26,04,2024

PSE DO TA VOTOJA HILLARY CLINTON-IN…?

Must Read

“ Ne po punojmë që ju sa më shpejt të ktheheni në shtëpitë tuaja…!” (Bill e Hillary Clinton, Shkup, maj 1999)

Besim Zymberi-Ferizaj

-I-
Një shqiptar i fshatit Naxharlik të rajonit të Adanasë në Turqi, në televizor rrëfente një episod të tmerrshëm të dëgjuar nga i gjyshi. Gjatë shpërnguljes për Turqi, në vitin 1912, paraardhësit e tij kishin marrë edhe qenin e shtëpisë me vete. Por, ushtarët serb, nuk e kishin lënë qenin të shpërngulej, duke e ndaluar në kufi. Qeni paskësh rënkuar, sepse nuk dëshironte të ndahej nga familja e vet…!
Kaq vlenin shqiptarët… Qeni mund të mbetej në Kosovë, por shqiptarët, jo!
Kështu e mendonin shqiptarin serbët, të përkrahur në heshtje edhe nga Evropa perëndimore e kohës.

-II-
Nëse e vëzhgojmë me kujdes historinë e shqiptarëve, një pjesë shumë tragjike e saj, ndoshta edhe më tragjikja, është shpërngulja e tyre e dhunshme në vende të huaja.
Këto shpërngulje, në të vërtetë ishin krime gjenocidi të pushtuesve të jashtëm ndaj shqiptarëve.
Shpërnguljet e shqiptarëve, organizoheshin në nivel shteti pushtues, varësisht se cili ishte ai (Perandoria Osmane, Serbia, Turqia, Greqia etj.)!
Kështu ndodhi pas vdekjes së Skënderbeut, kur një e treta e popullatës shqiptare u shpërngul në Itali dhe vende të bregdetit iliro-dalmat!
Kështu ndodhi gjatë shekujve XVII e XVIII, kur shqiptarët e konfesionit ortodoks, masovikisht u detyruan të shpërnguleshin në Bullgari, Rumani e Ukrainë, të ndjekur e të persekutuar nga Perandoria Osmane, e cila mbështeste elaboratet antishqiptare të Kishës Greke!
Kështu ndodhi në shekujt XIX e XX, kur shqiptarët masokivisht, me dhunë u zhveshën nga identiteti tyre kombëtar, për t’u dërguar si turq në Turqi.
Kështu ndodhi edhe gjatë shekullit XX, kur çamët u përzunë përdhunisht nga trojet e tyre në Greqinë e sotme!
Gjatë historisë së këtyre përzënieve-deportimeve shkatërrimtare, nuk është shënuar qoftë edhe një rast i vetëm, që dikush t’ju dalë refugjatëve shqiptarë e t’ju thotë: “Ju do të ktheheni në shtëpitë tuaja…!”
Përkundrazi, duket që të gjithë ishin të lumtur që shqiptarët e shpërngulur nuk do të ktheheshin më në shtëpitë e veta…!?
Por, në vitin 1999, hyjnitë, si shumë pak herë në histori, dolën në anën e shqiptarëve.
Ndoshta jo të zbritura vetë nga qielli, por të frymëzuara thellë nga lart…
Mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës, u përzunë me dhunë nga shtëpitë e tyre, nën thikat e shtetit serb.
Serbia, pothuaj se e kishte bërë publik qëllimin e një deportimi të tillë të shqiptarëve e që ishte, serbizimi i saj!
Por, mbi të gjitha ajo besonte se Evropa perëndimore, do të bënte ca reagime formale dhe pas disa muajsh, gjithçka do të heshtej e miratohej, siç kishte ndodhur në historinë jo të largët.
Por, kësaj radhe, nuk ia doli!
Në kampet e refugjatëve shqiptarë në Maqedoni, erdhën Bill e Hillary Clinton dhe bashkëpunëtorja e tyre, Madeline Olbright, pastaj Tony Blair etj…
Përqafuan fëmijët shqiptarë refugjatë dhe bashkëndjenë edhe nëpërmjet lotësh dhimbjen e tyre…
“Ne po punojmë që ju sa më shpejt të ktheheni në shtëpitë tuaja! Ju shpejt do të ktheheni në shtëpitë tuaja!”
Ishte më shumë se vetëm një solidarizim…!
Thjesht, shqiptarët në ato çaste kishin përjetuar një mbështetje hyjnore…
Për herë të parë në historinë e dhimbjes shqiptare të shpërnguljes, doli dikush t’ju thoshte:”Ju do të ktheheni shpejt…!”
Ishte çifti Clinton dhe bashkëmendimtarët e tyre…
Ishte vullneti hyjnor i shprehur nëpërmjet këmbënguljes dhe bindjes së tyre të pathyeshme për ta shpëtuar një popull nga kërcënimi me zhdukje…!

-III-
Në periudhën e luftës në Kosovë, unë isha në kampet serbe të përqendrimit. Kisha mbijetuar edhe masakrën e tmerrshme në Burgun e Dubravës.
Pasi dola nga kampet serbe, bashkëshortja ime më tregonte se si gjatë tërë kohës së bombardimeve të Serbisë nga NATO, kishte qëndruar në shtëpinë e saj, me pjesën më të madhe të familjes. Meqë është mami me profesion dhe duke mos pasur asnjë mjek në rrethinë, ajo kishte kryer edhe detyrën e mjekut, madje edhe të atij kirurg ndonjëherë…! U kishte lidhur plagët të luftëtarëve, kishte shëruar të sëmurë dhe kishte ndihmuar në lindjen e mbi 20 fëmijëve shqiptarë në kushte shumë të vështira atëbotë. Më tregonte se ishte krejtësisht e errët pamja e Kosovës atyre ditëve të zymta.
-Por, ishte vizita e çiftit Clinton në kampin e refugjatëve në Maqedoni, që na e ktheu shpresën,- më tregonte gruaja ime, për të vazhduar:
-Përqafimi i fëmijëve shqiptarë refugjatë, nga Hillary, më bëri të besoj se luftën do ta fitojmë ne dhe refugjatët do të kthehen në shtëpinë e tyre…!
Sa herë Hillary Clinton del në televizor, gruaja ime emocionohet…I kujtohen lufta dhe shpresa njëkohësisht…Do të donte që vetëm për pak minuta ta kishte shtetësinë amerikane. Vetëm aq minuta, sa do t’i duheshin për ta votuar Hillary Clinton për kryetare…!

-IV-
Po ashtu, sot ende kemi projekte politike, të mbështetura edhe nga vende të fuqishme të Evropës perëndimore, për një Kosovë shtet, por me shqiptarë të gatshëm që të transformohen radikalisht nga identiteti i tyre kulturor historik!?
Projekte të tilla, arsyetohen me gjoja nevojën e kompromiseve për të ecur më tutje…?!
Bill Clinton, i mbështetur nga bashkëmendimtarja e tij, Hillary Clinton, menduan dhe mendojnë se shqiptarët nuk duhet të transformohen asnjë pikë nga identiteti i tyre, sepse vetëm si të tillë i duhen botës dhe pritjeve të saja për paqe të qëndrueshme!
Hillary Clinton, pret një mandat presidencial në SHBA, që do të jetë një garanci e vazhdimit konceptual të mbështetjes së çështjes shqiptare.
Në nëntor kjo vazhdimësi mund të legjitimohet!

Ja pra pse unë dhe bashkëshortja ime do ta votonim Hillary Clinton-in për kryetare të SHBA-së…!
Shqiptarët e SHBA-së, jam i bindur se janë më me fat se ne dhe do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që në formë ceremoniale të japin kontribut që Hillary Clinton, të jetë kryetare e ardhshme e SHBA-së!
Edhe vullneti i Perëndisë nuk mund të jetë ndryshe!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img