Kultura-Arti

Përurohet projekti “Konservimi dhe Revitalizimi i pjesshëm i Kalasë së Kaçanikut “.


Publikuar më:


Kalaja e Kaçanikut tashmë do të jetë e gatshme të presë vizitorët. Falë investimit të përbashkët nga Komuna e Kaçanikut dhe Fondacioni Suedez “ Trashëgimia Kulturore pa Kufij”( CHwB) sot është përuruar projekti “Konservimi dhe Revitalizimi i pjesshëm i Kalasë së Kaçanikut “. Të gjithë qytetarët e Komunës së Kaçanikut tashmë do të kenë mundësinë që të shijojnë shiritin e ecjes mbi kalanë e Kaçanikut, për të para nga lart një pjesë të qytetit. Poashtu gjatë natës kalaja do të ndriçohet dhe pjesa e qytetit afër kalasë do ndriçoj edhe gjatë natës.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi në ceremoninë e përurimit të punimeve në kala, falënderoi CHw-në për investimet e realizuara në Kaçanik, ndërsa njëkohësisht falënderoi Forumin Lokal për Trashëgiminë Kulturore( FLTK) për punën e bërë në mënyrë vullnetare në fushën e trashëgimisë kulturore në Kaçanik. “ Sot po përurojmë punimet që janë bërë në kala të qytetit, ndërsa na gëzon fakti se në këtë projekt është angazhuar tërë komuniteti i qytetit përmes FLTK-së, ndërsa kjo mbetet një pikënisje e mbarë e përbashkët për investime te tjera në fushën e Trashëgimisë Kulturore në Kaçanik”, tha Kryetari Ilazi.
Nga ana tjetër, Sali Shoshi- Drejtor Ekzekutiv i CHwB-së, tha se është kënaqësi që me rezultate të mëdha po përmbyllet një cikël katërvjeçar i një bashkëpunimi me Komunën e Kaçanikut. Drejtori i CHwB-së tha se më madhështore këtë ceremoni e bënë edhe procesi i këtij programi, ku të gjitha prioritetet në fushën e trashëgimisë kulturore janë identifikuar nga vet banorët e qytetit të Kaçanikut përmes FLTK-së. Drejtori Shoshi njoftoi se nesër do të bëhet përurimi i video Promos për Komunën e Kaçanikut, në ceremoninë qendrore përmbyllëse të programit katër vjeçar me shtatë Komunat e Kosovës.
Për detaje rreth punimeve të realizuara foli Menor Pajaziti- menaxher i projektit të kalasë nga CHwB-ja. “fillimisht është pastruar muri nga kolonizimi biologjik duke përfshirë heqjen e bimëve e rrënjëve të ndryshme, myshqeve etj. Më pas, është bërë konservimi i strukturës së mureve dhe konsolidimi i gurëve. Për shkak të jostabilitetit është bërë edhe lidhja e gurëve me gëlqere, ndërsa trajtimi i fugave është bërë në mënyrë autentike duke e ruajtur formën origjinale. Faza e dytë e projektit ka përfshirë ndërtimin e shtegut për këmbësorë, rrethojën në pjesën e lumit dhe pjesën verilindore, ndriçimin etj” tha mes tjerash menaxheri Pajaziti. Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe Annika Magnusson- Sekretare e Përgjithshme e CHwB-së.
Për realizimin e projektit për dy fazat janë shpenzuar afër 60,000 euro nga CHwB-ja dhe Komuna e Kaçanikut.

Comments
To Top