26,04,2024

Qeveria ende s’e ka kompensuar Ferizajn për mjetet e shpenzuara për pandeminë

Must Read

Qeveria e Kosovës nuk i ka kompensuar komunat për mjetet e shpenzuara për menaxhimin e pandemisë, ndonëse atyre u është kërkuar që të bëjnë një planifikim të tillë.

Kryetari i komunës së Ferizaj, Agim Aliu në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se masat e marra në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes nuk i kanë plotësuar as për së afërmi kërkesat dhe nevojat e komunave.

Duke shtuar se edhe këto ndihma të pakta janë vonuar në ekzekutim, qoftë për bizneset, por edhe për vet komunën.

Sipas tij, kanë qenë kryetarët e komunave dhe komunat në përgjithësi me shtabet emergjente të tyre ata që janë përballur fillimisht me pandeminë.

“Pavarësisht faktit që ne e kemi pasur udhëzime  të shpenzojmë kuote të caktuara të buxhetit komunal që të jemi me efikas  në luftën kundër Covid-19 nuk është kompensuar me këto pako gjithë ajo që është shpenzuar më parë. Pakoja as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat e mbi të gjitha që është thënë kompensimi  që do të bëhet nga Qeveria për atë që ne kemi bërë gjatë përballjes me Covid-19. Në front të parë të përballjes me Covid-19, kanë qenë kryetarët e Komunave dhe komunat në përgjithësi me shtabet emergjente të tyre të zakonshme”.

“Ne jemi detyruar që të kemi një varg, masash, veprime, operacione të cilat kanë pasur kosto financiare dhe nuk jemi kompensuar në masën sa kemi shpenzuar si Komuna të Republikës së Kosovës. Për ta bërë edhe më keq këtë situatë, në përgjithësi secila pako që është mbështetëse qoftë ndaj bizneseve që është në procedurë e sipër ndaj qytetarëve dhe ndaj neve si komunë, nuk janë bërë asnjëherë në kohën e duhur përkundrazi janë vonuar  për arsye që janë në Prishtinë”.

Sipas tij, për të ju dalë në ndihmë bizneseve normat e interesit të kredive do të duhej të ishin më të ulëta në mënyrë që të jetë më e përballueshme për bizneset, por edhe për qytetarët.

Ai thekson se kreditë nuk është dashur vetëm të shtyhen, por edhe të ndërdyheshin normat e interesit dhe kushtet e tjera më të favorshme.

“Është e çuditshme mos veprimi i Qeverisë në mos ndërhyrje të mundshme ligjore që të bëhen përmes Bankës  Qendrore të Kosovës që të krijojë masa lehtësuese sa i përket marrjes së këtyre kredive, apo edhe marrjes së kredive që i kanë pasur më herët. Në kuptimin që jo të shtyhen, por është dashur që të ndërhyjë në normat e interesit dhe kushtet e tjera më të favorshme në mënyrë që të ketë një mbështetje shumë më direkte se sa vet pakot që janë përgatitur dhe  që janë në kuadër  të procedurave ne Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Kreu i Ferizaj thotë se pandemia ka goditur ekonominë e këtij qyteti, që sipas tij, është qendra kryesore në vend pas kryeqytetit.

Sektori i gastronomisë dhe ai i ndërtimtarisë thotë Aliu kanë qenë më të goditurit në këtë periudhë duke pasur humbje të mëdha, raporton EO.

“Në këtë rast te komuna e Ferizajt si qendra kryesore pas Prishtinës me zhvillimin ekonomik është në masë të madhe e goditur nga pandemia, për faktin e respektimit të masave që kanë pasur ashpërsimin e tyre dhe në mënyrë te veçantë kanë qenë goditjet në sektorë të caktuara të ekonomisë dhe dihet tash më fakti se ndër sektorët më të goditur nga pandemia ka qenë gastronomia e cila vazhdon edhe sot të jetë e goditur nga këto masa sepse ende nuk janë liruar të gjitha masat sa i përket veprimtarisë së gastronomisë”.

“Po ashtu, si biznes i dytë i goditur ka qenë sektori i ndërtimtarisë i cili ka pësuar në masë te madhe ku që të dy këto sektorë janë shumë të zhvilluara sidomos kohëve të fundit në komunën e Ferizajt, për faktin se Ferizaj tash më është atraktiv jo vetëm për të zhvilluar biznes në fusha të tjera por edhe për tu vizituar nga turistet tjerë. Ferizaj, është i goditur përkundër faktit se shumica e bashkombasëve tanë që janë në Republikën e Maqedonisë Veriore në të shumtën e rasteve vikendet i kanë kaluar në Komunën e Ferizajt dhe tash më për faktin që ka qenë të mbyllur kufijtë ata nuk kanë mundur te vijnë. Që nga dita e hapjes së kufijve ne e kemi parë efektet e kësaj ardhje dhe është tregues i qartë i asaj që ka munguar në të kaluarën. Mos ardhja e tyre ka ndikuar që të ketë më pak konsumim të ketë më pak qarkullim të parasë në mënyre te veçantë siç e potencova në fushën e gastronomisë dhe po ashtu edhe mosardhja e mërgimtarëve tanë  ka ndikuar që të ketë më pak nga sektori i ndërtimtarisë dhe i gastronomisë që janë një ndër sektorët më të zhvilluar tash më në komunën e Ferizajt”.

Ai thotë se para dy muajsh kanë pasur të hyra vetëm 13%, përderisa me lirimin e masave të hyrat vetanake kanë arritur në 43 për qind.

Si në inkasim i të hyrave vetanake ka një rënie të dukshme si rezultat i efektit te pandemisë. Deri para dy muajve ne kemi pasur të hyra vetëm prej 13%, kurse pas lirimit të masave e kemi një ngritje ta quajmë të lehtë në masën prej 43% të të hyrave vetanake. Shpresoj se në këtë fundvit të konsolidohemi edhe më shumë në kuptimin që të zhvillohet edhe ma shumë ekonomia dhe që praktikisht të paktën mbi 50% të planit të të hyrave vetanke si Komunë ta realizojmë”, tha Aliu për EO.

Sipas tij, janë disa projekte të cilat kanë ndryshuar dinamikën e punës për shkak të efektit të pandemisë.

“Projektet kanë ndryshuar dinamikën e tyre dhe në mbështetjen financiare qe prapë lidhen me efektet e pandemisë. Në fakt nëse duhet të përmendim një projekt që është hequr krejtësisht fare nga Qeveria në Prishtinë, është projekti i ndërtimit të ndërtesës së re së objektit të Komunës së Ferizajt që ishte i planifikuar nga Ministria e Administratës Publike për arsye të pakove që është dashur të krijohen për rimëkëmbje ekonomike është hequr ky projekt në tërësi ndërsa projektet tjera janë të shkurtuara në masën monetare shumë prej tyre tash më kanë së paku 50 për qind të financave me pak se sa kanë qenë te planifikuara dhe kjo ka ndikuar që jo të pezullohet, por dinamika për shkak të gjendjes të mos bëhen me kohë dhe të kenë probleme të caktuara”, ka thënë Aliu.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha mban punëtori në Universitetin e Vjenës

Pas një periudhe intensive të hulumtimit dhe bashkëpunimit me akterët nga qeveria, akademia dhe industria në Austri, Prof. Asoc....

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img