Lajme

Zbardhen negociatat: Ja pika që mban ende pezull Reformën


Publikuar më:


Pas vizitës së zyrtares amerikane, Nuland, duket se palët kanë gjetur kompromisin për gjysmën e propozimit; ngritjen e komisionit ad hoc me përbërje të barabartë anëtarësh në Kuvend, propozim ky i hedhur që prej të premtes së kaluar nga PD-ja.

Partia Demokratike pritet të qartësojë sot qëndrimin e saj për propozimin, që shoqëroi vizitën e Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland, dy ditë më parë në Tiranë.

Negociatat dy ditore kanë vendosur përfundimisht ngritjen e një komisioni ad hoc me përbërje të barabartë anëtarësh në Kuvend, propozim ky i hedhur që prej të premtes së kaluar nga PD-ja, përmes nënkryetarit të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Oerd Bylykbashi.

Por, ajo për të cilën po negociohet, të paktën nga PD-ja, është roli specifik që do të kenë ndërkombëtarët në procesin e vetingut apo kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në propozimin e saj, PD-ja monitorimin ndërkombëtar e konsideronte thjesht “rojtar të transparencës”, ndërsa të drejtën e seleksionimit të kandidatëve ia ngarkonte një trupe prej tre gjyqtarësh të zgjedhur nga Kushtetuesja me short.

Ndërkohë, në variantin e diskutuar deri dje për të cilën ka rënë dakord PS-ja është që këtë rol të mos e ketë Kushtetuesja por ndërkombëtarët, me përfaqësues jo vetëm nga BE-ja, por edhe SHBA-ja.

Kjo u kuptua qartë dje edhe nga kryesocialisti Edi Rama pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.

“Thelbi, mësojeni, është jo se kush do mbushë me ujë shishet, por sa i pastër do jetë burimi prej nga vjen uji. Që do të thotë, si do të garantojmë që filtri i kandidaturave që pastaj i shkojnë Parlamentit të jetë i sigurt. E nëse filtri është i sigurt, për ne nuk ka asnjë problem tjetër”, – tha Rama për mediat.

Por kjo pikë mbetet për tu diskutuar nga pala tjetër PD-ja e cila i qëndron zbatimit komplet të pikës 88 të Opinionit të Komisionit të Venecias, që përcakton në fund të saj rolin që duhet të kenë ndërkombëtarët në këtë proces.

Në fund të paragrafit 88 të Venecias thuhet se kompetencat e vëzhguesve ndërkombëtarë duhet të qartësohen; ata duhet të kenë të drejta procedurale, por jo kompetenca vendim-marrëse.

Kjo është pika ku PD-ja kapet fort ndërkohë që paralelisht mësohet se po diskutohen edhe emrat që do të jenë pjesë e monitorimit ndërkombëtar.

Burime nga PD-ja thanë dje se negociatat janë fokusuar deri tek specifikimet se kush do të jetë tek ekipi monitorues.

Në diskutim deri mbrëmë vonë ka qenë vetëm kjo pikë, ndërkohë që një qëndrim përfundimtar pritet të merret sot.

Në anën tjetër, vetë Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland, dy ditë më parë jo pa qëllim specifikoi në fund të fjalës së saj se propozimi i ri është i bazuar në dëgjimin shumë të mirë që u ka bërë palëve ambasadori Lu dhe homologia e tij e Bashkimit Evropian.

Ky propozim, sipas saj, synon të kombinojë një nivel të duhur të monitorimit ndërkombëtar me një mbrojtje të fortë të sovranitetit shqiptar.

Prej kohësh zyrtarë të lartë të PD-së janë shprehur kundër vetingut nga ndërkombëtarët me argumentin se ajo cenonte sovranitetin e vendit.

Më i qartë në këtë drejtim ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli të cilët janë shprehur publikisht për këtë çështje në qëndrimet e tyre të mbajtura në Kuvend.

Edhe propozimi i fundit i PD-së në fakt e përjashtonte vetingun nga ndërkombëtarët duke u dhënë atyre një rol vëzhgues dhe këshillues por jo vendim marrës.

Jo pa qëllim edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha në daljen e tij për mediat menjëherë pas takimit me Nuland u shpreh se PD-ja nuk hiqte dorë nga zbatimi me rigorozitet i Opinionit të Komisionit të Venecias që ndër radhë në fakt ka nënvizuar edhe rolin e ndërkombëtarëve.

Deri mbrëmë vonë është negociuar për një zgjidhje të mesme.

Sot, gjithçka do të varet pikërisht nga kjo zgjidhje, që duket se është më afër kompromisit sa kohë që Basha e ka lëshuar sinjalin e parë.

Dje, në mbledhjen me ekspertët e PD-së, Basha i nxiti ata të punojnë me 7 ligjet e reformës që, në rast kompromisi, opozita të ketë gati qëndrimin e vet për ligjet.

Comments
To Top