Lajme

I dyshuari për krime lufte dënohet për kalim ilegal të kufirit


Publikuar më:


burgu_506764-620x410

Ish-gjenerali serb, Milovan Bojoviq (1937), për të cilin Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka hedhur dyshime se ka kryer krime kundër civilëve shqiptarë në luftën e fundit në Kosovë, është dënuar me një muaj burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës – Dega në Podujevë.

Akuza me të cilën është ngarkuar Bojoviq, është kalimi paautorizuar i pikëkalimeve kufitare ose vijës kufitare.

Gjyqtarja Elheme Jashari e ka shpallur fajtor ish-gjeneralin serb i lindur në fshatin Peran të Podujevës, me vendbanim në Beograd, pasi ai një ditë më herët (më 07.04.2016) në orën 16:55 ka bërë kalim të paautorizuar të kufirit ose vijës kufitare sipas nenit 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. I pandehuri ishte zënë nga policia në fshatin Shtedim të Podujevës afër “Hotel Evropa”. Gjatë marrjes në pyetje, Milovan Bojoviq, e ka pranuar fajësinë në tërësi.

Dënimi i shqiptuar nga Gjykata prej një muaji, sipas Jasharit, do të fillojë pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi. Ndërsa, deri atëherë, Bojoviq do të qëndrojë në paraburgim, por jo më shumë se sa dënimi i shqiptuar. Gjyqtarja e ka liruar të pandehurin nga shpenzimet e procedurës, si masë lehtësuese pasi ai është pensionist.

Dënimin me burg për të akuzuarin e kishte propozuar edhe prokurori i rastit, Rrahim Podvorica. Ai ka thënë se meqenëse i akuzuari e ka pranuar fajësinë në tërësi, ka kërkuar nga gjyqtarja që të marrë masa lehtësuese për të.

 

Comments
To Top