19,04,2024

Mustafa: Nënë Tereza personifikim i virtyteve më të larta njerëzore

Must Read

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e promovimit të emisionit të jashtëzakonshëm të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa theksoi rëndësinë që ka për Kosovën shenjtërimi i Nënës Terezë dhe aktivitetet shtetërore që po organizohen në kuadër të Vitit të Nënës Terezë, të shpallur nga Qeveria e Kosovës.

“Për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj, është një nder i veçantë që të respektojmë një figurë të jashtëzakonshme dhe një humaniste globale siç është Nënë Tereza. Prandaj, ky vit është një vit i madh për Kosovën, është vit i të arriturave tona, por mbi të gjitha është vit i Nënë Terezës”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa më tutje ka folur për figurën e Nënës Terezë duke e quajtur figurë madhore që doli nga populli shqiptar, por që tani i takon tërë njerëzimit.

“Nënë Tereza është personifikim i humanizmit, i vetëmohimit për njeriun, i sakrificës shpirtërore dhe fizike për njerëzit në nevojë, është simbol i dashurisë, i shpresës dhe i virtyteve më të larta njerëzore. Prandaj Shenjtërimi i Nënë Terezës është një ngjarje botërore, por një ngjarje të cilën ne në Kosovë dhe gjithë shqiptarët e përjetojnë në mënyrë të veçantë për arsye të përkatësisë sonë dhe Nënë Terezës”, tha kryeministri.

Duke vlerësuar lartë edhe veprën e Postës së Kosovës për emetimin e Pullës Postare e cila i përkushtohet Shenjtërimit të Nënës Terezë, kryeministri Mustafa i ka përgëzuar të gjithë ata që kanë punuar në këtë drejtim.

“Ne të gjithë po demonstrojmë respektin tonë shtetëror, respektin tonë qytetar, respektin tonë social, por edhe të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për figurën e Nënë Terezës. Unë ju falënderoj për këtë organizim, falënderoj Postën dhe veçmas falënderoj Ipeshkvin e Kosovës për gjithë punën e madhe që po bënë në këtë vit, por edhe punën që ka bërë edhe në vitet e kaluara në dhënien e rëndësisë së veçantë simbolikës së figurës së Nënë Terezës”, tha kryeministri.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka falënderuar Postën e Kosovës për iniciativën që në letrat që do të nisen prej Kosovës nëpër botë “të jetë figura e shenjtëreshës sonë Gonxhes sonë të dashur, nënës së botës dhe nënës së të varfërve, e cila na nderon dhe na bënë krenar të gjithëve”.

Imzot Gjergji, po ashtu ka falënderuar kryeministrin për shpalljen e vitit të Nënës Terezë, por edhe për kontributin të cilin Qeveria e Kosovës e ka dhënë për koncertin i cili do të mbahet në Vatikan në vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë, më 3 shtator, dhe Parlamentin e Kosovës që e ka shpallur ditën e bamirësisë 5 shtatorin, ditën e Nënës Terezë.

“Është me të vërtetë një nder i madh për të gjithë ne dhe është një mundësi e mirë për t’i falënderuar të gjithë ata të cilët përpiqen që të bëjnë diçka të mirë për njerëzimin, të bëjnë diçka të mirë për kombin, të bëjnë diçka të mirë për familjen, të jenë njerëz të mirë në këtë botë. Në të kaluarën ne si komb kemi dhënë shumë figura të pendës, e të shpatës, figura të cilat kanë ditur të japin kontribut në zhvillimin e njerëzimit dhe qytetërimit evropian dhe në udhëheqjen e Perandorisë Otomane. Por, figura e Nënës Terezë i tejkalon të gjithë dhe është shpërblim nga Zoti për të gjithë sakrificën që kombi ka bërë në historinë e vet. Sepse, Nënë Tereza është figurë e shpirtit tonë dhe e zemrës bujare te shqiptarët. Askush në histori s’ka ditë ta shpalosë zemrën bujare të popullit tonë si Nënë Tereza. Këndej, ne nuk duhet të mendojmë se çka ka bërë Nënë Tereza për ne, sepse punën më të madhe Nënë Tereza e ka bërë që se ka mohuar kurrë që është bijë e gjakut tonë dhe që në emër të këtij gjaku dhe në emër të kësaj bije na kanë dashur dhe vazhdojnë të na duan, na kanë simpatizuar dhe vazhdojnë të na simpatizojnë, njerëzit e mbarë botës, sepse është fytyra jonë. Nënë Tereza nuk duhet të jetë vetëm një simbol me të cilin ne vetëm mburremi, por duhet të jetë një frymëzim që do të na nxisë neve që të jemi më bamirës, të jemi më bujar, të jemi më njerëzor, të kemi aftësi më të mëdha për kompromis, të kemi dorezë për dialog dhe ta çojmë vendin përpara me qetësi dhe me shpresë për një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Imzot Dodë Gjergji.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, në fjalën e tij theksoi se emetimi i pullës dhe promovimi bëhen në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Vitit të Nënës Terezë.

Hoxhaj gjithashtu foli për rëndësinë që ka për Filatelinë e Kosovës emetimi i kësaj Pulle Postare.

Krejt në fund, drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, i ndau kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe zonjës Justina Pula Shiroka, Pullën Postare të punuar në pllakë bronzi./Lajm

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img