26,04,2024

Mustafa ia kthen Haradinajt: Në vend të kërcënimeve, prezanto argumentet

Must Read

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka kthyer përgjigje deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj.

Ky i fundit i ka thënë se Mustafa e Thaçi po bëjnë tradhti me ratifikimin e demarkacionit.

Mustfa i ka thënë se në vend të kërcënimeve do të ishte mirë që Haradinaj t’i prezantojë argumentet.

Kryeministri gjithashtu i ka thënë Haradinajt të japë përgjigje për disa ligje të votuara nga AAK me këtë kufi të përcaktuar.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Mustafës:

Sot e lexova një ultimatum të deputetit Daut Haradinaj në “letrën e tij publike” që mos t’i bëjë tradhti vendit me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Deputeti Haradinaj e paska marrë në dorë ligjin (apo kanunin) për të caktuar se kush dhe për çfarë është tradhtar, duke parashikuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Qeveria do t’ia prezantoj Kuvendit Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, sipas argumenteve të Komisionit shtetëror.

Z. Haradinaj, në vend të kërcënimeve do të ishte e rrugës t’ia prezantoj Kuvendit argumentet se cila tokë që është administruar nga Kosova përfundimisht më 31 dhjetor të vitit 1988 iu paska dhënë Malit të Zi.

Unë do tu gëzohesha argumenteve të tilla. Por, deri sot, përveç manipulimeve me harta topografike e ushtarake, në periudha kohore të cilat nuk i përkasin kohës dhe rrethanave të shpalljes së pavarësisë, si dhe kërcënimeve dhe denigrimeve, asnjë argument nuk është ofruar as nga ata që e pollën këtë kauzë të humbjes së 8,000 hektarëve e as nga ata që po i thonë vetes specialist dhe që janë vënë në shërbim të kësaj kauze dhe të politikës populliste.

Z . Haradinaj duhet tu tregoj qytetarëve të Kosovës, pse grupi parlamentar i AAK-së votoi Ligjin për Shpalljen e Bjeshkëve të Nemuna zonë të mbrojtur në po këta kufij me Malin e Zi. Duhet tu tregoj qytetarëve pse Plani Hapësinor i Kosovës, i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës ( i nënshkruar nga Kryetari i mëparshëm i Kuvendit) është në po këta kufij. Tu tregoj qytetarëve se pse Ligji për kufijtë Komunal i aprovuar në vitin 2012 ( i nënshkruar nga kryetari i mëparshëm i Kuvendit) është në këta kufij. Tu tregoj qytetarëve të Pejës, pse Plani Zhvillimor Komunal i Pejës, që është drejtuar nga AAK, është në këta kufij.

Të më tregoj edhe mua si qytetar i këtij vendi.

Argumentet nuk zëvendësohen me trimëri dhe as me kërcënime. Kur nuk ka argumente, trimëria shndërrohet në ligësi.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img