Editorial

Të dashur njerëz t’mirë të Ferizajt


Publikuar më:


Dimal Basha

Ka një kohë të gjatë që jam duke mendu si me iu qas nismës për ndalimin e pirjes së duhanit brenda lokaleve.

Dimal Basha

Sa për informatë, unë kam biseduar me shumë pronarë lokalesh, dhe të gjithë janë lodhur nga tymi i duhanit që vetëm ju kushton atyre dhe punëtorëve me shëndet, dëm në inventar, por edhe financiar, për shkak të investimeve me mijëra Euro shtesë për ventilimin e tymit që ju e prodhoni.

Një pjesë e madhe e tyre që i kam kontaktuar më kanë thënë se janë të gatshëm ta ndalojnë, por vetëm kërkojnë që Ligji të gjej zbatim të njëjtë për të gjithë, e jo në formë selektive siç ka ndodhur më herët.

Prandaj, unë nga sot do të filloj me kërku që nga 1 MARSI ta ndalojmë në të gjitha lokalet.

Mirëpo paraprakisht, për shkak të rrethanave të moszbatimit deri tash, unë do të filloj një kampanjë koordinimi dhe vetëdijesimi me të gjithë akterët gjatë muajit shkurt:

1. Fillimisht, do të filloj njoftimin duke shpërnda pamfleta nëpër lokale (shih foton) dhe duke i informuar qytetarët dhe pronarët për këtë nismë. Pamfletat i kam përfunduar me mjete të mia personale!

2. Personalisht do t’i vizitoj pronarët dhe të kërkoj ZOTIM nga të gjithë bashkëpunim për ndaljen e duhanit nga 1 MARSI, kurse njëkohësisht do të bashkëpunoj me ta dhe institucionet përkatëvse që Ligji të gjej zbatim tek të gjitha lokalet pa dallim.

3. Për zbatimin, unë kam kontaktuar edhe me Inspektoratin komunal, nga i cili kam marrë përkrahje të plotë.

4. Gjithashtu kam pas takim me Policinë e Kosovës, të cilët gjithashtu janë zotuar se do të asistojnë në implementimin e këtij Ligji. Ata do të ndihmojnë edhe në vetëdijesim, por edhe do të asistojnë në raste kur personat nuk iu nënshtrohen gjobave dhe Ligjit në fuqi.

5. Në JANAR kam pas një takim edhe me Kryeimamin në Ferizaj, dhe më është premtuar që në bashkëpunim me BIK-un do të organizojnë që një të Premte të mbajnë një ligjëratë rreth kësaj teme në gjithë qytetin e Ferizajt.

Për këtë jam në përfundim të përgatitjes së materialit, që shpresoj ta kem gati javën që vjen dhe besoj thellë në bashkëpunimin e Bashkësisë Islame në Ferizaj.

Besoj se ka ardh koha që kjo temë të mbyllet njëherë e përgjithmonë dhe të jemi qytet që të na e kanë lakmi tjerët. Unë nuk besoj se kjo temë kërkon debat, por megjithatë, për ata që dyshojnë se a duhet të marrim këto masa, ju lus t’i lexoni arsyet e rreshtuara më poshtë pse duhet t’i vijë fundi këtij muhabeti.

1. Është e kundërligjshme miq e mikesha!

Mendone sa vështirë e keni moralisht të ankoheni kur të tjerët shkelin Ligjin, derisa ju vet nuk e respektoni atë.

2. E dëmton shëndetin e atyre që nuk e pinë. 70 kemikale në duhan janë kancerogjene, kështu që ata që nuk e konsumojnë, nuk ua kanë me borxh kancerin, përfshi këtu fëmijët. Ne nuk po themi mos vritni veten, ama ju lutemi që nëse keni zgjedh me vdek, vdisni vetëm dhe na kurseni neve tjerëve që nuk e pimë

3. Mendone situatën që e hasa një ditë. Ishin katër persona në një tavolinë, dhe të katërtit kishin ndezë nga një cigare (dukeshin se nxeheshin pranë një zjarri). Që të gjithë ankoheshin për KEK-un dhe ajrin e ndotur jashtë.

Tani mendone çfarë paradoksi!

Ankoheshin për ajrin e ndotur jashtë, derisa vet helmonin ambientin për të tjerët brenda. Taman SUI GENERIS!

4. Pastaj duhani e dëmton edhe pronën brenda lokaleve. Besoni se kam kontaktuar me shumë pronarë të lokaleve, dhe të gjithë janë lodhur nga tymi që ata jetojnë në të, përfshi punëtorët, por gjithashtu edhe nga investimet shtesë që duhet t’i bëjnë. Shumë pronarë të lokaleve paguajnë mijëra Euro për ventilim, pra facilitim të atyre që dëmtojnë ajrin dhe thyejnë ligjin. E padrejtë!

5. Për fund, dhe kjo vlen për krejt, a nuk jeni gërdit bre? Sa herë që kthehesh në mbrëmje në shtëpi, kundërmon era e rrobave. Era çynk vlla! Bile ma shtrenjtë po na kushton me i pastru rrobat, si dhe shamponi dhe uji i nxehtë m’u pastru, se krejt fatura e pijeve apo darkës që po e hajmë.

Prandaj, dashni për Ferizajn dhe krejt njerëzit e mirë brenda tij që me ia dal edhe kësaj sfide.

To Top