25,04,2024

Ujësjellësi “Prishtina” lë Lipjanin prej dy ditësh pa ujë

Must Read

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” prej dy ditësh ka lënë Lipjanin pa ujë.

Banorët në katet e larta nëpër objekte kolektive janë ankuar se problemi i tyre për mosfurnizim me ujë gjatë sezonit veror nuk është zgjidhur që nga paslufta.

Albert Berisha, qytetar nga Lipjani, është ankuar se po përballen me mungesë të ujit të pijshëm megjithëse janë taksapagues të rregullt ndaj kompanisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Jemi shumë të shqetësuar me këtë menaxhim të ujësjellësit në Lipjan përderisa shpeshherë ndërpritet uji me ditë të tëra dhe askush nuk jep llogari. Disa javë më parë nuk kemi pasur ujë 5 ditë me radhë, ndërkaq tashti prej më shumë se 2 ditësh është i njëjti problem. Është edhe një shqetësim tjetër që komuna dhe kompania e ujësjellësit nuk po mendojnë për banorët të cilët jetojnë në katet e larta në objekte kolektive, sepse këta banorë gjatë gjithë sezonit përballen me mungesë dhe shtypje të ujit”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq, Lulzim Rrustemi, këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, ka thënë se KUR “Prishtina” në Lipjan ka dështuar ta menaxhojë ujësjellësin, ndërsa komuna nuk po reagon për zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve. “Prej më shumë se 2 ditësh Lipjani po përballet me mungesë të ujit të pijshëm, pastaj telashe të tilla kemi pasur edhe disa javë më parë dhe askush nga përfaqësuesit e komunës nuk po interesohet për qytetarët e vet”, ka thënë Rrustemi.

Nga ana tjetër Elmi Bublica, menaxher në KUR”Prishtina” në Lipjan, nuk ka dashur të flasë rreth akuzave të ngritura nga qytetarët e opozita për mosfurnizim me ujë. Ndërkaq Arieta Mjeku-Azizi, zëdhënëse e kësaj kompanie në Prishtinë, është arsyetuar se gjendet në periudhën e pushimit dhe se nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve të gazetës.

Bukurie Zejnullahu-Jashari, zyrtare për informim në komunën e Lipjanit, ka thënë se janë në kontakt me KUR” Prishtina” në Lipjan, për riparimin e defekteve që janë paraqitur gjatë ditëve të fundit në rrjet të ujësjellësit. “Po shpresojmë që brenda ditës do të rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarë, sepse kështu kemi marrë konfirmimin nga përfaqësuesit e kompanisë. Ndryshe, komuna gjithmonë i shqyrton ankesat e qytetarëve dhe mundohet sa më shpejt t’i zgjidhë ato”, ka thënë ajo.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dr Fitim Goga, emërohet UD i Drejtorit Mjekësor të Spitalit të Ferizajt

Ditë më parë, Dr Fitim Goga, është emëruar UD i Drejtorit të Spitalit të Ferizajt. Emërimi i tij lidhet me...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img