26,04,2024

Në 19 vjetorin e rënies është përkujtuar me pietet dëshmori i UÇK-së, Cen Dugolli

Must Read

Me homazhe dhe vendosje të kurorave me lule është përkujtuar jeta sot dhe vepra e dëshmorit të kombit Cen Dugolli i cili ra heroikisht para 19 viteve.

Në këtë aktivitet përkujtimor mori pjesë edhe kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa i shoqëruar edhe nga kryesuesi i Kuvendit të komunës Faruk Guri si dhe drejtorët e qeverisë komunale.

Me këtë rast kryetari Svarqa theksoi se dëshmorët meritojnë respekt dhe përkrahje institucionale të gjithmonshme ngase sakrifikuan shumë për ardhjen e lirisë, ndërsa u zotua se do të angazhohet maksimalisht që të përmbushet dëshira e familjes për rregullimin e një shtatoreje vitin e ardhshëm.

“ Ne do të kemi parasysh gjithmonë kërkesat dhe nevojat e familjarëve të dëshmorëve dhe na bën të lumtur fakti që ata na besojnë e gjejnë mbështetje tek ne. Bashkë me kryesinë e Kuvendit dhe këshilltarët komunal do t’i inicojmë procedurat që të caktohet një vend në afërsi të rrugës “Cen Dugolli” që të ngrisim edhe një shtatore aty pranë, për të qenë i gjallë kujtimi për veprimtarinë dhe heroizmin që ka treguar Cen Dugolli gjithmonë ,bashkë me të gjithë veprimtarët e tjerë që sot janë dëshmorë të lirisë” deklaroi kryetari Savrqa.

Kurse të pranishmit në emër të organizatave të dala nga lufta i ka falënderuar për pjesëmarrje Luan Jahiri.

Ai ka thënë se dëshmoret meritojnë nderime të larta qytetare e institucionale pa dallim ndërsa shtoi se njoftimet për homazhe tani e tutje do të jenë më të rregullta.

Jahiri ka ftuar qytetarët ferizajas që t’i përgjigjen sa më masivisht tubimeve të tilla përkujtimore për të nderuar familjet e dëshmorëve, por edhe sakrificën që kanë bërë të gjithë ata që rrokën armët për t’i dalë zot atdheut.

Ndërkaq edhe familja Dugolli ka falënderuar pjesëmarrësit për ardhjen në homazhe. Fëmijët e dëshmorit Cen Dugolli të cilët jetojnë në Francë prej vitesh treguan se lidhjen me Kosovë, vazhdojnë ta kenë të fortë edhe më tutje nga se kanë dëshirë që çdo përvjetor të vijnë e ta nderojnë varrin e babait dëshmor.

Dëshmori Cen Dugolli ishte njëri ndër veprimtarët e parë të rezistencës, i cili u vra nga forcat serbe në burg më 17 gusht të vitit 1998.

Ai vdiq nga torturat e shumta që i bënë policët serb por asnjëherë nuk u dorëzua e nuk tregoi për veprimet çlirimtare që po përgatisnin shokët në ilegalitet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img