Editorial

Kontributi i Marte Tunajt dhe familjes së saj i jashtëzakonshëm


Publikuar më:


Shkruan  Hysen Ymeri – Në cilësinë e anëtarit për hulumtimin e krimeve të luftës në Komunën e Vitisë, pata rastin që të intervistoj Marte Tunaj – Selmani nga fshati Vërban, për rastin që asaj i kishte ndodhur gjatë luftës, pikërisht me 30.05.1999, në fshatin Vërban të Komunës së Vitisë.
Takova një grua trimëreshë, e guximshme, e cila kishte ndihmuar luftën çlirimtare, në të cilën luftë e kishte burrin e saj Vebi Selmanin dhe djalin, atëherë të mitur, Sherifin. Kontributi i kësaj familje ishte i jashtëzakonshëm dhe forcat policore ushtarake e dinin aktivitetit e kësaj familje, dhe me datën 30.05.1999 këto forca paramilitare kishin rrethuar fshati Vërban, e në veçanti lagja dhe shtëpia e kësaj Familje.

Forcat policore ushtarake serbe kishin filluar rrahjen, maltretimin dhe djegien e shtëpive, pasi që në këtë fshat ishte instaluar edhe shtabi UCK-së për Komunën e Vitisë.

Pas rrethimit të lagjes dhe shtëpisë së Vebi Selmanit, ku ishte plaçkitur dhe djegur gjithçka, ku forcave paramilitare u printe Millosh Jokiq nga fshati Goshicë i Komunës së Vitisë, kurse forcave ushtarake u printe babai i tij Bora Jokiq. Krimineli Jokiq atë ditë kishte terrorizuar popullatën civile, kishte plaçkitur e dëbuar civilet, e në këtë ditë sipas dëshmisë së Marte Tunaj dhe dëshmitarëve tjerë, atë ditë ishin kryer edhe aktet më çnjerëzore ndaj një gruaje të pa mbrojtur, e cila ishte maltretuar, keqtrajtuar dhe dhunuar nga paramilitari Millosh Jokiq, vetëm e vetëm pse ishte shqiptare, dhe burri e djali i saj ishin të angazhuar në UCK.

Dëshminë të cilën e përmenda ja dha komisionit për hetimin e krimeve të luftës. Ishte tronditëse, dhe si komision edhe raste tjera të cilat kishin ndodhur në Komunën tonë i bëmë publike në mjetet e atëhershme të informimit. Ky rast, por edhe rastet tjera, i vënë në lëvizje faktorët e sigurisë, KFOR-in amerikan.

Pas një pune te suksesshme, me datën 25.02.2000, në qytetin e Vitisë, në një banesë në qendër të qytetit, arrestohet paramilitari Millosh Jokiq. Para arrestimit të tij, por edhe gjatë qëndrimit në paraburgim, ishin mbledhur dëshmi e fakte, prova të mjaftueshme, të cilat vërtetonin kryerjen e kësaj vepre makabre. Të gjitha këto ishin deponuar në prokurorin publike, atëherë të qarkut të cilës i printe kryeprokurori Sabit Maliqi, i cili këtë rast dhe shumë raste tjera i trajton me prioritet dhe profesionalizëm, i cili me guxim dhe këmbëngulësi, pa u frikësuar, ngriti Aktakuzë për krime lufte kundër kriminelit Millosh Jokiq, por edhe kundër kriminelëve të tjerë në rajonin e Anamoravës. Ishte hera e parë në Kosovën e pasluftës, që një organ i ndjekjes të ngrit aktin akuzues kundër kriminelëve të luftës.

Pas fillimit të gjykimit të cilin e udhëheqtë gjyqtari francez Patrice Desharte, dëshmitarja kryesore në këtë rast ishte Marte Tunaj dhe krah saj ishte edhe prokurori Sabit Maliqi, i cili argumentoj krimet e bëra të kriminelit Jokiq.

Pjesëmarrës në këto seanca, si anëtar i komisionit për krime lufte kam qenë edhe unë, dhe aty pash një guxim të pashoq të Martës, e cila me këmbëngulje afronte provat dhe faktet për veprën kriminale të kryer nga Millosh Jokiq, por ajo që ishte për tu veçuar ishte bërja publike e këtij krimi makabër, ku Marta në Gjykatore kërkoj nga kryesuesi i Trupit Gjykues, që publiku mos të përjashtohet dhe kërkesa e saj u miratua, sepse ajo deshi që këtë ta thotë botërisht, se ai i cili bëri ketë krim është Millosh Jokiq, dhe për të demaskuar publikisht politiken gjenocidale dhe anti shqiptare, të cilën e kishte ushtruar Serbia në krye me kryekriminelin Sllobodan Millosheviq dhe kriminelin Millosh Jokiq.

Gjyqtarët në trup gjykues, vendor e ndërkombëtar, me vëmendje dëgjonin dëshminë e Marte Tunaj, por edhe të prokurorit këmbëngulës Sabit Maliqi, ku argumentohej kryerja e kësaj vepre kriminale.

Për ballë ishin mbrojtësi i të akuzuarit Mile Jokanoviq, anëtar i Këshillit Gjyqësor për përzgjedhjen e gjyqtarëve nga komuniteti serb. Pas përfundimit të seancave i erdhi fundi shqiptimit të dënimit. Trupi gjykues, në bazë të ligjeve të aplikueshme atëherë, i shqiptoj dënimin Millosh Jokiqit prej 20 vite burg, i cili dënim për atë kohe ishte maksimal.

Mbrojtja kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, në krye të së cilës ishte Rexhep Haxhimusa, kurse kryesuese e Ministrisë së Drejtësisë ishte Silvia Pans, e cila kishte marrëdhënie të mira me kryesuesin e Supremes dhe disa gjyqtar të Gjykatës së Qarkut në Gjilan. Si duket politika ditore atëherë kishte bërë të veten dhe rasti ishte kthyer në rigjykim me vendim të Gjykatës Supreme.

Gjykata e Qarkut, pas rigjykimit të rastit, kishte nxjerr vendim, që krimineli i akuzuar për krime lufte të mbrohet në liri, me kusht që i njëjti të sjell një kaucion gjykatës, me të cilin do ti mundësohet mbrojtja në liri. Ky kaucion ishte sjell me një vërtetim i lëshuar nga Drejtoria për Kadastër në Viti, me të cilin vërtetohet se familja Jokiq ka një pasuri të patundshme, me të cilën do të garantohej kaucioni.

Më vonë u vërtetua se familja Jokiq tanimë kishte shitur pasurinë dhe si duket Gjykata kishte ra në lajthim, dhe krimineli Jokiq që nga viti 2003/2004 ma nuk është thirrur në Gjykatë e as në Prokurori. Këtë të “mirë” ja kishte bërë Gjykata Supreme dhe Drejtoria për Kadastër e Komunës së Vitisë, dhe kështu sot e kësaj dite ky rast mbeti i pagjykuar.

Satisfaksioni i vetëm për këtë rast të Marte Tunaj dhe familjeve tjera shqiptare që pësuan nga regjimi kriminal Serb është, se ky rast si provë si dhe shumë raste tjera janë përmendur në Tribunalin e Hagës kundër kriminelit Millosheviq.

Çuditërisht, edhe pse ky rast mori përmasa ndërkombëtare, u përmend edhe në Hagë, Gjykatat ne Kosovë e në veçanti ajo e Gjilanit dhe Prokuroria e heshtën këtë rast. Nuk është edhe befasi edhe për popullsinë shqiptare, por edhe për ata që përjetuan krimin nga regjimi kriminal serb, sepse heshtja e njerëzve të cilët e bëjnë drejtësinë në Kosovë ka një prapavijë, për arsye se një numër i konsiderueshëm gjyqtarëve dhe prokurorëve ishin pjesë e aparatit shtetëror gjenocidal të Serbisë, por edhe një pjesë tjetër ishin zgjedhur gjyqtar e prokuror sipas marrëveshjes së famshme Hakerup – Qoviq në Graqanicë, me të cilën marrëveshje Serbisë ju mundësua ndikimi në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë, ku kjo marrëveshje nuk u anuluar asnjëherë.

Ky shkrim u bë në shenjë respekti për familjen Selmani, bacën Vebi, bashkëshorten e tij Marte Tunaj dhe djalin e tyre Sherifin, për kontributin e tyre shume të madhe për Pavarësinë e Kosovës, e që ky mund i tyre nga institucionet e drejtësisë në Kosove, por edhe nga institucionet e nivelit lokal, asnjëherë, as moralisht e as materialisht nuk u shpagua.

U qoftë i lehtë dheu i Kosovës bashkëshortëve Vebi Selmani dhe Marte Tunaj, ku ju si familje dhatë gjithçka nga vetja!

Hysen Ymeri anëtar i Komisionit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Komunën e Vitisë

 

Comments
To Top