28,03,2024

Vuçiqi për Trepçën, fushatë apo pretendime reale?

Must Read

6be86d42-fb68-4cc7-846b-8e7fcefaa49c-w1000-r1-s

Deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me kombinatin metalurgjik “Trepça”, nuk duhet marrë seriozisht dhe ato janë në funksion të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 24 prillit në Serbi, kanë deklaruar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri serb, Vuçiq, gjatë vizitës në disa reparte të kombinatit “Trepça” në Leposaviq, e ka cilësuar këtë kombinat si “boshti kurrizor i mbijetesës së serbëve në veri të Kosovës”, duke theksuar se Serbia do të investojë në të.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i ka cilësuar deklaratat e Vuçiqit jo serioze, siç ka thënë ai, “Trepça është pronë e Kosovës dhe e tillë do të mbetet”.

“Kam kërkuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe nga mediet, që të mos i marrin me seriozitet këto deklarata, të cilat janë deklarata elektorale. Ata janë në një kampanjë zgjedhore dhe si të tillë, ata bëjnë deklarata, të cilat vërtetë mund të konsiderohen edhe joserioze. Megjithatë, prona e Republikës së Kosovës është pronë e Republikës së Kosovës dhe ajo nuk do të diskutohet me askënd, as në Kosovë e as në Bruksel. Pra, është pronë e Republikës së Kosovës”, theksoi Gecaj.

Gjatë vizitës së tij, ditën e diel, në veri të Kosovës, Vuçiq, kishte thënë se Qeveria e Serbisë së bashku me udhëheqësit e Trepçës, do ta ruajnë këtë kombinat.

“Ne, së bashku me udhëheqjen e “Trepçës”, si shpresë e Serbisë, do ta ruajmë “Trepçën”. Do të shohim që të investojmë në të dhe në repartet që ju nevojiten dhe do të sillemi ndaj “Trepçës” sikurse ndaj të gjitha subjekteve tjera ekonomike në Serbinë qendrore”, ka thënë Vuçiq.

Ai edhe më parë kishte theksuar se do t’i drejtohet Brukselit që të ndërmjetësojë dhe të angazhohet që Trepça të mos shndërrohet në kompani publike e Kosovës.
Por, njohësi i zhvillimeve në Kosovë, Ibrahim Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e kryeministrit serb Vuçiq, nuk mund të shihen vetëm në kontekstin e fushatës elektorale.

Sipas tij, pretendimet e Serbisë janë shumë reale që kombinatin “Trepça” dhe të hidrocentralit të Ujmanit, nëse nuk mund t’i bëjë për vete, të paktën të ketë ndikim sa ma të madh në to, qoftë përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo edhe në forma tjera.

Rexhepi e vlerëson shqetësues qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, përballë deklaratave të Vuçiqit, që sipas tij shpërfaqin pretendimet reale të Serbisë.

“Ajo sikur nuk do që të merret me Vuçiqin, nuk do që të merret me aspiratat e Serbisë dhe me imponimet e vazhdueshme që çështja e Trepçës është çështje e negociatave. Gjithsesi që Serbia gjithmonë do të ketë insistime, do të ketë pretendime, jo vetëm për shkak të momentit politik – qoftë për shkak të zgjedhjeve apo negociatave- por, realisht, ato janë asete me vlerë , të cilat i krijon perspektivë atij vendi i cili i ka në menaxhim. Prandaj, problemi nuk është vetëm politik, por e ka edhe natyrën ekonomike”, tha Rexhepi.

Lidhur me deklaratat e Vuçiqit, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili ka theksuar se me Kushtetutën e Kosovës, sikurse edhe me Dokumentin e Ahtisaarit, mbi të cilën bazohet shpallja e pavarësisë dhe Kushtetuta e vendit, çdo gjë që është në territorin e Kosovës është pronë e Republikës së Kosovës.

Mustafa ka theksuar se lidhur me “Trepçën” nuk do të bisedohet në Bruksel. Kjo sipas tij është edhe arsyeja pse nuk po u jepet rëndësi deklaratave të Vuçiqit.

Rexhepi thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta mbajë qëndrimin që çështja e pronave të Kosovës të mos bëhet çështje për negociata, për shkak se shteti menaxhon me të gjitha resurset brenda kufirit të saj.

Sipas tij, në rast se çështja e “Trepçës” ose cilës do pronë të Kosovës do të hapej për negociata, kjo sipas tij, do të hapte një kapitull të ri.

“Nëse duhet të flitet për Trepçën, atëherë hapet edhe një problem tjetër: duhet të flitet edhe për vet sovranitetin apo shtrirjen e ndikimit të Qeverisë së Kosovës edhe në veri. Ajo nuk duhet të pranojë në asnjë mënyrë që të negociojë rreth resurseve që ndodhen në atë pjesë të vendit, qoftë edhe me kushtin se dështon procesi negociator”, tha Rexhepi.

Sidoqoftë, që nga ardhja në pushtet në Serbi e Slobodan Milosheviqit, e deri më sot, Kosova ka qenë temë, të cilën subjektet politike në Serbi e kanë shfrytëzuar në fushatat parazgjedhore dhe jo rrallë herë është vlerësuar se u ka sjellë edhe përfitime në vota nga elektorati serb. /rel/.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img