26,04,2024

Shënohet 20 vjetori i fillimit të rezistencës në rajonin e Ferizajt, aksioni i parë u zhvillua në Gurëz

Must Read

 

Ferizaj.12.09.2017. Me dy aktivitete të rëndësishme sot është shënuar 20 vjetori i fillimit të rezistencës në rajonin Ferizajt.

Fillimisht miq, bashkëluftëtare e strukturat komunale kanë bërë homazhe tek kompleksi i varrezave të dëshmorëve ku pushon edhe trupi i dëshmorit të kombit Rexhep Bislimi i cili ishte njëri ndër nismëtarët e aksionit të parë të forcave ilegale në anën e Ferizajt.

Më pas në fshatin Gurëz në vendin ku për herë të parë u sulmua postblloku policor serb nga këta organizatorë u evokuan kujtime për ngjarjet e atëhershme që shënuan fillimin e rezistencës.


Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa në fjalimin e tij theksoi se rezistenca e popullit shqiptar ishte fuqishme që nga vitet e hershme kur u pa qartë se më nuk durohej robëria.

Ai çmoi lartë sakrificën edhe të gjithë atyre që dhanë jetën për liri, por edhe të njerëzve që janë gjallë sot e në atë kohë i prinë këtyre forcave çlirimtare.

“Aksioni i armatosur në Gurëz, tregon gatishmërinë për sakrificë, tregon përgjegjësinë e lartë dhe nismën e një rrugëtimi të përgjakshëm, i cili, për fatin tonë të mirë, pati si përfundim çlirimin e vendit tonë dhe pavarësinë e tij nga shtypësi i deridjeshëm. Në këtë rrugëtim, me flijime të panumërta, bota demokratike ishte në anën tonë, sepse ne ishim në të drejtën tonë. Tani jemi të lirë për ta ndërtuar jetën tonë. Tani është koha kur ne si popull dhe si vend e kemi shansin për t’i treguar mundësitë tona krijuese, kapacitetet qeverisëse dhe aftësitë tona për të ndërtuar mirëqenien tonë. Në këtë aspekt janë bërë hapa të rëndësishëm, por ka ende shumë punë. Se si do të jetë e nesërmja jonë, tani varet nga vetë ne” deklaroi kryetari Svarqa në fjalimin e tij.

Në këtë aktivitet përkujtimor disa kujtime tregoi edhe Afrim Nuhaj i cili ishte pjesë e këtij aksioni. Ai shpjegoi se sa e vështirë ishte të veprohej në atë kohë por dëshira për liri ishte po aq e madhe.

“Ishin kohë të vështira ku duhet të veprohej me shumë kujdes prandaj edhe organizimin e kishim shumë të kufizuar. Me ndihmën edhe të eprorëve nga shtabi i përgjithshëm realizuam këtë aksion me të cilin i bëmë me dije forcave armike se nuk do të rrijmë duarkryq krahas krimeve që po ndodhnin “ tha në fjalimin e tij veterani i UÇK-së Afrim Nuhaj.

Në ngjarjen e sotme të pranishëm ishin edhe Ferat Shala e Idriz Hajdari të cilët në atë kohë kishin ardhur nga shtabi i përgjithshëm, të cilët bashkë me Afrim Nuhajn dhe dëshmorin e kombit Rexhep Bislimin patën organizuar aksionin e parë në fshatin Gurëz.

Në vendin prej nga u sulmuan forcat policore këto ditë është vendosur një flamur dhe është shënjuar hapësira, ndërkaq familja e dëshmorit Rexhep Bislimi ka shfaqur dëshirën që në përvjetorët e tjerë të vendoset edhe ndonjë pllakë përkujtimore që do të mbajë gjallë këtë kujtim edhe ndër shumë breza të ardhshëm.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img