26,04,2024

Sërish vjen Marsi, fundi apo fillimi i një pushteti

Must Read

Trazirat e marsit 2004, ishin indikatori i parë i ndërrimit të pushtetit të atëhershëm. Ajo filloj si një aksident i mbytjes së tre fëmijëve në lumin Ibër të Mitrovicës, fakte të cilat asnjëherë nuk vërtetuan kush qëndron mbrapa këtij krimi, dhe më vonë trazirat morën përmasat e një pjesë të konsiderueshme të Kosovës, që rrezikuan seriozisht sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës edhe pas 5 viteve që kishte përfunduar konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve.

Me përfundimin e trazirave të Marsit 2004, faktori ndërkombëtar me një pjesë të atij vendor, filloj procesin e rishikimit të çështjes së Kosovës, proces i cili ngriti nevojën e një lidershipi të ri, që vepron nën moton e Kosovës dhe të ardhmes së saj, ku duhej trajtuar statuti final për Kosovën, i qasur me një dimension të ri, si një proces drejt një lloj Pavarësie, e kurrsesi si njohje e veprimtarisë së shtetit të Kosovës i shpallur në vitin 1990.

Bazuar në pikëpamjen e zhvillimit të ngjarjeve në marsin e vitit 2004 dhe konkluzioneve ndërkombëtare, ndryshimi i spektrit politik në Kosovë ishte një domosdoshmëri e plotë, respektivisht pas një dekade e gjysmë udhëheqje nga ish Lideri i LDK-së Dr. Ibrahim Rugova.

Karshi këtyre ideve, ndryshimet politike në Kosovë u bënë një realitet, pas trazirave të vitit 2004. Që nga kjo kohë, skenën kosovare me lidershipin e ri, e përcolli në vazhdimësi ‘kundërpesha politike’ si njëri ndër mjetet e mbajtjes së pushtetit politik, e assesi suksesi dhe ndërtimi i institucioneve vetëqeverisësen gjithë territorin e Kosovës.

Kjo kundërpeshë politike u përdor me mjaft mjeshtëri nëpërmjet dy veprimeve kyçe:

  • E para, nga formimi i partive politike në vazhdimësi dhe rritjen e privilegjeve për to, si tendencë e dobësimit të subjekteve të fuqishme në skenën kosovare,
  • E dyta, transformimin dhe integrimin e shoqërive civile, figurave universitare, si dhe disa lëvizjeve qytetare, në atë politike, të cilat më vonë u përdoren si “masha” qoftë ndaj faktorit ndërkombëtar, e herë si një kërcënim ndaj institucioneve të vendit (kur ishte nevoja), nëpërmjet huliganizmit, grevave, të  cilat u paraqiten në media e para faktorit ndërkombëtar si kërcënim.

Në vazhdën e aplikimit të ‘Kundërpeshës politike’ brenda institucioneve të Kosovës, gjithnjë e më shumë kriminaliteti i jakës së bardhë ishte prezent në çdo pore të institucioneve duke u përfshirë në një dimension të normales. Ky kriminalitet, padyshim se brenda vetes futi edhe staf ndërkombëtar, nëpërmjet së cilës menaxhoheshin fondet dhe donacionet ndërkombëtare të adresuara si ndihma për Kosovën dhe ngritjen e standardeve evropiane.

Përballë këtyre kapjeve politike e kriminale të institucioneve më vitale të shtetit, e ardhmja e Kosovës për herë të parë është në krizë serioze. Ky kërcënim nga gjithë tashmë është konstatuar se po arrin në këtë nivel si rrjedhojë e mungesës së vullnetit intelektual në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjeve në Kosovë, vullnet i cili deri më tani nuk u dëshmua asnjëherë nga organet e drejtësisë në Kosovë e as nga ato ndërkombëtare për sundim të ligjit EULEX.

Kjo gjendje institucionale në Kosovë, ka nxitur një pjesë të madhe të subjekteve të vogla politike në formimin e aleancave parazgjedhore për të sfiduar ‘Të pushtetshmit’, e në anën tjetër, me disa subjekte politike askush më nuk po i pranon si partner politik, sepse të gjithë ndjehen të tradhtuar, mashtruar, shantazhuar, diskriminuar, manipuluar, kërcënuar, nga bashkëpunimet e dikurshme politike.

Tashmë populli i Kosovës i din të gjitha, madje i din edhe ata të cilët në emër të shtetit të tradhtojnë, në emër të përfaqësimit të mashtrojnë, në emër të integrimit të manipulojnë, në emër të luftës të vjedhin, në emër të heronjve të qesin haraçin, në emër të integrimit territorial, e ndajnë vendin, në emër të zhvillimit ekonomik mbyllin fabrika dhe hapin depo të konsumit ditor.

Tani më, ky skenar është drejtë fundit. Për herë të parë që nga marsi 2004, ky klan politik ndjehet seriozisht i kërcënuar në humbjen e pushtetit, ngase tashmë të gjithë kanë filluar që të kuptojnë të vërtetën, të gjithë janë lodhur, shumë shpejt presin ndryshimin, njësoj si dikur që para syve e donin diktatorin Enver Hoxhën, ndërsa pas vdekjes së tij, u çlirua Shqipëria, u gëzua shqiptaria.

Por frika mbetet prezent nën prizmin e këtyre ndryshimeve. Ne e dimë se me ardhjen e udhëheqësve nëpërmjet skenave të dhunës (Mars 2004), largimi i tyre në mënyrën demokratike është paksa i vështirë?!!!
A do të përdoret Ura e Ibrit (Mars 2017) përsëri si një skenar i marrjes/mbajtjes së pushtetit, kjo mbetet të shihet. Urojmë që kjo mos të ndodh!

 

Shkruan: Fidan Mustafa

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img