poezi.

Fjala vjen, në shkurt të vitit 1997 kur e kam shkruar poezinë me titullin “Vjersha që po jepte shpirt”, ia lejova vetes një aventurë të çuditshme të dilemave dhe hamendjesimeve, sepse fillimisht nuk u pajtova me idetë, ndjenjat, mendimet, figurat të cilat ishin në këtë poezi.Të gjitha më dukeshin të pasakta, të ftohta, pesimiste, prandaj disa herë kam tentuar që ta grisja këtë poezi. Megjithatë, nuk ndodhi asgjësimi i saj edhe pse isha në një situatë të sikletshme. Mbijetetoi imagjinata dhe durimi im, kështu që kjo poezi tani është, gjithsesi, njëra ndër poezitë më të dashura për mua. Po e citoj: Albulena tha: mos e gris/Është poezi e mallit të parë/Ankthi do ta zërë edhe nënën/Besiana tha: mos e djeg/Dhembjet e shpirtit s’kanë fund/Dikush më vonë do ta vajtojë me lot/Doruntina tha: mos e plagos/Është mëkat të vritet vargu/Sapo lind me klithmë/Etleva tha: mos e përgjak/Do të bien të gjitha kambanat e trishtimit/Fjalë shpëtimtare më s’do të ketë/Rozafa tha: mos e varros/Vjershën që deshi pak atdhe/Për shpirtin e vet.

Prandaj, me të drejtë Orhan Pambuk ka thënë se “fshehtësia e shkrimtarit nuk është frymëzimi, por durimi i tij”.

12.  Në ç’kohë të ditës shkruani (paradite, pasdite, në mbrëmje, apo në mesnatë) dhe cila është stina që ju frymëzon më shumë?

– Koha e autorit është fenomeni më i veçantë në krijimtarinë e tij Unë zgjohem gjithmonë në orën pesë të mëngjesit.Çdo ditë lexoj, por nuk shkruaj çdo ditë. Pothuajse, gjithnjë shkruaj në mëngjes. Shumicën e poezive i kam shkruan në stinën e vjeshtës. Shiu dhe vjeshta janë shumë të pranishme në poezinë time.Gjithsesi, janë imazhe metaforike, të cilat e artikulojnë vizionin tim në poezi.

Po i përmendi vetëm disa poezi të shkruara për vjeshtën: libri i dytë poetik me titullin “Zogu me profil vjeshte”, pastaj poezitë: “Fundi i vjeshtës”, “Vjeshta e kollit të keq”, “Vjeshta në kryeqytet”, “Fundi i vjeshtës tjetër”, “Perëndim dielli në vjeshtë” etj.

Para disa vjetësh në një kumtesë time i kam dhënë disa mendime për kohën e krijuesit, duke e kërkuar konvencionin e saj në krijimtarinë e disa autorëve. Prandaj, çdo ide nismëtare për shkrimin, ndër të tjera, përcaktohet nga akti i frymëzimit dhe nga vetë koha kur shkruan autori: viti, stina, muaji, dita, nata, mëngjesi, mbrëmja, mesnata.

Në rrafshin tjetër të pikëshikimit modelet tematike, ideore, stilistike të veprave të veçanta, mund t’i nënshtrohen rrethanave ose kronikave të kohës, qoftë si kujtesë, mision, vizion përbrenda konceptit të shkrimit. Edhe atëherë kur flitet e shkruhet për kohën subjektive, edhe atëherë kur flitet e shkruhet për kohën objektive, koha e autorit apo koha personale, fiton konotacione të caktuara kuptimore, ideore, stilistike, figurative.

Në të gjitha periudhat letrare koha e autorit, detyrimisht, përcaktohet nga koha objektive, edhe pse ekziston një papajtueshmëri midis këtyre “dy kohëve” apo midis kohës imagjinative dhe kohës historike.

Përcaktimi i kohës për procesin krijues është një përvojë e rëndësishme personale për autorin.Kurrë nuk të mjafton vetëm çasti apo akti krijues për të vendosur fillimin e shkrimit apo mbarimin e tij, edhe atëherë kur e shpreh frikën, shpresën, pikëllimin, gëzimin etj.,natyrisht për ta kuptuar lexuesi se kjo është dinamika e filozofisë së krijimit.

13. Në poezinë tuaj dominon ngjyra e zezë, ndërsa vetëm vdekja është e bardhë. Pse ndodh ky paradoks? 

-Parabola me idetë, me konceptet, me përjetimet, para së gjithash, është fshehtësia e krijimit, kur thuret e shthuret enigma e frymëzimit. Ngjyra e zezë dhe ngjyra e bardhë kanë domethënie të veçantë në perceptimin e njeriut, sikundër edhe në artin e poezisë. E bardha me të zezën në rrafshin kuptimor e figurativ janë gjithnjë në dyluftim, siç janë në dyluftim lumturia me tmerrin apo jeta me vdekjen. Madje, vargu poetik Vetëm vdekja është e bardhë është bërë edhe titull i librit tim në gjuhën angleze.

Në poezinë “Elegji” në librin poetik “Bukuri e nëmur”(2006), e kam përcaktuar këtë dhembje poetike me këto vargje:Çdo gjë është e zezë/Dhoma e shndërruar në fantazmë/Zogu i vrarë në çerdhe/Hiri i dorëshkrimeve të djegura/Floku i vashës në dritare/Ora e ndëshkimit të fatit/Vaji i nënës në shtëpinë e mallkuar/Testamenti me dy metra tokë/Vetëm vdekja është e bardhë.

Akti i ligjërimit këtu prodhon efekte të caktuara estetike përmes gjuhës dhe figurave shpjeguese, duke i shqiptuar situatat lirike në disa nivele: e zeza, dhoma, fantazma, zogu, hiri, dorëshkrimi, vasha, dritarja, ora, ndëshkimi, fati, vaji, nëna, shtëpia, mallkimi, testament, toka, vdekja, e bardha.

Në këtë poezi kam synuar të ndërtoj poetikisht mbijetesën e shqetësimeve të përmallshme, të cilat i japin lirizmit subjektiv një pamje dramatike, ku mbizotëron e zeza në kuptimin semiotik bashkë me përbërësit tjerë, pos vdekjes.

Pra, për nga forma dhe substanca poezia ime me titullin “Elegji”, e ka mbivendosur ligjërimin antitetik nëpërmjet simboleve dhe shtresimeve gjuhësore që simbolizojnë çastin e krijimit, kur vetëm vdekja është e bardhë. Prandaj, përmes kësaj teknike poetike kam synuar të konceptoj përmasën e shfytyrimit të jetës njerëzore dhe daljen nga ankthi krijues, siç do të bëninin imazhistët.

Sidoqoftë, parabolën me idetë për të krijuar një botë time krijuese e kam filluar para më shumë se tridhjetë vjetësh, si adhurues i poezisë së Lasgush Poradecit, i tregimeve të Mitrush Kutelit dhe i eseve të Faik Konicës. 

Dua ta them edhe një fakt se kjo poezi ështe interpretuar nga shumë studiues dhe është pritur mjaft mirë nga kritika letrare.

14. një poezi tjetër konstatoni se gjithçka është e bardhë, vetëm dashuria është e zezë. Pse? 

-Versioni tjetër i poezisë “Elegji” merr atributin e bekimit krijues, pikërisht në librin “Dorëshkrimi i ngjallur”, ku funksionalizohet dhe risemantizohet me figurat tjera, siç janë:  emri, fjala, lulja, ninulla, rrruzullimi, dashuria etj., me titullin  “Elegji e bekuar”, duke e përcaktuar bardhësinë e frymëzimit përbrenda të zezës së vet. Në këtë poezi paradokset e përcjellin njëri-tjetrin, dhe bëhen bartëse të idesë për të shpjeguar një poetikë të ligjërimit asertiv: Çdo gjë është e bardhë/Emri yt i gdhendur në gurët e plagosur/ Ndryshku i fjalës së ndezur në shiun e vjeshtës/Lulja e këputur në mjegullnajën e harrimit/Ninulla e zjarrtë e lotëve të tharë/Rruzullimi i hijeve në pasqyrën e thyer/Flatrat e djegura të shqetësimit të mallkuar/Puthja jote e vizatuar në trëndafilin e vdekjes/Vetëm dashuria është e zezë.

Megjithatë, ana e ndritshme e frymëzimit e ka edhe kontrastin e vet. Edhe përmbysjen. Edhe ringjalljen.Nëse bashkohen në një pikë të përbashkët dydimensionale, e bardha me të zezen, mund të prodhohej imazhi tjetër që nuk i takon asnjërës.

Tani kuptimi semiotik shpërthen përbrenda mbindërtimit të situatave të habitshme, kur epilogu i poezisë përcaktohet me vargun: vetëm dashuria është e zezë. Fillim e fund, kam dashur që përmes kësaj poezie t’i sistemoj kuptimet e fshehta figurative e stilistike për të përcaktuar një qëllim estetik, i cili e ka domethënien e vet, pas çdo gjëje që është e bardhë dhe vetëm dashuria është e zezë.

E kam fjalën për dy lexime dhe dy ligjërime alternative dhe alegorike, të cilat dëshmojnë për relacionin e të bardhës, si percepcion në kontekstin universal dhe të zezës, si një kuptim i vetmuar i shndërrimit të pasionit dashunues në mallkim. Gjithashtu,e bardha në pikëpamje të imazhit dhe të domethënies bëhet arketip i dëshirës së zjarrtë për të përmbushur një tërësi harmonike të ndjenjave dhe mendimeve, ndërsa e zeza rikthehet në lojë figurash, thënë me gjuhën e poezisë, në prani të hijes së emrit të vet.

Si në poezinë “Elegji” në librin “Bukuri e nëmur”, po ashtu edhe në poezinë ‘Elegjia e bekuar” në librin “Dorëshkrimi i ngjallur”, i kam përqendruar idetë në lojën e dyfishtë të figurave: kur ngjyra e bardhë fiton gjithmonë dhe kur ngjyra e zezë humb gjithmonë.Megjithatë, në mendjen time gjithnjë më rri, kujtimi i fëmijërisë dhe i rinisë për plisin e bardhë të Babait të vdekur dhe për shaminë e zezë të Nanës sime të gjallë.

Kjo do të ishte ftesa më e përzemërt e poetit që ua ofron lexuesve të vet të dashur.

15. Shekulli njëzetë është vlerësuar si shekull i romanit, ndërsa ju keni debutuar dhe vazhduar me poezi? Është kjo një sfidë që ia bëni vetes, apo një gjendje që mund të artikulohet vetëm në atë formë që e keni artikuluar?

-Pajtohem me pyetjen tuaj. Në radhë të parë, është sfidë, sikundër mund të jetë edhe fundi i historisë. Megjithatë, unë një ditë do ta shkruaj edhe romanin e jetës sime që t’ia imponoj lexuesve kujtesën e ringjallur të realitetit njerëzor përbrenda paradoksit të vet postmodernist.

16. Te libri Plagomë figurë qendrore është gjarpri, i cili haset edhe më vonë në poezinë tuaj. Cila është pesha semantike e tij?

– Kulti dhe simbolika e gjarprit është trajtuar në shumë legjenda të moçme. Është trajtuar edhe në poezi. Çdo poet përpiqet ta artikulojë dashurinë, fatin, krenarinë apo edhe dhembjen e tragjikën që ndodh me fatin e popullit që i takon. Qëllimi i poetit është bartja e mesazhit më të fuqishëm për të ndodhurat në realitetin jetësor. Është me rëndësi për poetin saktësimi i kohës së përjetimit dhe i kohës së ligjërimit për të menduar për kohën e leximit. Këto tri kohë e kanë vetëm një përbërës dhe kjo është Vepra e Poetit, kështu që librin tim poetik “Plagomë”, fillimisht e kam pagëzuar “Liri me gjarpër në gji”. Pastaj e kam ndarë në tri kaptina: Liri/Me gjarpër/Në gji.

Gjarpri si simbol ka një peshë të veçantë kuptimore dhe figurative në poezinë time që nga libri im i parë.Nuk e kam trajtuar si gjarpër të shtëpisë, por në një kontekst tjetër, pra si gjarpër i  vuajtjes, pushtimit, dhembjes, pikëllimit, fatkeqësisë, vetmisë, trishtimit, kobit, tmerrit etj.

Në veprën time “Ëndrra në parajsë”, në prozën poetike me titullin “Gjarpri i vetmisë”, e kam trajtuar figurën gjarprin në disa relacione kuptimore. Po e citoj: E mbyta një gjarpër në pragun e shtëpisë sime, në verën e vitit 1998/Çdo ditë gjarpri ma hante shpirtin me pasion të vërtetë/Ky ishte procesi i krijimit të vrasjes mashtruese, për çka i gënjeva fëmijët e mi/Albulena i kafshonte buzët me dhëmbë/Besiana i krehte flokët në pasqyrë/Doruntina këndonte sipas ritmit të vet/Etleva e vizatonte dhembjen time në mur/Rozafa luante me hirin e dorëshkrimeve të djegura/Rea ende nuk ishte në këtë botë/Kur u rritën fëmijët, i panë të gjitha gjurmët e gjakut në dhomën me dorëshkrime të djegura dhe imazhin e vendlindjes së vdekur në një kohë/Aty gjetën arkivolin e shpirtit tim/Pastaj filluan të binin kambanat/Gjarpri u zhduk dhe filloi ta kafshonte vetminë e vet/.

Pra, pesha semantike e gjarprit në krijimtarinë time kushtëzohet nga një botëkuptim i emetimit të fatkeqësisë dhe tmerrit, i cili projektohet bashkë me ligjërimin e nëmur të padurimit.

17. Si te Plagomë , ashtu edhe në librat tjerë vërehet një “lojë” me simbole dhe numra. Ju tërheq misteri dhe simetria në poezi? 

– Libri im i tretë me poezi “Plagomë” është një lloj daljeje e mistershme nga autocensura. Në fakt, më tërheq loja me figura, simbole, numra, sikurse më tërheqin situatat e papërballueshme me imazhet. Nuk më pëlqejnë figurat e ndryshme që aludojnë në iluzionet e realitetit. E çmoj kërkimin psikologjik dhe filozofik përbrenda përjetimeve dhe çasteve të papërfunduara.

Libri im poetik “Plagomë” është vlerësuar nga kritika letrare si një shëtitje e suksesshme imagjinare midis surrealizmit, modernizmit dhe postmodernizmit. Prandaj, me idetë, stilin dhe figurat poetike kam dashur të sjell, nëse mund të them kështu, një botëkuptim semiotik të poezisë sime, mbase si formulë magjike e frymëzimit në tri pamje.Pamja e parë: Liria. Pamja e dytë: Gjarpri. Pamja: Gjiri. 

Në esencë, libri “Plagomë” është prodhim lirik i prirjeve të poezisë imazhiste, i realizuar përmes sistemit të artit kombinatorik me një renditje kronologjike të figurave midis përfytyrimit dhe shpërfytyrimit, të cilat shqiptohen me titullin e përbashkët:”Liri me gjarpër në gji”.

Misteri dhe simetria përvijohen përbrenda një ideali krijues në prozën time poetike me titullin “Java e Shqipshkrimdhembjekrijimit”. Në rruzullimin e ndjenjave dhe mendimeve shtatë ditët e javës e kanë një pikë referimi: krijimin e dhembjes për shkrimin shqip, i cili perceptohet me stilin e mbijetesës. Kështu e kam perceptuar gjendjen e përjetuar apo katarsisin e trishtimit. Citoj:” E shtunë: Mezi pres gazetën e ndaluar.Rilindja e okupuar. Postmodernistët shkruajnë në librin-projekt “Mjerimi i atdheut”, ese për lirinë e robëruar”.

Kështu misteri udhëhiqet nga ndjenja e trishtimit, ndërsa simetria, kësaj radhe, ka ndjekur vetëm një rregull. Është rikthyer paradoksalisht në asimetri.

18. Numri 3 është numër religjioz (kristian), ndërsa poezia juaj nuk është e tillë.Pra, cili është raporti mes poezisë tuaj dhe religjionit?

-Poezia ime nuk ka të bëjë me ndonjë dimension të përcaktuar të doktrinave religjioze.Numri 3 është shumë i pranishëm në variantet dhe në versionet e ideve, motiveve, temave që i trajtoj. Përmes numrit 3, unë i bashkoj figurativisht idetë e mia përbrenda sistemit gjuhësor, të cilat e përcaktojnë domethënien e poetikës sime.

Ato mund të jenë në raporte pëlqimi apo kundërshtimi në teorinë apo aventurën time krijuese. Simbolika e numrit 3, në kuptimin e parë mund të lexohet përbrenda kodit të vet, si: Ati- Biri-Shpirti, apo rimarrje me idetë dheme figurat nga filozofia e krijimit të Dantes në “Komedinë Hyjnore”, mirëpo në esencë kam dashur t’i shqiptoj kryesisht arsyet filozofike, psikologjike dhe estetike të frymëzimeve të mia në këto relacione: lindja- jeta- vdekja; mëngjesi- mesdita-mesnata; ferri- purgatori- parajsa; trupi- shpirti- mendja; qielli- toka- drita etj. Pra, me zgjidhje të ndryshme poetike kam provuar të bëjë bashkimin i tri elementeve të afërta apo të skajshme për të prodhuar një mesazh me magjinë e gjuhës së poezisë.

Edhe në sistemin tim poetik në veprat me poezi, pra numrin 3, në kuptimin e Trinisë sime krijuese, e kam përdor shumë shpesh. Libri im me poezi “Plagomë” është ndarë në tri kaptina:Liri/Me gjarpër/Në gji, pastaj  libri tjetër “Dalje nga trishtimi”, gjithashtu është ndarë në tri cikle: Rikrijimi i vetmisë/Ëndrra/Lutja e fundit/. Gjithashtu, edhe libri “Bukuri e nëmur” (2006) është ndarë në tri pjesë: Kambanë zemërimi/Trajtat e pikëllimit/Lulja e Zezë. Edhe libri “Dorëshkrimi i ngjallur” është ndarë në tri pjesë: Elegjia e bekuar/Buzëgazi i ngjalljes/Lulja e Bardhë. Kësaj radhe, i përdora qëllimisht tri formulime karakterizimi: kaptinë, cikël, pjesë.

Po kështu, kam vepruar edhe në veprat e mia me prozë poetike: “Ëndrra në parajsë”, “Sytë e vetmisë “, të cilat janë të ndara në tri pjesë, ndërkaq vepra tjetër “Rruzullimi i zjarrit” është ndarë në nëntë kaptina: Uji, Toka, Qielli, Fryma, Ringjallja, Zjarri, Rruzullimi dhe Parajsa.

Shumë poetë të njohur botërorë përmes artit të tyre kanë kërkuar ta ndërrojnë apo ta përmbysin kuptimin e realitetit kur formësohet e shformësohet në vetëdijen e tyre krijuese: si shenjë, si simbol, si lajtmotiv, si kujtim, si mallëngjim, si ngushëllim.

19.  Një nga librat tuaj përmban 333 poezi. Pse pikërisht kaq?

-Umberto Eco ka thënë:”Gjithçka që njihet ka një numër: pa numrin nuk do të ishte e mundur të njihej a të mendohej çfarëdolloj gjëje”.

Libri im me poezi të zgjedhura, të cilin e kam pagëzuar “Dhembja e Bekuar”, përbëhet nga 3 studime, 33 mendime kritike për poezinë time dhe gjithsej i ka 333 poezi

Pse e kam përdor numrin 3 në tri variante kërkimore dhe krijuese, është vetëm një lojë e imja poetike me idetë dhe figurat, me qëllim të shkallëzimit të një sensibiliteti të poezisë lirike në bashkëpërjetim edhe me mendimin kritik. Më magjeps kjo lojë e admirueshme me imagjinatën dhe, në fakt, është një “rebelim” imi i çuditshëm me emocionet e çastit dhe me të panjohurat e jetës, të cilat kërkoj t’i ndryshoj midis të rëndomtës dhe të parëndomtës, midis përfytyrimit dhe shpërfytyrimit, midis reales dhe irreales, për të karakterizuar një fiksion dhe një model, i cili përplaset përbrenda botës sime, si figura në lëvizje të sajuara me elementet e artit kombinatorik.

Konceptimi i librit është i qëllimshëm, si sprovë e lirizmit asociativ: 333 poezi e ndërtojnë një botë lirike për të dashurit e mi, pastaj për vendlindjen, për ambientin rural dhe për ambientin urban, ku frymojnë edhe tema të tjera, siç janë: liria, dashuria, kujtimet, ëndrrat, stinët, vetmia, dhembja, trishtimi, zjarri etj.

Përmes poezisë dëshiroj të dal nga situatat e mitizuara, nga ajo legjenda e kujtimit midis ëndrrës e zhgjëndrrës, midis realitetit e fiksionit, midis situatave të zakonshme dhe të pazakonshme, midis jetës e vdekjes, për të sprovuar një parim krijues me ide, vargje dhe imazhe simbolike të numrave: 3, 33, 333.

Përmes poezisë dëshiroj t’i gjej pikëtakimet e vetmisë dhe të dhembjes, të fatit dhe të fatalitetit, të etikës dhe të estetikës, të motivuara përbrenda fanitjeve refleksive në kohën dhe hapësirën e vet. 

Sistemi poetik i shenjave e zvogëlojnë dhe e zmadhojnë Jetën, Dritën dhe të Vërtetën në poezinë time. Shumica e ideve i nënshtrohen një kodi ligjërimor, i cili i shtreson preokupimet krijuese nga niveli figurativ në nivelin stilistik.

20. Përveç poezisë, keni shkruar edhe prozë poetike. A mos është kjo një shenjë për kapërcim në domenin e prozës? 

– Në veprën time të tretë me poezi me titullin “Plagomë” e kam botuar një cikël me prozë të rimuar poetike, në të cilin janë trajtuar tema dhe ide të reja. Ndërkaq, me veprat “Ëndrra në parajsë”,  “Sytë e vetmisë” dhe “Rruzullimi i zjarrit”, besoj se e kam sublimuar me sukses ndjeshmërinë time lirike për të treguar diçka të bukur që u pëlqen edhe të tjerëve.

Përcaktimi im për prozën poetike ndërlidhet me konceptin e pikëpamjeve të reja krijuese, në të cilat “durueshmëria” e larmisë kuptimore të motiveve dhe temave, në radhë të parë, mund të shpjegohet si kërkim i projektuar midis modernitetit dhe postmodernitetit, kur kam insistuar në adhurimin tim që të luaj me gjuhën, figurat, stilin etj.

Përmes prozës poetike kam dashur ta zbërthej më shumë kodin gjenetik të frymëzimeve të mia, duke e përcaktuar udhëtimin më pasionant në trupin e temave erotike. Për këtë arsye, nuk e di sa kam mbërritur ta fuqizoj praninë e kohës reale dhe të kohës imagjinare përbrenda intensitetit të përjetimit, kur i kam trajtuar fenomenet esenciale apo të rastit, të cilat në një mënyrë ndërlidhen me tre përbërës kryesorë në prozën time poetike, siç janë: ëndrra- si ëndërr në parajsë, sytë-si sytë e vetmisë, rruzullimi-si rruzullim i zjarrit.

Në prozën time e kam ndjekur personalizimin e emocioneve të mia, ato të çastit e të rastit, në trajtë poetike të çuditshme të shpërthimit të situatave, të cilat e prodhojnë shumëkuptimësinë e shenjave të kapërcimit të elementeve ligjërimore nga poezia në prozë.

21. Në poezinë tuaj vërehet një përkushtim ndaj dashurisë. Sa e kanë frymëzuar femrat poezinë tuaj?

-Është një previlegj i jashtëzakonshëm për poetin përkushtimi shpirtëror e krijues ndaj temës së dashurisë. Dëshiroj që gjithmonë në krijimtarinë time ndjenja erotike të mbetet thelbi i poezisë sime. Është pasion dhe virtyt i ligjërimit tim.Mendja, shpirti, ndjenja, përjetimi, të gjitha të përfytyruara dhe të sistemuara përbrenda kategorisë estetike të së bukurës i referohet dashurisë. Poetëve u takon që të ëndërrojnë dhe të meditojnë gjithnjë për të bukuren. Mua gjithmonë më ka pëlqyer ta artikuloj poetikisht botën e dashurisë së shqetësuar, bashkë me vetminë e shtegtimit të shpirtit.

Zanafilla e çdo dashurie, në radhë të parë, mbështetet në pëlqyeshmërinë e virtyteve njerëzore. Kur flas për dashurinë në poezinë time mendoj se aty ka hyrë gjithmonë  bota e saj, shikimi, ëndrra, pritja, shqetësimi, vuajtja, xhelozia, kujtimet, pagjumësia, magjia, urrejtja, trishtimi, dhembja, guximi, frika, shpresa, etj.

Nëse dua t’ua rrëfej imagjinatën  e dashurisë në trokitjet e shpirtit, atëherë mund t’i përmend edhe kopshtin e vendlindjes sime, letrat e dashurisë, çantën e gjimnazit, ujin e kroit të Kijevës, liqenet e  Mirushës, shëtitjet buzë Drinit të Bardhë,Prishtinën e robërisë, Prishtinën e lirisë etj. 

Deri më tani sikur këto ishin figura dhe përjetime turbulluese në mendjen time, të cilat më në fund, në këtë rast, u zgjuan bashkë me mallin për kohën e shkuar.

E zgjodha këtë mënyrë për t’i thënë mendimet e mia, natyrisht për të arritur vetëm një efekt estetik në kujtesën time dhe për të njohur lexuesin me kohëzgjatjen e mbamendjes së kujtimeve, madje sikur po kam dëshirë të rrëfej tani për një botë të vërtetë të rikthyer në imagjinatë .

Një mik imi, poet para disa vjetësh më kërkoi ndjesë, edhe pse i kishte lexuar të gjitha veprat e mia me poezi, nuk kishte hetuar se në to kishte aq shumë erotikë. Një ditë më tha, pasi i rilexoi poezitë e mia: “Kam humbur përfundimisht në rrugëtimin e erotikës tënde magjike”. Sikur tani më mungojnë parashikimet e vonuara të mikut tim për praninë e erotizmit në poezinë time.

22. Thuhet se letërsinë e frymëzon e keqja më shumë se e mira. Te ju a ndodh kështu?

-Çdo gjë fillon në krijimtarinë time me konceptimin e lirisë, si meditim filozofik, si krenari kombëtare, si portretizim i shëmbëlltyrave, si jetëshkrim i idealeve.

E keqja e ka botën e vet, sikundër që e ka edhe e mira.Ëndrrat dhe kujtimet mund të jenë të mira dhe të këqija.Harresa dhe kujtesa për to nuk mund të jetë e njëjtë. Poetët edhe jetën, por edhe vdekjen në veprat e tyre e kanë trajtuar me figura të bukura, prandaj në këtë rrafsh kufijtë e ligjërimit mund të perceptohen  deri në pafundësi, kur flitet apo kur shkruhet për këto dy kategori estetike.

Përmes poezisë sime kërkoj ta gjej gjenezën e një shqetësimi krijues E keqja, trishtimi, vuajtja, dhembja, melankolia, tragjikja janë shumë të pranishme në poezinë time. Koha, ngjarjet, fati, sikur e kanë përcaktuar dimensionin e së keqes, në ballafaqim me të mirën.

Idenë e së mirës filozofi i madh antik Platoni e ka lartësuar të parën përbrenda konceptit të tij krijues e filozofik, ndërkaq Umberto Eco ka thënë se “shekulli i barokut shpreh një bukuri përtej së mirës dhe së keqes”.

E keqja e pakufishme është gjithmonë e dhembshme përbrenda labirintit të çdo krijimi.E mira është misioni i dashurisë. Prandaj, mua nuk më pëlqen mendimi i Kantit kur ka thënë se “e mira do të ngadhënjejë në botën tjetër.

23. Shpesh i ktheheni fëmijërisë. E konceptoni atë si një parajsë të humbur, apo si?

-Fëmijëria zë një vend të veçantë në krijimtarinë time poetike.Është një mall i pambaruar dhe i pashpjegueshëm, i cili shqiptohet me madhështinë e ëndërrimit dhe të përjetimit. Nuk mund të çlirohem lehtë nga ndjenja e dashurisë dhe e admirimit për botën e fëmijërisë sime, ndonjëherë edhe të pajetuar, kur e kujtoj përqafimin e nënës, borën e parë, shiun e pranverës, cicërimën e zogjve, emrat e njerëzve të mi të dashur apo edhe frikën nga gjarpërinjtë, zërin e kukuvajkës, natën pa hënë.

Prania e ambientit të fëmijërisë, pothuajse, është e përhershme në poezinë time.Është një rimarrje e përmallimeve që e rrisin pasionin për t’i kujtuar dilemat e jetës dhe të ekzistencës.

Unë nuk e kam ndryshuar stilin tim në trajtimin e fenomeneve që kanë të bëjnë me fëmijërinë.Në veprën time “Plagomë” paraqitja e fëmijërisë sime i ngjan një dramë lirike, në të cilën aktet, veprimet, situatat, trajtohen me figurat konceptuale: mall, kujtim, hidhërim, dashuri.

Tashmë rikthimi në botën e fëmijërisë e ka përbrenda një ngacmim të nostalgjisë për të dëshmuar kryesisht me figura përshkruese poetike, madje si shenja që e provojnë retrospeksionin me një ligjërim të zjarrtë në një hapësirë të ngulitur me ide dhe imazhe, në një rend metaforik në një rend metonimik, siç do të bënin postmodernistët.

Fëmijëria tashmë më kujtohet bashkë me imazhin, konceptin dhe dashurinë që e kam krijuar për të. Prandaj, duke e gjurmuar “fundin e fëmijërisë” në vendlindjen time, jo rrallë kam menduar se “arti e imiton jetën”, duke e rrënuar mitin e teorisë së postmodernizmit se “imazhi është imitim i rremë i realitetit”. Për më tepër, udhëtimi im në botën e fëmijërisë e shënon mungesën e një përjetimi në kujtesën e ngjallur të realitetit.

Është e vërtetë se fëmijëria në poezinë time perceptohet edhe si parajsë e humbur. Besoj se fëmijëria është pjesa më e dashur për poetët, sepse kur shkruhet për të, pëlqehet edhe nga lexuesit. Ashtu mendoj  kur i rikthehem edhe kohës së rinisë. Aty thuren dhe shthuren ëndrrat e jetës.

Orhan Pamuk ka thënë: “Shkruaj për ta ndjekur atë lumturi fëmijërore dhe për këtë arsye, letërsia dhe të shkruarit janë pandashmërisht të lidhura me lumturinë, apo me mungesën e saj, moslumturinë”.

24.  Ju e trajtoni luftën nga një kënd personal. Sa e ka ndryshuar lufta jetën dhe poezinë tuaj?

– Lufta e ka ndryshuar Kosovën. Tashmë ndjenja për lirinë është realitet, pas një ballafaqimi me gjenocidin serb. 

Në tri veprat e mia me poezi të botuara pas vitit 1999, si dhe në dy veprat e mia me proza poetike, ndër të tjera, e kam trajtuar temën e luftës. Jo rrallë më duket se frymëzimet e mia, të nxitura nga shkaqet e dhembjes dhe të pësimit nga pasojat e luftës, të cilat ndërlidhen me djegien e Bibliotekës dhe të dorëshkrimeve, janë paraqitur me imazhe dhe situata të çuditshme dhe tronditëse.

Trajtimi i temës së luftës në vepra të ndryshme të shkrimtarëve botërorë është detyruar t’i nënshtrohet edhe heroizmit, edhe tmerrit. Poezia ime e ka përbrenda deshifrimin e qëndresës dhe të  mbijetesës, por edhe përmasën kobndjellëse të fatkeqësisë, atëherë kur nuk më mjaftonte vetëm kureshtja për ta zbuluar zanafillën e dhembjeve të dokumentuara.

25. Në poezinë tuaj kritikët kanë vërejtur një lloj historie kombëtare të filtruar në prizmin personal.  Sa është “historike” poezia juaj?

-Në poezinë time i kam trajtuar poetikisht fenomenet e historisë, kur e kam shkruar llojin e poezisë së qëndresës apo të rezistencës, por edhe kur e kam shkruar tipin e poezisë ironike. Historikja në poezinë time nuk është mistifikuar, glorifikuar, as mitizuar.Pamja e poezisë sime e ka përbrenda  historinë, traditën, identitetin.

Në esencë, historia kombëtare për çdo krijues është burimi i frymëzimeve të tij, varësisht nga cili dimension vështrohet apo trajtohet. Më pëlqen gërshetimi i lirikës me epikën për të prodhuar një dramaticitet të ligjërimit, i cili e kërkon çastin tjetër të receptimit. Këto shenja mund t’i gjeni në të gjitha librat e mi të poezisë.Megjithatë, mendoj se këto shenja janë fuqizuar më së miri në veprat e mia me prozë poetike, sidomos në rrafshin kuptimor dhe stilistik.

I çmoj dhe i vlerësoj idetë dhe tematikën e mbështetur në realitetin historik, mirëpo realiteti ekzistues është lakmia ime krijuese.

26.  Tash, pasi keni shkruar disa libra me ton tragjik e pesimist, a pritet të ndryshojë kursi i poezisë tuaj, apo ajo përherë do ta ruajë tonalitetin tragjik të saj? 

-Veprat e mia me poezi kanë ngarkesë të veçantë figurative që e prodhojnë në titujt e tyre me përmasën e një lloj pesimizmi apo të tragjizmit: “Albumi i grisur, “Zogu me profil vjeshte”, “Plagomë”, “Dalje nga trishtimi”, “Bukuri e nëmur”, “Dorëshkrimi i ngjallur”.

Tragjizmi dhe pesimizmi ndërlidhen edhe me rrethanat sociale dhe psikologjike, ndërsa në procesin krijues ndjeshmëria e këtyre dy elementeve shfaqet përbrenda paradoksit të vet.

Realiteti i kaluar, i cili tashmë mund të vlerësohet si realitet historik e ka përbrenda dimensionin e pesimizmit dhe të tragjikës, të fatit e fatkeqësisë, prandaj edhe poezia ime ka relacione motivore e tematike me të ndodhurat e këtij realiteti, në kuptimin e trajtimit të qëndresës dhe të mbijetesës.

Tonaliteti tragjik mund të jetë i pranishëm në vepra të caktuara, pikërisht me përmbajtjen që ofrojnë ato. Ikja tematike nga trajtimi i pesimizmit dhe i tragjikës në letërsi varet nga shumë faktorë letrarë, por edhe jashtëletrarë.

27. Me kalimin e kohës e ndjeni që po shterohen idetë, apo që, përkundrazi ideja prodhon idenë dhe poezia e lind poezinë?

– Jo nuk e ndjej shterjen e ideve. Përkundrazi. Idetë mund të jenë qëllimi dhe aspirata e mendjes njerëzore edhe kur ato janë në pozicionin e shenjuesit apo të shenjuarit.Pesha kuptimore e ideve varet nga e mundshmja dhe e pamundshmja e realizimit të tyre.

Idetë e lëvizin botën, kanë thënë filozofët. Realitetin  që e kam përjetuar përpiqem ta strukturoj përbrenda fuqisë së paraqitjes në aktin tim krijues. Krijuesi e kërkon atë që nuk është në realitet për të zbuluar fshehtësinë e qëndresës së imagjinatës së vet. Imagjinata prodhon pamje të ekranizuara në mendjen e krijuesit, ndërsa ndjenjat janë sytë e shpirtit të poetit. 

Krijimtaria ime më e dashur më ka mbetur peng i shpirtit tim në vendlindje, si një kujtesë e dorëshkrimeve të djegura dhe mallit të pambaruar për vendlindjen. Dihet fakti se poezia është mbërthim i imazheve përbrenda një situate që e kërkon shpjegimin apo porosinë e vet. Shfaqja e një koncepti poetik e synon edhe një ndërgjegjësim për krijuesin, në radhë të parë, një vetëdije për vetveten, siç do të thoshin filozofët, por edhe përqafimin e botëkuptimit estetik të artikuluar në prirjet e tij që në fillim sajohen si të përkohshme, por  që mund të mbesin edhe të përjetshme.

Është i vërtetë konstatimi që thoni se ideja e prodhon idenë dhe se poezia e lind poezinë.Nëse ekziston një rend simbolik i mendimeve dhe i figurave, letërsia gjithmonë është një përsëritje me dallime të ndryshme dhe me ngjashmëri të shumta. 

28. Nga çfarë disponimi shpirtëror udhëhiqeni derisa artikulimi i ideve të marrë trajtën e duhur?

Idetë e mia krijuese e përcaktojnë edhe stilin tim. Disponimi i poetit është hyrja në botën e krijimit, ballafaqimi me të panjohurat dhe dalja nga imagjinata. E kam krijuar përfytyrimin e tillë apo të ngjashëm, kur i kam trajtuar temat e ekzistencës dhe të mbijetesës apo edhe kur i kam shkruar tipat e poezisë erotike, meditative, sociale, deskriptive etj.

Poeti që si qenie njerëzore i takon botës reale me imagjinatën e tij e shpik botën irreale.Në këtë kontekst, gjuha poetike e ka fuqinë e saj vepruese për t’i artikuluar idetë në trajtën apo formën, siç synon poeti. Edhe gjërat e natyrshme apo të mbinatyrshme, të kapshme apo të pakapshme, të besueshme apo të pabesueshme, të ëmbla apo të trishtueshme e kanë një fiksim të memorizuar përbrenda disponimit të caktuar shpirtëror.

Është e qartë nëse në kujtesë mund të kemi edhe ngadalësimin apo shpejtësimin e imazheve për diçka të bukur apo të lumtur apo herën tjetër për diçka të mërzitur apo të pikëlluar, disponimi shpirtëror e krijon apo e funksionalizon botën e meditimeve për atë që ndjen dhe shprehet poeti.

Kur e kam shkruar librin e parë me poezi me titullin “Albumi i grisur”, në vitet 80-ta të shekullit të kaluar censura dhe autocensura ishin të pranishme në letërsinë shqipe, sepse vetë realiteti ekzistues ishte një lloj persekutimi i heshtur për lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Çastet e gëzimit dhe të kënaqësisë ishin të kufizuara, ndërkaq disponimi shpirtëror i poetit i nënshtrohej  jo gjithmonë aktit krijues, por më shumë veprimeve të mbikëqyrura nga faktorë letrarë dhe jashtëletrarë.

Edhe synimi im si dhe i poetëve të brezit tim, nuk ishte gjithmonë simbolika e tekstit për fjalën e thënë, por më shumë ironia e nëntekstit për fjalën e bukur, por të pathënë deri në fund. 

29.  Pas suksesit në zhanrin e prozës poetike, do ta braktisni poezinë, apo do të merreni me të dyja, njëkohësisht? 

-Kërkimi im në letërsi e ka vetëm një zgjidhje të vetme dashunuese dhe kjo është mbretëresha e arteve, pra poezia. Mirëpo, edhe proza poetike viteve të fundit më ka preokupuar shumë, pikërisht me disa mbindërtime idesh dhe figurash, të cilat nuk i kisha realizuar në poezi.

Prozë poetike kam shkruar dhe botuar para tridhjetë vjetësh. Atëbotë, në ato proza të pakta poetike e imagjinoja ”historinë e vogël” të dashurisë, të çasteve intime, madje duke i kapërcyer hapësirat boshe apo mungesën e përjetimeve bashkë me tërë ato çaste tjera dramatike të jetës krijuese.Disi e kam shtrydhur detajin për t’i ndërtuar situatat, tek e qëndisja me vargje shpirtin fisnik të së dashurës në shumë poezi konkrete.Mendoj se ato ndjenja dhe mendime i kam thelluar përbrenda peizazhit të dashurisë në shumicën e prozave të mia poetike.

Tashmë në dhjetëvjetëshin e fundit iu kam imponuar shumë lexuesve të mi, si dhe kritikës letrare me tri veprat e mia me prozë poetike. Derisa libri i parë është një dramë e brendshme shpirtërore, i cili e ka përbrenda ëndrrën e papërfunduar, udhëtimin me vdekjen apo aventurën e kërkimit të të ndodhurave dhe përjetimeve në vendlindjen time, libri i dytë është detyrimi im tjetër krijues ndaj vetmisë në rrethana dhe situata absurde për të braktisur mërzinë e saj, ndërkaq libri i tretë është një gjedhe tjetër për ta kuptuar rruzullimin e zjarrit tek ndriçon, pothuajse, në të gjitha shtigjet e jetës njerëzore. Libri im i ardhshëm me proza poetike do t’i ketë shenjat e esencës së jetës dhe të ekzistencës si klithje e një dashurie magjike, madje si përmallim për të ikur nga dhembja dhe heshtja.

30.   Nga cilët poetë mendoni se jeni ndikuar dhe si e shihni konceptin e ndikimit në letërsi? Sa është produktiv ndikimi? 

-Në vitin 2004 kur e kam vizituar studion e punës krijuese, dhomën-muze të Gëtës në Vajmar kam menduar më vete se poeti është qenie e mbinatyrshme, i cili shndërrohet në Figurë të Përjetshme.Ngjashëm më ka ndodhur kur kam hyrë në kafenën e Xhojsit në Dublin, por edhe në shtëpinë-muze të Emily Dickinson në Amherst apo kur kam vënë lule të bardha mbi varrin e Lasgush Poradecit, apo kur kam marrë kumtin në Shëngjin për vdekjen e Ali Podrimjes.

Kam menduar se mbase do të ndikohem nga udhëtimi i jetës së tyre krijuese përbrenda botës së artit, duke paragjykuar se madhështia e shëmbëlltyrave krijuese i gjason njëra-tjetrës. Kështu do të mund të kuptohej procesi i ndikimit, sipas dëshmisë apo edhe sipas imagjinatës së poetit.

Përmasën e realitetit me imagjinatën për shkrimtarët dhe personalitetet e mëdha kombëtare dhe  botërore, i kam krijuar kur e kam lexuar për herë të parë epin kombëtar  “Lahuta e Malcis” të Fishtës, “Poemin Kosovar” të Kutelit, esetë e Konicës, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, autobiografinë e At Zef Pllumit etj., pastaj kur e kam lexuar “Tokën e shkretë” të Eliotit, “Procesin” e Kafkës, romanet e Servantesit, “Makbethin” e Shekspirit, “Komedinë Hyjnore” të Dantes, poezitë e Bodlerit, tregimet e Borhesit, romanet e Markezit, esetë e Ecos etj. 

Kam menduar se të gjithë shkrimtarët kanë synuar gjithmonë ta ndërtojnë një të tashme për të ardhmen e njerëzimit. Prandaj, me leximin e shumë veprave të shkrimtarëve botërorë, sikur mendoja për vizionin e një bote harmonike, siç do të thoshte Czeslav Milosz.

Për konceptin e ndikimit në letërsi mund të them shkurt e qartë: Unë jam ndikuar nga të gjitha ato vepra të shkrimtarëve që i kam lexuar deri më tani dhe nuk jam ndikuar nga asnjëra vepër e tyre.

Pra, ndikimi dallon nga adhurimi, siç dallon e madhërishmja nga e bukura apo përjetimi anakronik nga përjetimi modern apo realiteti i jetës me realitetin e luftës. Poetët duhet ta gjejnë arsyen për t’u ndikuar, si dhe arsyen për të adhuruar krijimtarinë e autorëve të mëdhenj, të cilët në një mënyrë e formësojnë ndjenjën e pëlqimit të krijimtarisë së tyre.

31. Jeni një ndër poetët më të përkthyer shqiptarë. Si ndiheni kur kuptoni që po ju lexon edhe publiku i huaj? 

– Është një ndjenjë dhe kënaqësi e veçantë kur të përkthehet poezia në gjuhë të ndryshme të botës. Peng të mirënjohjes sime janë shumë përkthyes të njohur, duke filluar nga Robert Elsie, Frederique Duversin, Hans Joachim Lanksch,Gunnar Barkenhammar, Denica Veleva, Hristo Petreski etj., si dhe përkthyes shqiptarë: Baki Ymeri, Muhamed Mufaku, Mazllum Saneja Avni Spahiu, Naim Kryeziu, Ahmet Selmani etj.

Ndihem shumë i lumtur kur për poezinë time thuhen fjalë të mira, prandaj sikur e krijoi një besim më të madh në vetvete për tërë ato mendime inkurajuese për të vazhduar procesin krijues në hulumtimin e vlerave letrare.

Thomas Stërns Eliot ka thënë: “Të shijosh poezinë që i takon një gjuhe tjetër, do të thotë të shijosh mirëkuptimin e atij populli që i takon ajo gjuhë”.

32. Janë bërë shumë vlerësime për poezinë tuaj, nga shqiptarë dhe të huaj. Sa mendoni se kanë arritur ta zbërthejnë shpirtin tuaj?

-Kam kënaqësi të them se gjenerata ime poetike me poetët Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Adem Gashi, Basri Çapriqi e ndonjë tjetër, ka sjell rezultate të rëndësishme në letërsinë bashkëkohore shqipe, pikërisht me idetë, ligjërimin, stilin, gjuhën e poezisë, mbi të gjitha, me ironinë intertekstuale. Megjithatë, edhe pse edhe tani është mjaft aktive me vlerat e saj, ende nuk e ka zënë vendin e merituar në poezinë shqipe, fjala vjen, siç e ka gjenerata e viteve ’60 apo ajo e viteve ’70 e shekullit të kaluar. 

Vlerësimet objektive dhe afirmative kanë rëndësi për poezinë e një poeti, i cili synon të hyjë dhe të mbetet në panteonin e letërsisë së kombit të vet. Vlera letrare është përcaktuesi kryesor për të hyrë dhe mbetur në rrjedhat dhe zhvillimet e letërsisë kombëtare. Poezia ime është mirëpritur në disa gjuhë botërore, sidomos në gjuhën rumune, frënge dhe bullgare, por edhe në disa gjuhë të tjera. Dua të përmend disa prej studiuesve dhe shkrimtarëve ndërkombëtarë që kanë shkruar për poezinë time: Ivane Kotchli, Rusana Bejleri, Stephan Sigg, Dan Anghelescu, Marius Chelaru, Florentin Popescu, Gunnar Barkenhammar, Ilie Olaru Delavulpeşti, Emmanuel Hiriart,Vasil Toçinovski  etj. Në mesin e shumë studimeve për veprat e mia letrare dhe shkencore, dëshiroj t’i dalloj disa prej tyre, siç janë: mendimet Ali Podrimjes në parathënien e veprës sime “Ndiz dritën magjike”, të Rifat Ismailit në parathënien e librit tim “Jetë me vdekje”, të Osman Gashit në parathënien e librit tim “Studime letrare”, të Luan Topciut në parathënien e librit bilingv rumanisht-shqip për poezinë time. I përmenda vetëm këta autorë, duke  iu mbetur “borxh”  edhe shumë studiuesve dhe kritikëve të tjerë, të cilët kanë dhënë mendime të çmueshme dhe profesionale për krijimtarinë time.

Kanë thënë të tjerët se ta zbërthesh shpirtin e poetit është një ndjesi e zbulimit të botës së tij lirike. E ardhmja i takon aktit të  ligjërimit postmodern kur e përqafojmë mendimin se poezia është  një krijim intertekstual, prandaj për të  vlerësuar përmbajtjen e saj apo për të zbërthyer shpirtin e poetit, ju propozoj që  t’i lexoni ligjëratat e  Borhesit, që ta kuptoni kohën dhe hapësirën e imagjinatës njerëzore përbrenda halucinacioneve të krijimit, duke filluar nga kujtimet e tij në vendlindje, në kopsht dhe në bibliotekë, në ambientet e Tukumanit të Buenos Ajresit. 

33. Meqë jeni edhe studiues, si e shihni poezinë shqipe në perspektivë?

– Letërsia shqipe në Kosovë ka nevojë të ketë një afirmim dhe vlerësim objektiv, në radhë të parë, përbrenda perspektivës së vet kombëtare, pastaj të asaj ndërkombëtare.Afirmimi i vlerave të një kulture apo një letërsie është e ardhmja e atij kombi. 

Poezia shqipe ka poetë që mund të përfaqësojnë vlera europiane, mirëpo nevojitet nxitje, përkrahje dhe mbështetje institucionale në botimin dhe promovimin e veprave të tyre brenda dhe jashtë vendit.

Nëse në shekullin XXI një letërsie kombëtare i mungon ende historia e letërsisë së vet, e shkruar sipas kritereve shkencore dhe profesionale, atëherë komentet për mungesën e saj, pa dyshim,

 janë të tepërta.

E parapëlqej mendim e Herman Heses, i cili e kishte vazhduar “betejën e tij kundër mikrobeve të shpirtit në fushën e letërsisë”.

(Prishtinë, 17 shkurt 2013)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img