Nisja e një objekt të ri shkollor gjatë këtij viti dhe renovimi i një tjetri janë paralajmëruar të enjten nga drejtuesit e arsimit ferizajas.

I pari i drejtorisë së Arsimit, Muhamet Halili, ka thënë se komuna ka përfituar dy projekte të rëndësishme, duke përmendur me këtë rast projektin për Shkollën e Mesme Teknike “Pjetër Bogdani”, një donacion i Agjencionit Austriak për Zhvillim në vlerë prej 100 mijë euro, kryesisht në furnizim me pajisje për laboratorët e kësaj shkolle si dhe një donacion prej 400 mijë euro për renovimin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Jeronim de Rada” nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së, përkasisht ushtrisë amerikane në Visbaden të Gjermanisë.
“Donacioni austriak ka të bëjë me investimet në pasijet për punën praktike në këtë shkolle, ndërsa renovim i shkollës përfshinë hapësrirat e brendshme dhe të jashtme të kësaj shkolle në vlerë prej 400 mijë eurove”, ka thënë Halili.
Duke u ndërlidhur me investimet kapitale për këtë vit në fushën e arsimit, drejtori Halili, ka përmendur disa projekte që tashmë ndodhën në fazën e përgatitjes dhe bazuar në dinamikën e realizimit ato do të kryhen në afatet e parapara. Ndërsa lidhur me projektin e nisjes së një objekti të ri shkollor, ai ka thënë se bëhet fjalë për një shkollë të mesme, që do t’i dedikohet Gjimnazit “Dr.Shaban Hashani”.
“Në bazë të projektit që e kemi, na duhet një shkollë e mesme. Kemi planifikuar që përmes mundësive buxhetore dhe përkrahjes së MASHT-it, ne do ta fillojmë ndërtimin e objektit tek komplkesi ku është bujqësia dhe gjimnazi apo tek shkolla ekonomike. Do të jetë shkollë e mesme kryesisht për gjimnazin”, ka potencuar Halili.
Për më tepër nga kjo drejtori u bë me dije se të gjithë mësimdhënsit që janë pensionuar e që nuk kanë pasur mundësi që ta gëzojnë pensionin e plotë për shkak të përvojës do të pajisen me dokumentacionin përkatës që do ta marrin në shkollat ku kanë punuar dhe mëpastaj do ta procedojnë në DKA.
“Afërsisht janë 200 mësimdhënës që do ta gëzojnë këtë të drejtë”, ka thënë Halili.
Ndryshe, gjatë kësaj konference drejtori Halili, ka paraqitur edhe një raport tremujor të detajuar me të gjitha aktivitetet që e ka zhvilluar ky deparatment duke përmendur aspekte që lidhen me organizimin e procesit mësimor, sigurinë, garave në nivel komunal dhe atij vendor si dhe përgatitjet që po bëhen për testin e arritshmërisë.