Lajme

Të bëmat e Shkëlzen Haradinajt kujtohen 17 vjet pas rënies heroike


Publikuar më:


20160416091716451646

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 16 prill, ra heroikisht komandanti i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjenerali Shkëlzen Haradinaj, komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tre eprorët e lartë të Brigadës heroike 131 ”Jusuf Gërvalla” Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, në betejën e Maznikut.

Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.

Rënia e Shkëlzenit, sipas bashkëluftëtarëve ishte një humbje e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar.

Vendosmërinë për mbrojtjen e civilëve dhe luftën deri në dy e tri metra në afërsi e ka përshkruar historiani Muhamet Mala, i cili thotë se Shkëlzeni me shokë arriti që disa herë edhe bombat t’ia kthejë andej nga kishin ardhur armikut.

“Ai në asnjë moment nuk u nda nga mbrojtja e atyre grave, fëmijëve e pleqve dhe së bashku me shokët e vet ra në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë”.

Ndihmës komandanti për logjistikë në Zonën Operative të Dukagjinit, Mustafë Selmanaj, jep detaje për qëndresën e Shkëlzenit. A i kujton edhe betejat e para në Baballoq, ku është plagos Shkëlzeni.

“Ka pas një plagë shumë të madhe që nuk e ka besuar askush që mund ta tejkalojë atë plagë. Ka qenë i plagosur në nofull. Këtu mjete mjekësore nuk kishim, më kujtohet ka ardhur në ndihmë Shyqri Nema. E kemi bërë një operacion klasik në dysheme, me bateri se rrymë nuk kishte. Po aq ka qenë i fortë morali i Shkëlzenit, sa që gjatë operacionit më thoshte Mustafë fshija djersët doktorit”, ka thënë ai. “Moralin në ushtri prej Shkelzenit e kam fituar. Ka zgjatë do ditë shërimi i tij. Tre muaj nuk do duhej të hiqeshin telat e nofullës po Shkelzeni pas 15 dite më kish lanë do mjete, dhe më ka thanë këputmi telat. Kam filluar me ia këput telat pa kanë mjek asnjëherë”.

Kurse, Daut Haradinaj, duke u ndalur te beteja në Malet e Maznikut thotë se 16 prilli ka qenë dita më goditëse për UÇK-në dhe familjen, përcjell ksp.

“Data e 16 prillit ka qenë njëra prej ditëve ndoshta më goditëse për UÇK-në por edhe për familjen tonë për shkak se ne e humbëm Shkelzenin por gjithmonë kur e kemi parasysh momentin e rënies së tij është një përparësi edhe është një lehtësim për shkak se e dimë se falë Shkelzenit dhe luftëtarëve tjerë, Fatmirit, Hasimit, Luanit, Agimit mundem me thënë se disa qindra civilë që ishin strehuar në Malet e Luboqakut sot janë gjallë”, ka thënë Haradinaj. “Në të njëjtën kohë edhe Serbia ka marrë një mësim të mirë që tash e tutje nuk ka me mujt me depërtuar në popullatë po edhe nga ai moment edhe nga ai pozicion prej 16 prillit e tutje më Serbia nuk ka mujt me thy pozicionet e luftës në Rajonin e Dukagjinit”, ka thënë ai.

Pas rënies, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për merita të veçanta të treguara në luftë ia ndau gradën gjeneral kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shkëlzen Haradinaj është dekoruar me urdhrin ‘Hero i Kombit’.

Emrin e heroit Shkëlzen Haradinaj, sot e mbajnë sheshet e rrugët anekënd Kosovës e Shqipërisë. Në qendër të Pejës, është ngritur busti i heroit ku edhe sheshi mban emrin e tij.

Shkëlzen Haradinaj është vëlla i dëshmorit të UÇK-së Luan Haradinaj dhe i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Comments
To Top