Lajme

Refugjatët gjejnë mënyra ilegale për të kaluar kufirin verior të Maqedonisë


Publikuar më:


20160420122501555646-750x375

Refugjatët të cilët mbetën të bllokuar në Tabanoc pasi që “Rruga Ballkanike” tërësisht u mbyll, gjejnë mënyra të ndryshme ilegale për të vazhduar rrugën e tyre drejt Serbisë, prej ku synojnë udhëtimin drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

Që kur u mbyll “Rruga Ballkanike” më 9 shkurt të vitit 2016, rreth 1.500 refugjatë në qendrën transitore Tabanoc, në vendkalimin verior kufitar të Maqedonisë, mbetën të bllokuar.

Atëherë, 437 refugjatë, shumica shtetas të Sirisë dhe Irakut, mbetën të bllokuar në ndërmjet-zonën dhe dëshironin që të kthehen në qendrën transitore për refugjatë në Tabanoc ku përkujdesej për 1.055 refugjatë.

Momentalisht, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoni ka mbi 1.100 refugjatë prej të cilëve rreth 900 refugjatë në Tabanoc, ndërsa më shumë se 100 janë në qendrën transitore të pranimit të refugjatëve Vinojug, në Gjevgjeli.

“Sipas të dhënave me të cilat disponojmë, 947 refugjatë ka në Tabanoc, ndërsa rreth 160 refugjatë gjenden në Vinojug në Gjevgjeli”, konfirmuan për AA nga sektori për marrëdhënie me publikun pranë MPB-së.

Edhe nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) dalin me shifra të njëjta. “Më shumë se 920 refugjatë ka në Tabanoc, ndërsa rreth 140 janë në qendrën e pranimit të refugjatëve Vinojug në Gjevgjeli, në mesin e të cilëve ka edhe refugjatë të cilët janë kthyer në Tabanoc”, deklaroi për AA, Nadica Vuçkova Naumova, zëdhënëse e QMK-së.

Nëse merret parasysh se numri i refugjatëve që kanë mbetur në Maqedoni gjatë mbylljes së “Rrugës Ballkanike” arrin rreth 1.500, ndërsa numri i tanishëm është rreth 1.100, mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur me rreth 400 refugjatë.

AA mëson se refugjatët gjejnë rrugë alternative, mënyra ilegale që ta kalojnë kufirin verior të Maqedonisë, ku trafikantëve u paguajnë nga 1.500 euro për person për të arritur deri në Beograd.

Comments
To Top