Lajme

MPJ fsheh numrin e pasaportave diplomatike


Publikuar më:


alsat_1216

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë vlerëson se është më e rëndësishme të fsheh numrin e pasaportave të lëshuara diplomatike, sesa publiku ta dijë këtë informatë. Ky është epilogu i betejës gjashtëmujore i televizionit Alsat-M me shërbimet e kësaj ministrie, në kërkim të përgjigjes se sa pasaporta diplomatike janë lëshuar në Maqedoni. Arsyetimi i MPJ-së është se të gjitha këto informata janë të klasifikuara dhe si të tilla nuk mund të publikohen.

“Veprimi ndryshe do të çonte në dëmtimin e interesave të shtetit dhe paraqet shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore. Ministria vlerëson se publikimi i pjesshëm i informatave nuk mund të bëhet sepse të gjitha janë të mbrojtura sipas shkallës përkatëse të klasifikimit, ndërsa ekziston mendësi se edhe me përpunimin e pjesshëm të informatave mund të arrihet deri te informata të mbrojtura”, ka njoftuar MPJ, raporton Alsat.

Ndërsa një pjesë e informatave, publikimi i të cilave tani do të dëmtonte interesat e shtetit, deri disa vjet më parë ishin publike. Kështu, në vitin 2009 gazeta “Vest” morri përgjigje se janë lëshuar 864 pasaporta diplomatike dhe 648 zyrtare. Për këtë temë në vitin 2010 dhe 2011 janë interesuar edhe gazetat “Dnevnik” dhe “Utrinski Vesnik”. Sipas artikujve dhe hulumtimeve të tyre pasaportat diplomatike vërtetë e dëmtojnë interesin e shtetit sepse MPJ këso pasaporta u ka ndarë edhe personave që ndoshta nuk ju takon.

Vjeshtën e kaluar, aktuale ishte rasti i Sasho Mijallkovit, i cili morri pasaportë diplomatike disa muaj pasi u largua nga pozita e drejtorit në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Në asnjërin nga rastet e përmendura Diplomacia nuk akuzoi se dikush e ka shkelur ligjin për mbrojtjen e informatave të klasifikuara./KosovaPress/

Comments
To Top