26,04,2024

Shansi i dytë për demarkacionin

Must Read

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, ka thënë se duhet të arrihet një marrëveshje në mes të liderëve politikë ose, në të kundërtën, demarkacioni me Malin e Zi duhet të riprocedohet në Kuvend.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se zgjidhja më e përshtatshme dhe më produktive do të ishte arritja e marrëveshjes në mes të liderëve, e cila do të rezultonte edhe me liberalizimin e vizave për Kosovën. “Këto janë dy mundësitë e vetme që kanë mbetur hapur: Të ketë një marrëveshje në mes të liderëve politikë ose, në të kundërtën, demarkacioni duhet të riprocedohet. Tash për tash po shihet se nuk ka ende sa duhet vullnet për arritjen e një pajtueshmërie në mes të liderëve politikë. Por, as riprocedimi i demarkacionit në këto rrethana nuk jam i sigurt se do të prodhojë sukses”, ka deklaruar Reçica.
Ai ka folur edhe për funksionimin e koalicionit qeverisës PDK – LDK, duke thënë se ka pasur zhvillime dhe situata të rënda, të cilat, sipas Reçicës, kanë ndikuar në funksionimin e koalicionit dhe në angazhimet e Qeverisë. “Realisht askush nuk është i kënaqur plotësisht me funksionimin e koalicionit qeverisës, për shkak se ka pasur zhvillime dhe situata të rënda, të cilat kanë ndikuar në funksionimin e tij. Për rrjedhojë, as angazhimet e Qeverisë nuk kanë qenë në nivelin e pritur, pasi të gjithë kanë pritur më shumë, marrë parasysh faktin se koalicioni PDK – LDK është një koalicion i madh dhe ka potencial të mjaftueshëm për t’i realizuar objektivat e parashtruara, nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, ka theksuar ai.
Kurse sa i përket mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, Reçica ka thënë se aktualisht opsioni i zgjedhjeve nuk është domosdoshmëri por, sipas tij, PDK-ja do të dalë sërish partia më e madhe kurdo që mbahen zgjedhjet. Ndonëse nuk e ka përjashtuar mundësinë që ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, të jetë kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Drenasit, Reçica është shprehur i bindur se PDK-ja do të fitojë sërish në këtë komunë.
 
“Epoka e re”: Z. Reçica, pas mbajtjes së disa takimeve të iniciuara nga z. Naim Rashiti, ka apo jo përafrim të qëndrimeve në mes të pozitës dhe opozitës për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi?
Reçica: Iniciativa e z. Rashiti ishte e sinqertë, e domosdoshme, në interes të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ai është angazhuar maksimalisht që t’i përafrojë qëndrimet politike në mes të subjekteve politike, me qëllim të shtensionimit të situatës rreth demarkacionit dhe çështjeve të tjera kontestuese, zgjidhja e të cilave do të përshpejtonte shumë procese, duke përfshirë këtu edhe atë për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Pra, z. Rashiti ka bërë përpjekje të mëdha, në mënyrë që të arrihet një përafrim, nëpërmjet të cilit çdonjëri nga subjektet politike do t’i ruante qëndrimet e veta, por që, njëkohësisht, do të zotohej t’i shtonte përpjekjet dhe angazhimin demokratik për tejkalimin e divergjencave aktuale. Qëndrimet kanë qenë shumë të përafërta por, nuk thuhet më kot, se djalli qëndron në detaje: vetëm një fjalë, fjala shqyrtim, në vend të asaj rishqyrtim i demarkacionit, ka pamundësuar nënshkrimin e marrëveshjes në mes të liderëve të subjekteve politike. Ka qenë një ndërmarrje e madhe politike, një hap shumë i madh, në dobi të së sotmes dhe së ardhmes së shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të tij, të cilit, fatkeqësisht, në finale i mungoi edhe një hap shumë i vogël, që ta përmbyllte suksesshëm gjithë procesin, i cili do të shndërrohej në një ekzemplar shembullor të unitetit politik e qytetar në funksion të interesit madhor të vendit, duke shmangur kështu dominimin e interesave të ngutshme të agjendave politike, partiake apo individuale.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img