Lajme

Vendos kryesia e Kuvendit: Më 3 gusht – Debati për Demarkacionin


Publikuar më:


Seanca e radhës e Kuvendit mbahet më 4 gusht. Paraprakisht, më 3 gusht, mbahet tryezë profesionale-shkencore lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën përcaktoi rendin e ditës për seancën plenare të Kuvendit, e cila do të mbahet më 4 gusht.

Në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për performancën energjetike në ndërtesa dhe atë për mbrojtjen e fëmijës. Ndërkaq, për herë të dytë, do të shqyrtohet Projektligji për kundërvajtje.

Në vazhdim, do të shqyrtohen edhe tre raporte për vitin e kaluar: raporti vjetor i Qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2015, raporti i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2015, si dhe raporti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje.

Kryesia vendosi që Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, t’i dërgohet për rishqyrtim Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi dhe pas diskutimeve, miratoi kërkesën e Grupit të deputetëve të Kuvendit për organizimin e një debati profesional-shkencor mes komisionit shtetëror për Demarkacion dhe grupit të njohësve profesionist për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e Demarkacionit Kosovë-Mali i Zi. Kjo tryezë do të mbahet më 3 gusht, në mjediset e Kuvendit të Kosovës.

Kërkesa e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor që Qeveria ta hartojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-205, ndërkaq, iu dërgua qeverisë për mendim.

Para fillimit të mbledhjes së sotme, Kryesia nderoi me një minutë heshtje viktimat e sulmit të mbrëmshëm në Nicë të Francës, ndërsa nënkryetari Sabri Hamiti, njëherësh kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Francë të Kuvendit të Kosovës, lexoi një deklaratë, nëpërmjet të cilës dënohet ky akt makabër dhe u shprehen ngushëllime institucioneve e popullit francez./Lajm

Comments
To Top