25,12,2024

2 vite e 3 muaj burgim dhe 600 euro gjobë ndaj zyrtarëve të Drejtorisë për Migrim dhe pjesëtarëve të FSK-së

Must Read

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpall aktgjykim dënues ndaj akuzuarve Maxhun Maloku, Fadil Rexhepi, Enver Franca, Remzi Bislimi dhe Razim Berisha, duke i dënuar me 2 vite e 3 muaj burgim.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të hënën nga gjykatësi Sahit Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Maxhun Maloku për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 4 muajve.

Po ashtu, Maloku, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, u dënua me burgimi në kohëzgjatje prej 4 muajve.

Ndaj të njëjtit, gjykata shpalli dënim unik në kohëzgjatje prej 6 muaj burgim.

I akuzuari Fadil Rexhepi për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 5 muajve, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Enver Franca për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 muajve.

Po ashtu i akuzuari Franca, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-ës, u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 muajve.

Ndërsa, për veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, i akuzuari Franca u dënua me gjobe në lartësi prej 600 euro.

Ndaj të njëjtit gjykata shpalli dënim unik në kohëzgjatje prej 5 muaj në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, dhe dënim me gjobë në lartësi prej 600 euro, të cilën gjobë i njëjti obligohet ta paguaj në afat prej 15 dite pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

Tutje, sipas aktgjykimit i akuzuar Remzi Bislimi për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 5 muajve, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Ndërsa, i akuzuari Razim Berisha për veprën penale në vazhdim “Ushtrimi i ndikimit”, u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 4 muajve, dhe veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, dënim burgimi në kohëzgjatje prej 4 muajve.

Ndaj të njëjtit, gjykata shpalli dënim unik në kohëzgjatje prej  6 muajve, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrestin shtëpiak.

Të pandehurit janë obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 100 euro, si dhe shumën prej 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, në këtë aktakuzë Mehdi Gjoshi dhe Fatime Sabedini, akuzoheshin se kishin ndërmarrë veprime të ndryshme në falsifikim të diplomave, mirëpo, ndaj Gjoshit dhe Sabedinit, në seancën e 20 tetorit 2020, gjykatësi Sahit Krasniqi ka bërë veçimin e procedurës, pasi të njëjtit kanë pranuar fajësinë për veprat me të cilat ngarkoheshin në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas aktakuzës, i akuzuari Maxhun Maloku akuzohej se më 9 dhe 30 tetor, 12 e 17 nëntor 2014 si dhe 2 dhe 20 shkurt 2015, në Ferizaj, si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, ka shpërdoruar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin.

Në akuzë thuhet se pasi që zyrtarët e kësaj drejtorie kanë planifikuar operacionin për kontrollin e disa restoranteve në territorin e Komunës së Ferizajt, ku organizohej muzikë në orë të vona të natës, i pandehuri përmes telefonit mobil e kishte njoftuar të pandehurin Enver Franca, i cili pastaj e kishte njoftuar të pandehurin Razim Berisha dhe të pandehurin Remzi Bislimi, në mënyrë që t’i largojnë punëtoret të cilat nuk kishin leje të punës dhe të qëndrimit në Republikën e Kosovës.

Me ç’rast, i pandehuri Remzi Bislimi thuhet se i kishte larguar vajzat nga restoranti në mënyrë që të mos zbulohen nga zyrtarët policorë të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, me qëllim që të shpëtojnë nga gjobat dhe dënimet administrative dhe të mos dëbohen nga territori i Kosovës.

Me këtë, akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga nen 422, par.1 të Kodit Penal.

Maloku po ashtu akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit”, sepse sipas aktakuzës, më 13 nëntor 2014 si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar përfitim pasuror për vete nga personi Isa Sherifi, me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtarë në Drejtorinë për Migrim, në mënyrë që të mos dëbohet nga Kosova A.Sh.(femër), e cila kishte të shqiptuar masën e ndalimit për hyrje në Kosovë nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, por ishte hasur nga zyrtarët e drejtorisë duke punuar në restorantin “Kalaja ” pa leje pune. Kështu që ishte takuar me Enver Francën dhe Isa Sherifin në restorantin “Petrol Compani” në Fushë-Kosovë prej të cilëve ka kërkuar që t’ia lyejnë garazhin e veturës.

Maloku sipas dispozitivit III të kësaj aktakuze, po akuzohet se më 12 nëntor 2014, me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrje, kishte kërkuar nga i akuzuari tjetër Fadil Rexhepi, që të mos dënoheshin dhe të mos dëbohen nga territori i Kosovës, qytetaret e Republikës së Shqipërisë, të cilat ishin ndaluar nga policia dhe u ishin konfiskuar dokumentet e identifikimit, derisa ishin duke u kthyer nga restoranti “International Italia”, të cilin e menaxhonte i akuzuari Remzi Bislimi.

Me këtë, akuzohej se ka kryer në vazhdim veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga nen 431, par.1 të Kodit Penal.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Fadil Rexhepi, akuzohej se po ashtu se si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, më 12 nëntor 2014, ka keqpërdor detyrën zyrtare, pasi që me rastin e ndalimit të vajzave nga Shqipëria, të cilat punonin pa leje pune dhe pa leje qëndrimi nuk u kishte shqiptuar gjoba dhe masën e dëbimit nga territori i Republikës së Kosovës.

I njëjti, thuhet se më 21 nëntor 2014, si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të huaj ka keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të përfitimit pasuror për personat e tjerë, në atë mënyrë që me rastin e ndalimit të A.K. (vajzë) e cila punonte pa leje qëndrimi në lokalin “Matriks M”, nuk e kishte dëbuar nga Kosova pasi që kishte ndikuar një i afërm i tij me emrin K.K.(burrë) i cili punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Po ashtu, i njëjti thuhet se më 22 nëntor 2014 si person zyrtar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj ka keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të përfitimit pasuror për personat e tjerë, në atë mënyrë që me rastin e ndalimit të disa emigrantëve nga zyrtari policor, i pandehuri kishte urdhëruar lirimin e tyre pa i zbatuar procedurat e parapara me ligjin për të huajt në mënyrë që t’iu shqiptohen gjobat ose të dëbohen nga territori i Kosovës.

Me këtë, thuhet se në vazhdim kreu veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të KPRK-së.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

KESCO kërkon që të kursehet energjia elektrike: Gjatë natës ndalni kondicionerët, bojlerët e ngrohëset me rrymë

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka bërë apel gjithë qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike. Margarita Rashiti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img