Lufta kundër informalitetit ka hyrë në fazën e dytë. Pas aksionit të identifikimit të bizneseve informale dhe pajisjes me kasa fiskale, i cili nisi në shtator, fillimi i prillit shënon një fazë të re të kësaj lufte.
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot fazën e dytë të aksionit kundër informalitetit në ekonomi. Rama tha se pas suksesit të fazës së parë, e cila futi në binarët e ligjit funksionimin e biznesit, faza e dytë do të jetë një hap tjetër drejt një ekonomie që funksionon siç duhet.
Rama tha se faza e parë e aksionit nuk nisi në shtator, por u përgatit që në ditët e para të punës së qeverisë së majtë.
“Nuk e nisëm operacionin kundër informalitetit në shtator. Atëherë ne çelëm një betejë të hapur në çdo hapësirë ku zhvillohet një biznes i madh ose i vogël. Ne e përgatitëm këtë operacion që ditën e parë. Në shtator ne na u krijua terreni për të hapur këtë betejë në front të gjerë. Duhet të kuptojmë se formalizimi është një e mirë e përbashkët dhe informaliteti është një sëmundje që na prek të gjithëve pa përjashtim. Sot jemi në kushtet e reja kur kemi siguruar që çdo biznes të jetë i regjistruar dhe të ketë kasë fiskale. Mosdeklarimi i punonjësve është krim. Ne mundësuam që të krijojmë kushtet që inspektimi tatimor të jetë shumë më racional dhe shumë më i kontrolluar. Ne kemi rezultate inkurajuese të kësaj beteje kundër informalitetit të arritura pa kontrolle abuzive mbi sipërmarrjen. Ajo që ka filluar të bëjë diferencën është ndërtimi i një truri elektronik në sistemin tonë fiskal, i cili është një ndihmë e pazëvendësueshme. Për herë të parë ne siguruam krijimin e urave të ndërveprimit online mes tatimeve dhe doganave jo më përmes shkresash dhe ecejakesh që u përkthyen për vite të tëra në abuzime në kurriz të biznesit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh më tej se falë operacionit kundër informalitetit, nga tatimet u mblodhën 20 për qind më shumë të ardhura se një vit më parë.
“96 milionë dollarë më shumë se objektivi vetëm nga tatimet. Jemi thuajse mbi 20 për qind më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Muaji mars u mbyll me një realizim objektivash nga të dy administratat me rritje”, tha Rama.
“Të ardhurat për 3-mujorin e parë të vitit janë përtej parashikimeve, në 3 muaj kemi arkëtuar rreth 100 milionë dollarë më shumë, kemi regjistruar një rritje të ndjeshme në produktet e akcizës, falë rezultateve zeruam taksat për rreth 83 mijë biznese të vogla. Jemi duke mbyllur përfundimisht shtigjet e kontrabandës”, shtoi ai.