18,04,2024

Komunat e rajonit të Prishtinës zotohen për dialog me komunitete

Must Read

img-4906

Avancimi i dialogut dhe bashkëpunimit të komunave me komunitete ndikon në promovimin e diversitetit dhe krijimin e kushteve më të mira për komunitete.

Me qëllim të promovimit të dialogut dhe bashkëpunimit, komunat si: Prishtina, Graçanica, Shtimja, Lipjani, Fushë Kosova dhe Obiliqi kanë nënshkruar sot një deklaratë, në të cilën zotohen për avancimin e dialogut me komunitete në komunat përkatëse.

Ky organizim është realizuar me ndihmë të misionit të OSBE – së në Kosovë, të cilët bëjnë thirrje për respekt të dy anshëm dhe për diversitet.

Shefi i Misionit të OSBE – së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger tha se pret nga kryetarët e komunave që të promovojnë dialogun dhe bashkëpunimin ndër komunitete.

Ai thotë se këto aktivitete kanë inkurajuar pjesëmarrjen rinore në proceset lokale vendimmarrëse dhe kanë rritur ndërveprimin ndërmjet komuniteteve përkatëse të përfshira.

Sipas tij, mes komuniteteve duhet të formohen lidhje më të forta duke promovuar dhe respektuar diversitetin, i cili është i rëndësishëm për funksionimin e mirëfilltë të një shteti.

“Sot jam vërtet i kënaqur të jem këtu me këta gjashtë kryetar komunash që na ndihmojnë të promovojmë dialogun ndër komunitete edhe bashkëpunimin pa dyshim…do të nënshkruajnë një deklaratë për të promovuar marrëdhënie pozitive ndërmjet komuniteteve që banojnë në komunat e tyre përkatëse…Këta aktivitete kanë inkurajuar pjesëmarrjen rinore në proceset lokale vendimmarrëse dhe kanë rritur ndërveprimin ndërmjet komuniteteve përkatëse të përfshira…Vlera e shtuar e kësaj iniciative është që këto aktivitete do të kenë përkrahjen e theksuar të komunave përkatëse. Po ashtu do të lejojë përfshirjen e të gjitha komuniteteve në dizajnimin dhe zbatimin e aktiviteteve…Shpresojë që aktivitete të shumta të suksesshme të rezultojnë nga zotimi i sotëm dhe që komunitetet do të formojnë lidhje më të forta duke u bërë bashkë, duke promovuar dhe respektuar diversitetin në rajon”, tha Schlumberger.

I pari i komunës më të madhe, Prishtinës, Shpend Ahmeti i kënaqur me aktivitetin e sotëm propozoi të vazhdohet edhe më tutje me aktivitete të këtij lloji, të cilët sipas tij kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të komuniteteve nëpër komuna, çka rezulton me një funksionim më të mirë të shtetit në përgjithësi.

Sipas Ahmetit është e rëndësishme që secila komunë të stimulojë sa më shumë aktivitete të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve të komuniteteve, sepse sipas tij kryetarët në fund të fundit merren me atë a ka një komunitet kanalizim, a i funksionon ujësjellësi dhe a kanë shërbime të mira shëndetësore.

Ai thotë se komunat nuk janë ishuj, sepse ajo çfarë ndodh në një komunë, ka ndikim edhe në komunën tjetër.

“Kemi fol shumë për tolerancën, si koncept, ne si Komunë e Prishtinës mendojmë se toleranca nuk mjafton. Tolerance do të thotë se unë nuk po kom qejf, por do të toleroj. Kjo nuk mjafton më. Ne duhet të flasim për pranueshmërinë, ne duhet të flasim për respekt të dy anshëm, për respekt të gjitha komuniteteve. Jo diskriminimit, jo privilegjeve të askujt, por barazi qytetare dhe funksionim të përbashkët. Zotohem për këtë projekt si Komunë e Prishtinës për të bashkëpunuar me të gjitha komunat e tjera për të përmirësuar funksionimin ndërmjet komuniteteve në Komunën e Prishtinës”, tha Ahmeti.

Se ka dialog me komunitete në komunën e Obiliqit, e tha kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, duke deklaruar se edhe më tutje do ta vazhdojnë këtë dialog pa dallim etnie.

Zotime të tilla për dialog dhe bashkëpunim me komunitete dhanë edhe kryetarët e komunave Fushë Kosovë, Lipjan, Shtime dhe Graçanicë.

Sipas tyre ky projekt është shumë i rëndësishëm, sepse shoqërisë kosovare i nevojitet një integrim i plotë në mënyrë të përgjithshme. Rol të rëndësishëm në këtë sipas tyre luan edhe besueshmëria e komuniteteve në institucionet e qeverisjes lokale.

Nga ky organizim, u bë thirrje për të drejta të barabarta të komuniteteve në punësim, arsim dhe shëndetësi./KosovaPress/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img