16,04,2024

UDHËTIM NËPËR ËNDRRËN E TMERRSHME

Must Read

Ismet ALIU
(PËR DITËN BOTËRORE TË LIBRIT)

Sapo u zgjova, mendova me vete ‘’duhet të lexoj diçka sot’’ E pyeta veten: ÇKA? Për një kohë të shkurtër m’u kujtuan me dhjetëra tituj e pamje librash që i kisha lexuar dhe shumë tjera që s’i kisha lexuar. Pas një shëtitjeje nëpër kujtesën me një mal të dendur titujsh e pamjesh, u ndala te Sabato. U ndala te romani madhështor i një imagjinate dhe poetike metafizike, te romani ‘’MBI HERONJTË DHE VARREZAT’’. Desha të shëtis edhe pak, të hulumtoj, por qe e pamundur. Kujtesa me pamjet e librave që nga Homeri e deri te Hese, Borgesi, Cohelo, Pamuku, Pasternaku, Dostojevski, Murakami e shumë të tjerë sillej vërdallë në kokën time, por përsëri kthehej te Sabato, te ‘’Heronjtë dhe varrezat’’. Çudi, s’ mund t’i ikësh Sabatos. ‘’E ke lexuar këtë roman… Madje, shumë herë e ke lexuar’’, thoshte Diçka brenda meje. ‘’S’ka rëndësi. Këtë vepër duhet lexuar, e rilexuar shumë herë’’, më drejtohej pjesa e pabindur e unit.
Pjesa e pabindur e unit fitoi. U nisa drejt bibliotekës së qytetit. Dola te Sahatkulla dhe kah pjesa e mbrapshte u gjenda në shkallet e godinës. Që nga jashtë, ende pa u futur brenda dëgjova biseda të çakorduar si dikur në çajtoret e qytetit. ‘’Ore, kjo është bibliotekë’’, i pëshpërita vetes. Vallë ç’janë këto gumëzhima zhurmash. Shikova mbi portën e madhe ku dikur shkruante ‘’BIBLIOTEKA E QYTETIT’’, por në vend të saj pash mbishkrimin KAFITERI MUHABETI. ‘’Ev…’’- thashë me vete,-‘’po kjo!!!” Hyra brenda. Aty qe Poeti, pasi u përshëndetëm, e pyeta s’e ç’kishte ndodhur me bibliotekën. Ai rrudhi krahët. ‘’Ulu!’’ më tha poeti. Jo i thash, dola të marr një libër në bibliotekë. ‘’Libër!’’- shprehi habi ai. Nuk e zgjata, meqë poeti shpesh përdorte figuracionin, thash me vete po e shpreh mllefin për lexuesin që po bëhet racë në zhdukje. Kah dola, afër banakut pyeta zotëriun që shërbente, nëse e dinte se kur biblioteka u shndërrua në kafene. Ai rrudhi krahët, pastaj pyeti ‘’e, pse?! ‘’Desha të marr një libër’’, i thash shkurt dhe tek po dilja dëgjova një zë pa jetë që tha: ‘’Nuk e di ç’është ai sen: li… Libër the. E shikova atë surrat plot mllef, pastaj e pyeta. ‘’Nuk e ditke ç’është libri’’. Ai u habit me habinë time më shumë se unë dhe thjeshtë tha ‘’JO!’’
Shkova në shtëpi. Kërkova ndonjë libër. Librat s’qenë aty. E thirra gruan dhe e pyeta: ‘’ Ç’u bë biblioteka ime?! Ç’u bënë librat. Për çudi, njësoj si Zotëriu në banak edhe gruaja më shikoi plot habi e më tha: ‘’si the?! Li.. lib… libra?! Ç’ janë ato?! Me vete thashë ‘’gruaja qenka çmendur’’ Pasi e shikova disi plot frikë i thash plot mllef me urrejtje: ‘’Zhduku!’’ , ajo s’tha gjë, veçse u zhduk atje mbrapa në kuzhinë. 
Të nesërmen, në mëngjes, sapo u zgjova, gjithkah nëpër shtëpi e kërkova bibliotekën time… librat. S’ gjeta as bibliotekë, as libra, sikur kjo puna e librave nuk ishte tokësore, por diçka kozmike, dhe unë po i kërkoja LIBRAT në vendin e gabuar: në Tokë. E thirra gruan. Ajo s’u gjegj. Se kah kishte shkuar?! Atë ditë kërkova bibliotekat tjera. Në vend të tyre pash rrokaqiej… kafene… E pyeta edhe një Zotëri që më ngjau si intelektual: ‘’Ç’u bë me bibliotekën?!’’ Këtu para dy ditësh ka qenë një bibliotekë. ‘’Ç’është ajo bibli…! Si the… bibli…’’ Un ë s’ thash gjë më veçse me habi të pafundme e shikova. Por, nuk e di nëse unë qeshë habitur më shumë apo ai. Nuk e di… Të nesërmen e të pasnesërmen shkova në shkolla, në fshatra, ku e dija se ka biblioteka. Lere që s’ gjeta kund bibliotekë, por pamja, surrati plot habi i njerëzve s’ m’u shqit e s’ më shqitet dot as tani. Përsëri kur erdha në shtëpi, u futa në dhomë, plot mllef, si i çmendur. S’kishte as bibliotekë as libra. E thirra gruan, të bisedonim, dhe thjesht përmes bisedës ta kontrolloja veten nëse isha mirë… Gruaja nuk u gjegj. Se kah ishte zhdukur?! Kur shkova në dhomën e gjumit, i lodhur dhe shumë konfuz, thash të fle pak, në arkëzën e vogël pranë shtratit, pash një libër. U hodha mbi të sikur do të ma rrëmbente dikush. E njoha menjëherë ishte FJALORI. Isha i lodhur, por gjumi s’ më zinte. Shfletoja FJALORIN. Te shkronja L kërkova fjalën librari. Kjo fjalë s’ishte aty. Vetë i katërdhjeti pastaj te e njëjta shkronjë kërkova fjalën LIBËR. Ishin qindra e qindra fjalë, por s’ ishte fjala LIBËR. S’ dita ç’të bëja tjetër pos të qaja. Tek po qaja me ngashërim dhe frikë nga e panjohura, diçka më shkundulloi. Pastaj ndërsa m’i fshiu lotët, më tha ‘’zgjohu!’’ U zgjova, por ende m’ dukej se po udhëtoja në kërkim të ndonjë biblioteke, apo thjesht, po ikja në sdisekund plot frikë… Dikur erdha në vete. Gruaja më tha: ‘’me fat ditëlindja’’ dhe më dhuroi diçka të mbështjellur. E hapa dhuratën. Lexova titullin e një libri. Sabato: MBI HERONJTË DHE VARREZAT. Qesha me vete. Edhe pse qe mesditë e thirra gruan. U mbyllëm në dhomë. 
Dashuria i kishte hije këtij çasti…

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ishte në kërkim nga policia, arrestohet 25-vjeçari në Ferizaj

Një 25-vjeçar është arrestuar ditën e hënë në Ferizaj, i njëjti ishte në kërkim nga policia. L.Q ishte i kërkuar me...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img