19,04,2024

Rama: Së shpejti bursa e energjisë Shqipëri-Kosovë

Must Read

Sot në Kashar u përurua linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij kosovar, Isa Mustafa.

Kryeministri Rama e ka cilësuar këtë një projekt madhor, që hap një kapitull të ri drejt integrimit të dy vendeve.

“Një projekt i cili duhet të kishte përfunduar qysh në vitin 2011 dhe që përfundon sot pasi me vullnet të përbashkët nisëm punimet në 2014-n. Sot krijojmë premisën themelore për një treg të përbashkët të energjisë për një reduktim të konsiderueshëm të kostove. Ne jemi të vetëdijshëm se asnjë prej dy shteteve tona nuk ka rezerva të diversifikuara. Nëse në Kosovë, 97% e energjisë prodhohet nga termocentralet, në Shqipëri thuajse e gjitha prodhohet nga hidrocentralet. Mjafton pamja e dy anëve të kësaj medalje për të kuptuar se çfarë rëndësie strategjike ka që ne të punojmë që burimet e ndryshme t’i vëmë në shërbim të njëri-tjetrit dhe kështu kthehemi në hapësirë të diversifikuar. Në Kosovë është e njohur botërisht se sistemi ka kosto të lartë dhe mungesa e fleksibilitetit të sistemit e bën të pamundur një raport racional ndaj ndryshimit të kërkesave të tregut”, tha ai.

Rama tha se së shpejti do të krijohet bursa shqiptare e energjisë elektrike, nëpërmjet të cilës Shqipëria dhe Kosova do të mund të operojnë në mënyrë të përbashkët burimet dhe rrjetin e energjisë.

“Ne e kemi filluar këtë proces. Nuk është i lehtë, por vlen të nënvizohet se krijimi i kësaj burse shqiptare të energjisë elektrike do të na japë mundësinë që të operojmë në mënyrë të përbashkët burimet dhe rrjetin e energjisë. Kosova ka rezervat më të mëdha të linjitit në rajon, ndërsa Shqipëria ka rezervat më të mëdha të potencialit hidroenergjetik. Ajo që na ka dhënë Zoti ose natyra është e jashtëzakonshme në këtë aspekt. Një pasuri që ne duhet të kemi vizionin e duhur për të sjellë një transformim epokal në funksion të rritjes ekonomike, duke e kthyer gjithë këtë pasuri në një pasuri që jo vetëm nuk shkon dëm, por përkundrazi prodhon mirëqenie”, tha ai.

Kreu i qeverisë u shpreh se linja e interkonjeksionit u jep mundësinë të dy vendeve për t’u fuqizuar dhe integruar në tregun evropian të energjisë.

“Ne jemi pjesë e procesit të Berlinit dhe në samitin e Parisit është shumë e rëndësishme të prezantohemi me suksesin e këtij projekti dhe të ecim përpara për të çuar më tutje procesin ambicioz për të krijuar tregun rajonal energjetik”, tha ai.

Interkonjeksioni Shqipëri-Kosovë

Linja e interkonjeksionit 400 KW, quhet ndryshe edhe ‘autostrada’ që lidh dy shtetet. Projekti i hartuar vite më parë, tashmë ka përfunduar, për ndërtimin e së cilës u deshën 29 milionë euro për pjesën e Shqipërisë.

Financimi është bërë nga banka gjermane KfW. Për pjesën e Shqipërisë punimet për ndërtimin e linjës në terren kanë nisur në prill 2014 dhe përfunduan në qershor 2016. Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës.

Segmenti i parë i linjës nga Tirana në Vaun e Dejës me gjatësi 80 km përfshin shtrirjen e qarkut të dytë në linjën ekzistuese Tiranë-Podgoricë dhe Segmenti i dytë i linjës konsiston në ndërtimin e një linje të re me një qark Vau i Dejës-Morinë me gjatësi 71 km.

Linja e Interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë ka dy përcjellës për fazë të tipit ACSR 490/65 mm 2. Përcjellësi i mbrojtjes nga goditjet atmosferike do të jetë i pajisur në brendësi me fibra optike, për qëllime të telekomunikacionit dhe shkëmbimit të të dhënave.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img