Kultura-Arti

‘Shpija numër 67’, një prej dhjetë poezive finaliste të ‘KultStrofa’


Publikuar më:


Nga Afrim Deimiri. Kjo është njëra nga dhjetë poezitë finaliste të edicionit të tretë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga KultPlus.

Ustallart’ ia gdhendshin gurt’
Shpisë
e folshin ndër dhambë mes veti
Se gurë nuk janë ata
që nji fytyrë nuk e kanë

Unë ia vnojsha emnin e pesë motrave t’mia
katër të vdekunave e nji të gjalle
I bekojsha me emnin e t’vetmit vlla
e pastaj babën n’sy e kqyrsha

Si kec kcejsha gur m’i gur
Hapat e mi t’vegjël
i muros’sha n’temel t’saj
si guralecë

Unë dhe Shpija
mocanikë ishim
Iu g’zojshim reve pa e ditun
çfarë rrebeshe do t’reshnin
m’i ne

Në qerpiqt’ e lloqit trumcakët i lejshin
fërkemt’ e gishtave të kamës e unë të dorës
Dielli i piqte si simitet e nanës
E nga qiella i zbritshim dritaret
dhe Shpija bahej me shpirt

Nis’sha ia lyjsha muret me qyreq
si faqet e nanës me t’bardhë t’zhivës
Në qeremide vizatojsha plepin me lejlek
e kur kulmit ia ndajtëm pikën n’dysh
e oxhaqeve u vumë pllumba t’teneqes
Shpija filloi t’i ngjajë babës
si në foton me kapelë
e me cigare n’buzë
t’varun n’baski në dhomën
e mysafirëve

Tash baba nana dhe Shpija nuk janë ma
E unë flas me hijet e tyne
Shkruej numrin 67
Dhe kambtë marrin udhë drejt
tyne.

To Top