20,04,2024

Vendimi për heqjen e vizave është sa teknik dhe politik

Must Read

Shkruar nga Hidajet Ahmeti
Çështja e vizave është më e prekshmja për popullatën, ndërsa përparësitë që sjell lëvizja e lirë nuk kanë çmim. Çështja e liberalizimit të vizave është një gjë shumë e rëndësishme, sepse ndërlidhet me shumë çështje praktike dhe nevoja të qytetarëve të vendit tonë.
Nga retorika shumëvjeçare për perspektivën evropiane më në fund qytetarët e Kosovës para pak javësh pranuan një lajm të shumëpritur dhe përnjëherë harruan të gjitha problemet që janë ballafaquar dhe do të ballafaqohen edhe në të ardhmen.Nuk mundë të kontestohet se rekomandimi për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës e në veçanti për shtetin e Kosovës, sepse Kosova është vendi i vetëm në rajon që është i izoluar.
Është dashur të ketë një informim më të madh publik rreth funksionimit të institucioneve të BE-së dhe procedurave për liberalizimin e vizave, nga institucionet të cilat janë të thirrura për këtë punë.Është përqindje vogël e opinionit publik që njohin këto procedura, pasi që nuk janë të informuar rreth funksionimit të institucioneve të BE-së.Në momentin që Komisioni Evropian dha rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, pjesa më e madhe e qytetarëve menduan së gjithçka ka përfunduar rreth liberalizimit të vizave.
Edhe pse formalisht,procesi i liberalizimit të vizave dhe procesi i integrimit evropian janë plotësisht të ndara, por praktikisht janë shumë të lidhura në mes veti.Qytetarët të cilët do ta kenë rastin të udhëtojnë për në shtetet që janë pjesë e Shengenit do ta kenë mundësinë të përballën me përvoja të reja, e në veçanti me një kulturë të avancuar dhe po ato përvoja mundë t’i sjellin në shtetin e Kosovës e t’i ndajnë me miqtë, familjarët e shoqërinë.Në këtë rast qytetarët do ta kenë një pasqyrë të qartë për kulturën e mirëfilltë që zotërojnë shtetet e BE-së, dhe nga kjo do të ketë një aktivizim qytetarë në kërkesat e tyre, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në përshpejtimin e procesit për integrime evropiane.
Lajmi nga Komisioni Evropian për rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave është një hap i madh për shtetin e Kosovës, por akoma nuk ka përfunduar gjithçka. Duhet pasur parasysh se Komisioni Evropian si institucion me rëndësi në Bashkimin Evropian vetëm rekomandon për Këshillin e Bashkimit Evropian(Këshillin e ministrave të shteteve anëtare) dhe për Parlamentin Evropian (Institucion përfaqësues i shteteve anëtare të BE-së).Prandaj, duhet pasur parasysh se edhe Bashkimi Evropian si rast sui generis funksionon në bazë të interesave politike e gjeostrategjike,pasi që edhe aty nuk përjashtohen marrëveshjet politike në mes shteteve për interesa reciproke.Historikisht është dëshmuar se në shumë procese,BE-ja ka vepruar politikisht e jo si qëndrojnë gjërat në letër.
Duke pasur parasysh se rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave është bërë edhe për Turqinë,Gjeorgjinë dhe Ukrainën, ku në tekstin e raportit për rekomandim për këto shtete ndryshon nga ai i Kosovës, pasi që Kosova nuk njihet si shtet sovran nga pesë shtetet anëtarët të BE-së, dhe në raportin për Kosovën nuk përmendet askund shtetasit e Kosovës,por njerëzit e Kosovës. Ashtu ngjashëm është edhe me marrëveshjen për MSA-në, nuk mundë të hasim në marrëveshje askund shtetasit e Kosovës, kjo dëshmon se vendimi për heqjen e vizave është sa teknik dhe politik.
Historikisht, BE-ja ka mbështetur strukturën udhëheqëse në pushtet në çdo shtet pretendent për në BE, ashtu edhe me rastin e Kosovës.Kjo dëshmon me kushtin për demarkacionin, i cili nuk ka dyshim që është kusht politik, pasi që nuk ka ndodhur asnjë shtet që para liberalizimit të vizave të kushtëzohet me zgjidhjen e kufijve me një shtet fqinjë.Kjo është bërë për dy arsye, njëra për shkak fuqizimit të pushtetit kriminal, dhe kinse për të paraqitur para opinionit publik se kërkesat e opozitës janë të padrejta dhe të paqëndrueshme,por në të njëjtën kohë për të qitur në pah kinse “destruktivitetin” e opozitës parlamentare,gjithherë duke pasur parasysh rezistencën opozitare për më shumë se tetë muaj karshi dy marrëveshjeve.
Pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian është për tu habitur me deklaratat politike që bëhen nga krerët e institucioneve duke u munduar t’ia atribuojnë vetës meritat , duke dhënë deklarata të pamenduara mirë ose më qëllime të caktuara politike, duke konsideruar se liberalizimi i vizave është çështje orësh,ditësh e javësh.Nga kjo na bënë të kuptojmë se disa nga këta njerëz edhe nuk dinë të bëjnë dallimin ne mes të Këshillit Evropian,Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Këshilli të Evropës.Absurdi me i madh është që më petkun e gjithë kësaj pune është mveshur Ministria për Integrime Evropiane,përkundrazi të gjitha kriteret që kanë pasur të bëjnë me liberalizimin e vizave kanë qenë kryekëput të lidhura me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Shtetet të cilat e kanë synim liberalizimin e me theks të veçantë integrimin në BE ndodhë që shpesh të marrin vendime të dhimbshme për shtetin e tyre, e në disa raste edhe të japin diçka nga sovraniteti shtetëror, por në rastin e Kosovës duhet gjykuar me racionalizim këtë proces pasi që qëllimi mundë të mos arsyetoj mjetin.Jemi të vetëdijshëm që pozita ka numrat në Kuvend dhe mundë të merë vendime të cilat mundë të konsiderohen jashtë vullnetit qytetarë, por duhet ta kenë të qartë se kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve të këtij vendi dhe nuk e kanë vullnetin qytetarë që të luajnë e manipulojnë me ndjenjat e tyre. Eventualisht, është realiste që të presim që në vitin 2016 ëndrra e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen të jetësohet ,por përfaqësuesit tanë nuk duhet të bëjnë qoftë edhe njërin lëshim të dhimbshëm në mënyrë që Kosova si shtet mos të ketë kosto të lartë për liberalizimin e vizave që nuk do t’ia vlejë barra qiranë.
Është imperativ që qeveria e Kosovës të përmbushë kushtet që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit e transparencës qeverisëse, por nga ana tjetër edhe vetë situata brenda BE-së duhet pasur parasysh, dhe kjo veçanërisht në një rast si i Kosovës, shtet që ende nuk njihet nga pesë vende anëtare Spanjës, Sllovakisë, Qipros, Rumanisë dhe Greqisë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img