28,03,2024

Taksa ndaj prodhimeve serbe rritë mbështetjen për prodhimet vendore

Must Read

Rritja e taksës 100 përqind për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës ka ‘hallakatë’ këto dy shtete e në veçanti ata në Serbi.

Në këtë shtet ka pas reagime të ashpra lidhur me masën e vendosur nga Qeveria. Përveç kësaj kanë reaguar edhe serbët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Por janë qytetarët e Kosoëvs ata që i kanë dhënë mbështetje vendimit të institucioneve të Kosovës që kjo masë në asnjë mënyrë mos të hiqet.

Ky vendim ka mobilizuar organizata dhe biznese që kanë dal në përkrahje të prodhimeve vendore.

Valon Canhasi, themelues i kompanisë “Hallakate”, bashkë me disa miq, formuan një platformë me emrin “Prodhim vendor”, dizajnuan logon me numrin 100 dhe ngjyrat e flamurit të Kosovës si dhe ftuan qytetarët të japin ide për promovimin e prodhimeve vendore.

Canhasi thotë se ideja për këtë fushatë i erdhi pas vendimit të qeverisë për rritje të taksës dhe tregon se gjeti menjëherë përkrahje nga miqtë e kolegët e tij.

“Ideja jonë është që kompanitë lokale me ekspertizë të madhe, me njohuritë që i kemi, t’i plasojmë te prodhuesit vendor, t’i aftësojmë ata që ta arrijnë tregun duke shitur produktet ose duke krijuar prezencën e tyre online, qoftë në social media qoftë në ueb, qoftë në paketim të produktit ose brendit apo çka do që kanë. Pra, ky është ai trekëndëshi të cilin ne po synojmë ta ndërtojmë”, thotë Canhasi për KosovaPress.

Ai tregon se pasi e plasoi idenë në rrjetet sociale, afro 50 kompani iu lajmëruan për të ofruar shërbime falas për prodhuesit vendor. Në anën tjetër, ai thotë se deri tash afro 200 biznese vendore kanë shprehur interesim për të marrë shërbime përmes kësaj platforme.

“Ajo çka ndodhi në komente është se u lajmërua një numër i madh i kompanive, diku afro 40-50 janë bërë deri tash të cilat po ofrojnë shërbime. Dhe kur i kemi parë, shërbimet kanë qenë të ndryshme, dikush ka dhënë trajnime falas, dikush konsulencë, e kemi rastin e Kujtesës e cila ka dhënë internet falas për prodhues vendor për gjashtë muaj, kemi kompani të shpedicionit që kanë dhënë transport falas, ka kompani që kanë ofruar implementimin e ISO standarteve falas”, thotë Canhasi.

Canhasi thotë se edhe nëse hiqet taksa  ata do të vazhdojnë t’i përkrahin bizneset vendore përmes kësaj platforme.

Për promovimin e prodhimeve vendore, janë aktivizuar edhe studentët. Organizata “Paqja studentore”, në bashkëpunim me disa nga kompanitë vendore ka organizuar një aksion simbolik në shesh, gjatë së cilës shpërndau produkte vendore falas për kalimtarët e rastit.

Elbasan Geci nga kjo organizatë, thotë për KosovaPress se përmes këtij aksioni  synojnë vetëdijesimin e qytetarëve për konsumim të produkteve vendore.

“Ideja ka ardhur në momentin kur taksa u ngrit në 100 përqind për produktet serbe, pastaj ideja ka ardhur nga disa prej përfaqësuesve tanë, e paraqitëm si ide dhe u implementua. Nga kompanitë është pritur shumë mirë, të gjitha kompanitë e kanë pritur mirë, organizata jonë ‘Paqja studentore’ ka shkuar dhe ka kontaktuar në mënyrë fizike me përfaqësues të këtyre kompanive, drejtorë e menaxherë të tyre, të cilën e kanë pritur shumë mirë këtë organizim tonë”, thotë Geci.

Edhe qytetarët në mënyrë individuale po mundohen të përkrahin prodhimet vendore, me mundësitë që kanë. Pas vendimit të taksës 100 përqind, qytetarë të shumtë kanë filluar të publikojnë fotografi të produkteve vendore në rrjetet sociale, me qëllim të promovimit të tyre.

Pavarësisht se u tha që kjo taksë do të jetë e dëmshme për plot kompani kosovare që lëndën e parë të prodhimit e marrin nga Serbia,  disa nga bizneset po thonë që kjo taksë po u ndihmon atyre.

Përmes panairit “Blej shqip”, prodhues nga Kosova e Shqipëria po u ofrojnë qytetarëve produkte vendore.

Mihane Avdullahu përmes biznesit të saj “Duart e vyera” ofron gatime tradicionale dhe konservime të prodhimeve bujqësore. Ajo thotë për KosovaPress se tashmë qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen për rëndësinë e prodhimeve vendore duke shtuar se rritja e taksës ka ndikuar në këtë vetëdijesim.

“Ka ndikuar shumë dhe është e mirëseardhur për qytetarët e Kosovës, për neve prodhuesit sepse nuk ka qenë lehtë për neve, sepse kur vinin produktet nga jashtë, tonat janë “shkelur”, ulej çmimi. E tash jemi shumë të lumtur që është marrë ky vendim dhe i falënderojmë shumë për këtë vendim”, thotë Avdullahu.

Ngjashëm deklarohet edhe Esat Deda, nga bletaria “Cati”. Ai thotë se pas rritjes së  taksës 100 përqind, produktet e e tij kanë filluar të shiten më shumë.

“Kjo është shumë e mirë që i kanë bllokuar (produktet serbe), që po shiten produktet e Kosovës, produktet tona, besojmë dhe shpresoj që të zgjasë dhe të vazhdojë kështu, ne kemi produkte të mjaftueshme dhe besoj se do të arrijmë ta mbajmë tregun kosovar”, thotë Deda.

Përndryshe, pas vendimit të Qeverisë për  rritje të taksës për prodhimet serbe reaguan edhe diplomatë të jashtëm, me qëndrime pro e kundër taksës.

Kryeministrja serbe Ana Brnabiq vendimin e taksës 100 përqind e quajti shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s. Ajo ka njoftuar se qytetarët serbë kanë drejtuar ankesë në këtë institucion, dhe i kanë dhënë një afat prej 90 ditësh për ta zgjidhur.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar se kjo taksë nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë shtetin e Kosovës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img