29,03,2024

Laureta Koxha, refugjatja nga Kosova që po e prekë “Ëndrrën Amerikane”

Must Read

Tre mijë studentë të premten kanë diplomuar në Universitetin e San Marcos në California. Më e mira prej këtyre studentëve u shpall refugjatja kosovare, Laureta Koxha.

Ajo me gjysmën e këtyre studentëve janë të parët në familjet e tyre që marrin diplomë universitare dhe deri te ky moment, refugjatja kosovare ka pasur një rrugëtim të gjatë.

Për Koxhën, diplomimi është veç një hap larg “Ëndrrës Amerikane”.

“Asnjëherë nuk e kam menduar se do të jem në krye të klasës sime dhe të jem këtu është gjë e mrekullueshme, të cilën nuk mund ta përshkruaj me fjalë”, ka thënë Laureta Koxha.

Diplomimi ka qenë moment i rëndësishëm i secilit prej 3 mijë studentëve, por për Lauretën diplomimi ka një rëndësi të veçantë, transmeton Koha.net.

“Prindërit e mi kanë pesë fëmijë. Ata kanë pasur një ëndërr për ne, kjo ishte arsimimi ynë dhe ne të shkojmë lart e më lart”, ka thënë Koxha.

Më e madhja prej pesë fëmijëve, Laureta, ka qenë më e mira në Administrim Biznesi, por ka thënë se udhëtimi i saj deri te diplomimi ka qenë i përshkruar me luftë.

“Më kujtohet kur isha pesëvjeçare dhe ushtarët serbë hynin nëpër shtëpitë tona me armë në dorë duke na thënë që të largoheshim”, ka rrëfyer Koxha për Fox 5.

Laureta dhe familja e saj ishin të detyruar që të shkonin në Amerikë nga Kosova si refugjatë në pranverën e vitit 1999. Familja e saj gjeti strehim në një kamp refugjatësh dhe me ndihmën e Kryqit të Kuq ata u dërguan në San Diego.

Lauretës i kujtohet koha kur babai i saj kishte mbathur njërën këpucë të zezë dhe njërën ngjyrë kafe, pasi vetëm ato kishte.

“Të vijmë këtu me katër dollarë në xhepin e prindërve është përvojë e çmendur”, ka thënë Koxha.

Prindërit dhe familja e saj janë të lumtur për ato që ka arritur Laureta.

“Jam shumë e lumtur për të, nuk mund të tregoj se sa e lumtur jam”, ka thënë nëna, Shpresa Koxha.

“Kjo është një ëndërr e bërë realitet. E di se arsimimi është i rëndësishëm. Ky ishte qëllimi im që prej ditës së parë këtu”, ka thënë babai i saj Hajrulla Koxha.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img