Lajme

Ish-deputeti i VV’së, Florin Krasniqi, kthehet për ta përkrahur PSD’në


Publikuar më:


Biznesmeni Florin Krasniqi, ish-deputet i Vetëvendosjes, që jeton në Amerikë, është kthyer pas shumë kohësh direkt në fushatë.

Ai është parë në tubimet e fundit të koalicionit PSD – AAK, derisa viteve të fundit ishte krejtësisht jashtë politikës.

Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte Krasniqi, është ndarë në fund të vitit 2016, ndërsa i bie që ish-deputeti është në pjesën e të pakënaqurve.

Krasinqi është kthyer në Prishtinë për të përkrahur një pjesë të ish-kolegëve të tij, që janë ndarë nga VV’ja e Kurtit dhe tash janë pjesë e Partisë Socialdemokrate.

Në PSD kanë thënë për Gazetën Express se Krasniqi po merr pjesë në tubimet elektorale sepse e mbështet këtë parti, e rrjedhimisht edhe koalicionin AAK – PSD.

Në një nga fotografitë e tubimit të koalicionit që moto ka “100% shtet”, Krasniqi është para krah dy liderëve të partive përkatëse, Shpend Ahmetit e Ramush Haradinajt. Në fotografi shihet edhe kandidati për deputet, Dardan Molliqaj.

Ky koalicion sot ka mbajtur tubime në Deçan dhe Junik, ndërsa Krasniqi ishte bashkë me ta dje në tubimin qendror në Prishtinë.  

Florin Krasniqi ka qenë deputet i VV’së në legjislaturën e katërt të Kuvendit të Kosovës, gjatë viteve 2010 – 2014. Ai është sipërmarrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Express/

To Top