20,04,2024

Punësimet që nuk u bën kurrë

Must Read

pune-620x410

Në dhjetor të vitit 2014 PDK e Hashim Thaçit me LDK-në e Isa Mustafës nënshkruan marrëveshjen e bashkëqeverisjes për vitet 2014-2018.

Ky koalicion në fushatë elektorale dhe në fillim të mandatit të tij premtoi shumë vende pune për kosovarët, por sipas njohësve të ekonomisë ende nuk po shihen aktivitete ekonomike të qeverisë të cilat do të mund të përmbushnin premtimin e dhënë gjatë fushatës elektorale për krijimin e qindra vendeve të reja të punës

Madje premtimet për 200 mijë vende të reja, analistët po i shohin vetëm si premtime elektorale dhe të parealizueshme nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë në Kosovë, Ibrahim Rexhepi, ka thënë për Gazetën fjala se qeveria e tanishme ka dështuar në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investime dhe punësim.

“Qeveria nuk hap vende pune, por krijon ambient për zhvillim, rritje ekonomike dhe përmirësim të gjendjes sociale përmes punësimit dhe programeve të tjera. Këto, asnjërën nuk i ka arritur kjo qeveri”, ka thënë ai.

Rexhepi thekson se mosfunksionim i shtetit, gjykatave, korrupsioni, shantazhet si dhe informaliteti ndikon drejtë për së drejti në investimet e huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“… qeveria ka dështuar në përmirësimin e ambientit për biznes për siguri më të madhe për investimeve, si edhe për rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë te institucionet shtetërore”, thotë ai.

Ndërkohë që qytetarët e Kosovës edhe këtë vit po vazhdojnë të kërkojnë punë. Madje numri i tyre duket se do të jetë goxha i madh. Vetëm brenda një muaji e gjysmë, zyrave të punësimit i kanë mësyrë rreth 3 mijë persona të dy gjinive.

“… për më pak se dy muaj në zyrat e punësimin në të gjithë territorin e Kosovës janë lajmëruar 2 mijë e 911 persona punëkërkues. Nga ky numër i përgjithshëm rreth 1176 punëkërkues i takojnë gjinisë femërore”, ka thënë për Gazetën Fjala, Musa Demiri, zëdhënës në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Derisa, nga ky numër gjysma e tyre del të jenë femra.

Qeveria po i varfëron qytetarët

Ndërkohë që zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur se shteti ka dështuar në premtimet e dhëna për krijimin e vendeve të reja të punës dhe të një ambienti më të mirë ekonomik.

Zëdhënësi i kësaj lëvizje, Adonis Tahiri ka thënë për Gazetën Fjala se planifikimi ekonomik i qeverisjes Mustafa-Thaçi është planifikim i cili varfëron më shumë qytetarët.

“Doli që Qeveria e Kosovës të jetë mjet i Serbisë për realizimin e interesave të veta politike dhe ekonomike brenda Kosovës. Në vend se të merret me rritjen e prodhimit, si parakusht për zhvillim ekonomik dhe për hapje të vendeve të reja të punës ajo negocion me Serbinë”, thotë Tahiri.

Sipas tij në Kosovë nuk mund të ketë punësime përderisa nuk krijohet ambient i sigurte për investitorët.

“… përderisa në vend do të ketë krim të organizuar, korrupsion, si dhe përqindja që duhet ta japin tek klanet e pushtetarëve, nuk do të ketë punësime”, ka shtuar ai.

Ndërkohë që Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane shprehet se gabimet në premtimet mbi punësimin në Kosovë janë shumë-palëshe dhe shumë-dimensionale, por që natyrisht barra më e rëndë e përgjegjësisë bie mbi të gjitha Qeveritë, posaçërisht pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

“…mungesa e një strategjie nacionale zhvillimore, ngathtësia në reduktimin e burokracisë, perceptimi i keq për korrupsionin që vendi i ka ndërtuar vetes ndër vite dhe aq më keq mungesa e përpjekjeve për eliminimin e tij, sundimi i dobët i ligjit dhe mosfunksionimi i gjykatave janë disa prej aspekteve që e kanë përcjellë vendin gjatë gjithë këtyre viteve”, ka thënë ditë më parë Arian Zeka në një intervistë për Gazetën Fjala.

Ndryshe, papunësia në Kosovë ende mbetet alarm për institucionet e saja.

Të dhënat që kanë dalë nga regjistrimi i popullsisë, thuhej se gati gjysma e popullatës e aftë për punë, apo 44.9 për qind, janë të papunë. Kurse 55 për qind llogaritet papunësia tek të rinjtë nga mosha 15 deri në 24 vjeç

Ndryshe, shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë Kosovën e ka përcjellë që nga përfundimi i luftës së fundit.

Ndërkaq, pikërisht situata ekonomike ka qenë një nga arsyet që Kosova, në fund të vitit të kaluar është ballafaquar me rritjen e migrimit të qytetarëve të saj, të cilët kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian./GazetaFjala/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img