26,04,2024

Politologu kosovar rrëfen para gjykatës shkuarjen dhe largimin e shpejtë nga ISIS-i

Must Read

albert-berisha-780x439

I diplomuari në shkencat politike, Albert Berisha, që nga prokuroria Speciale e Kosovës akuzohet për pjesëmarrje në grup terrorist, rrëfeu para gjykatësit versionin e tij që nga planifikimi i udhëtimit për në Siri, njohjen dhe bisedat me Lavdrim Muhaxherin si dhe mënyrën si inskenoi sëmundjen e nënës për t’u larguar nga ISIS.

Albert Berisha që diplomoi për shkenca politike në UP dhe i magjistruar në Universitetin e Tiranës për marrëdhënie ndërkombëtare, tregoi se si iu ndërpre rruga e shkollimit të tij drejt tri doktoratave në universitete ndërkombëtare për arsye të arrestimit të tij nën akuzat për terrorizëm.

Berisha tregoi se udhëtimin e tij për në Siri e kishte planifikuar me dy persona, të cilët në fund kishin ndërruar mendje ndërsa ai u nis i vetëm.

Ai tha se për në Siri ishte nisur me 6 tetor 2013 ndërsa qëllimi i vizitës së tij ishte ndihmesa e opozitës siriane në luftën e tyre ndaj regjimit të Bashar Al Asadit.

Berisha tregoi se në Siri ka qëndruar nga data 6 deri më 20 tetor kur ishte kthyer në Kosovë, ndërsa gjashtë prej këtyre ditëve i kishte kaluar në rrugëtim.

“Një ditë kam qëndruar afër qytetit të Alepos, tri ditë në qytetin Tal Rifat dhe 5 ditë në qytetin Azaz”, tha Berisha para trupit gjykues.

Berisha mohoi që të ketë qenë ndonjëherë pjesë e luftimeve në Siri, por pranoi që të ketë qenë pjesë e grupit Ahrah Al Sham.

“Me vetëdije të plotë kam marrë pjesë në grupin Ahrad al Sham. Është një grup opozitar, i cili nuk bën pjesë në organizatat terroriste, as në listën e Departamentit Amerikan të Shtetit, përkundrazi është i financuar nga Katari, Arabia Saudite dhe indirekt me armatim nga SHBA. Gjatë kësaj periudhe sa kam qëndruar në atë grup, kam qenë i vetmi shqiptar aty”, tha Berisha.

Sidoqoftë, Berisha tregoi se para se të bëhej pjesë e këtij grupi, kishte qenë pjesë e grupit të Lavdrim Muhaxherit, apo siç njihet në frontin e luftës në Siri, Ebu Abdullahut, të cilin mohoi ta kishte njohur më parë.

Ai tha se pasi kishte arritur në Siri kishte kërkuar të takohej me grupin e shqiptarëve e arsyeja për këtë ishte që të mos kishte barriera gjuhësore, por nuk kishte pasur njohuri se për cilin grupacion po luftonin shqiptarët.

“Betohem në Zot se nuk e kam dëgjuar dhe nuk e kam dëgjuar kurrë më parë”, tha Berisha duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit special Admir Shala se a kishte njohur Lavdrimin para se të shkonte në Siri.

Berisha tregoi se gjatë kohës sa ka qëndruar në Siri, gjatë dy orëve të ditës sa kishte energji elektrike hulumtonte në internet për grupacionet që po luftonin në Siri.

Pikërisht nga aty, Berisha e kishte kuptuar për videon e parë që e kishte realizuar Lavdrim Muhaxheri më 13 nëntor.

“Aty e kam ditur se ai ka qenë pjesë e organizatës së Shtetit Islamik, dhe për këtë arsye kam vendosur që t’i bashkohem grupi Ahrah Al Sham”, tha Berisha.

Berisha tregoi se pas kësaj, pra pas vetëm tri ditësh në grupin shqiptar, kishte vendosur të largohej nga grupi i shqiptarëve ndërsa për ta realizuar këtë kishte menduar një plan.

“I kam dërguar një mesazh në Facebook një shoku tim në Kosovë që të ma dërgojë një mesazh të tillë dhe pastaj ai më ka dërguar një mesazh të tillë duke më thënë se e ke prindin të sëmurë dhe duhet të kthehesh në shtëpi. Dhe shoku im më dërgoi mesazhin me përmbajtjen që e kam kërkuar unë dhe këtë e përdora si arsyetim të kthehem në Kosovë”, rrëfeu Berisha.

Berisha tha se përmbajtjen e këtij mesazhi ia kishte treguar edhe Lavdrim Muhaxherit, dhe ia kishte kërkuar pasaportën e cila i ishte konfiskuar sapo kishte arritur në Siri.

Megjithatë, Berisha tregoi se Muhaxheri nuk ishte bindur nga mesazhi që ia kishte treguar, ndërsa kërkesën për t’u larguar ia kishte kumtuar direkt Muhaxherit, duke e njoftuar njëkohësisht se do t’i bashkohej grupit Ahrah al Sham.

Berisha tha se kërkesa e tij ishte miratuar, dhe ai ishte lejuar të largohej, por pasi ishte kthyer në Kosovë, kishte dëgjuar nga një shqiptar nga Shkupi se disa shqiptarë nga grupi i të rekrutuarve në ISIS “kishin shprehur keqardhjen që nuk më kanë vrarë”.

Berisha tregoi se pasi ishte larguar për në grupin Ahrar al Sham, nuk kishte marrë pjesë në luftime apo në stërvitje për shkak të periudhës së shkurtër që kishte qëndruar aty.

Qëndrimi i Berishës në grupin Ahrah al Sham, kishte përfunduar shumë shpejt, pasi që siç tha Berisha e kishte kuptuar nga disa njerëz në organizatë që do të fillonte lufta mes grupit të tij dhe ISIS dhe se ai nuk e gjente vetën më në këtë luftë.

Pas dëgjimit të akuzuarve në këtë rast do të vazhdohet me fjalën përfundimtare. /KALLXO.com/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img