Ferizaj

Vehbi Murati fitues i Bienalit të Vizatimit në Ferizaj


Publikuar më:


Galeria e Arteve në Ferizaj në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve Figurativ “Zef Kolombi”, kanë publikuar emrat fitues të piktorëve më të mirë në hapjen e ekspozitës së edicionit të katërt të Bienalit të Vizatimit. Autorët kanë mundur të aplikojnë me më shumë se një punim me shprehje të lirë të vizatimit. Nga aplikuesit në këto gara, çmimin e vendit të parë e mori Vehbi Murati nga Lipjani, ndërsa  Albulen Neziri nga Peja u shpërblye me çmimin e vendit të dytë, kurse Rudolf Faja nga Shqipëria me çmimin e vendit të tretë.

Fituesi i vendit të parë në Bienalin e Vizatimit, Vehbi Murati, tregoi për inspirimin e punimeve të tij, duke thënë se ky çmim e shtynë të vazhdoj më tutje.

“Është një çmim i cili më shtynë të vazhdoj një punë më të gjatë, edhe kur kam qenë si student kam qenë student i dalluar në lëndën e vizatimit, jam shpërblyer nga Fakulteti i Arteve dhe me këtë rast dua ta cekë se Ferizaj prapë e ka gjetur një vizatim i cili është vlerësuar edhe nga profesorët edhe të akademive tjera. Këto punime realisht janë në vazhdën e pikturave të cilat unë i kam realizuar kohëve të fundit dhe paraqesin braktisjen e materiales dhe shpirtit. Realisht kemi disa tjegulla të cilat janë të lëna, të papërdorura, të cilat në një mënyrë asocojnë me gjendjen të cilën ne e kemi kaluar si shoqëri, po ashtu është një grumbull i librave të cilat në aspektin mendor janë të diskriminuara”, tha Vehbi Murati.

Ndërkaq, Rubi Mandija nga Shqipëria, që ishte anëtar i jurisë në këtë Bienal të Vizatimit, tha se vizatimi është një art i jashtëzakonshëm i shprehjes.

“Vizatimi është një art i jashtëzakonshëm, është arti me të cilin ne të gjithë e kemi filluar, si piktorët, si skulptorët, si arkitektët, është vizatimi me të cilin të gjithë njerëzit në fakt në jetën e tyre të paktën në fëmijëri e kalojnë dhe është një art me të cilin mbetet edhe në epokën bashkëkohore, vazhdon të ruaj atë peshë të rëndësishme që ka pasur gjatë gjithë historisë së artit”, tha Rubi Mandija.

Kuratori i këtij edicioni të Bienalit të Vizatimit, Jetullah Sylejmani, tha se punimet kanë qenë me kode dhe pa emra për korrektësi në zgjedhjen e fituesëve.

“Ky format ka sjellur forma të ndryshme të shprehjes si një gjuhë individuale e secilit artist i cili përmes gjuhës së tij ka sjellur qoftë botën e tij emocionale, qoftë atë konceptuale, ku në shumë vizatime shohim edhe trajtimin e shumë fenomeneve të ndryshme me të cilat ballafaqohemi ne si shoqëri”, tha Jetullah Sylejmani”.  

Në hapjen e kësaj ekspozite kishte vizitorë të shumtë.  Njëri nga ta ishte edhe piktori nga Ferizaj, Habib Musliu, i cili u shpreh krenar për punimet e autorëve.

“Ndihem krenar sepse i shoh të rinjtë, fëmijët tanë që nuk kanë stagnuar por që mund të krahasohen me talentët botëror, këtë e them me të vërtetë sepse ka shumë talentë, sidomos Ferizaj është i dalluar për art, janë disa kurse private që mbahen këtu dhe e shoh pak apo shumë i përcjelli, ka kaq nxënës të talentuar që me të vërtet të lënë pa mend”, tha Habib Musliu.

Në shpalljen e fituesëve ishte prezente drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj, Xhemile Murati-Shabani, e cila tha se artistët gjithmonë do të kenë përkrahje nga drejtoria që ajo udhëheq.

“Komuna e Ferizajt po shënon rritje të aktiviteteve në vazhdimësi dhe kjo rritje nuk është vetëm për nga sasia, por edhe nga cilësia, sepse konsiderohet që komuna e Ferizajt po realizon mjaft aktivitete të mirëfillta dhe padyshim që ka gjetur përkrahjen e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në komunën e Ferizajt”, tha Xhemile Murati- Shabani.

Garat e Bienalit të Vizatimit kanë pasur karakter ndërkombëtar ku kanë aplikuar autorë nga vende të ndryshme si Gjermania, Greqia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Për pjesëmarrje në këtë edicion kanë aplikuar 46 artistë prej të cilëve 32 janë përzgjedhur si pjesëmarrës, ndërsa kanë qenë 119  vepra konkurruese, nga të cilat juria ka përzgjedhur 54 vepra dhe ka refuzuar 65 të tjera.

Pjesëtarë të jurisë ishin profesor Nehat Beqiri nga Maqedonia e Veriut, profesor doktor Rubi Mandija nga Shqipëria dhe profesor doktor Zeni Ballazhi nga Kosova.

To Top