Lajme

Hasan Preteni me akuza abstrakte, thotë se më të korruptuarat janë MASHT, MI dhe MSH


Publikuar më:


z_1459685909-9860985

Është një numër i madh i atyre zyrtarëve publik të cilët mbajnë më shumë se një punë në Kosovë. Ky fenomen që një zyrtarë i lartë të mbajë dy deri katër pozita është në rritje dhe konsiderohet konflikt interesi.

Agjencia Kundër Korrupsionit trajton mbi 300 raste vetëm brenda një viti, ka bërë të ditur drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, i cili tha se për sa i përket parandalimit të zyrtarëve publik që mos të mbajnë më shumë se një detyrë, kanë kërkuar që të ndryshohet Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, por që sipas tij, po ka pengesa të ndryshohet ky ligj.

“Nuk është i vogël numri i zyrtarëve që ushtrojnë më shumë se një detyrë. Ne kemi tentuar dhe kemi kërkuar që Ligji për Parandalimin Konfliktit të Interesit të ndryshohet. Ky ligj është dashur të harmonizohet me kodin penal qysh në vitin 2013. Ligji tash e dy vjet e gjysmë bartet herë në Qeveri, herë në Kuvend. Po ka pengesa të rregullohet ky ligj, kurse çështjet tjera që janë rregulluar me ligj, ne i trajtojmë dhe për çdo vit numri i rasteve të trajtuara është më shumë se 300”, tha Preteni.

Drejtori i AKK nuk shprehet i kënaqur as me gjykimin e korrupsionit në Kosovë, i cili thotë se korrupsion ka, dhe nuk ka të korruptuar në burg apo konfiskim të pasurisë së krijuar në mënyrë të pa ligjshme.

“Ka korrupsion, por nuk ka të korruptuar në burg dhe nuk ka konfiskim të pasurisë së krijuar në mënyrë të pa ligjshme. E them se nuk ka diferencë prej vitit në vit, ka progres por jo progres që pret qytetari i vendit”, është shprehur Preteni.

Ai shtoi sa ka rritje të vazhdueshme të numrit të kallëzimeve penale ndaj personave që dyshohet se janë të korruptuar. Sipas tij, janë më shumë se 1400 zyrtarë të nivelit të ndryshëm që janë dërguar nëpër prokurori.

“Numri i kallëzimeve penale, ose numri ndaj personave që janë ushtruar kallëzime penale ka shënuar rritje të vazhdueshme. Ne më shumë se 1400 emra të zyrtarëve të nivelit të ndryshëm veç i kemi dërguar nëpër prokurori. Te pjesa e ngritjes së aktakuzave, duhet të pranojmë këtë se kohëve të fundit janë disa aktakuza që janë ngritur sidomos nga Prokuroria Speciale. Janë disa prokurori themelore të cilat po prijnë për të ngritur aktakuza, por mbetet tani edhe te pjesa e gjykimit”, thotë Preteni.

Kreu i AKK-së tha se korrupsioni më i madh është te fusha e prokurimit publik, pra tenderomania. Ende mbetet fushë shumë ndjeshme dhe mundësi që zyrtarët po fitojnë shumë dhe shpejt.

Preteni ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Arsimit mbeten ndër institucionet më të korruptuara.

“Është shëndetësia, infrastruktura dhe arsimi. Në këto tri Ministri apo në këto tri fusha ka korrupsion më shumë edhe pse po tentojmë në një pjesë të misionit tonë të përcjellim aktivitet tenderuese. Në vitin 2014, 64 aktivitete tenderuese kemi ndalur si rezultat i opinioneve tona në vlerë prej 29 milionë euro, në vitin 2015 kjo vlerë është edhe më e lartë”, tha Preteni.

Ai pati edhe disa kritika për sa i përket organeve të drejtësisë që duhet të ngritët transparenca dhe llogaridhënia. Preteni tha se ata që nuk japin rezultatet në punë e tyre për gjykimin e korrupsionit duhet të largohen.

“Edhe nëpër organet e drejtësisë duhet të ketë më shumë llogaridhënie, titullarët e institucioneve të japin llogari për punën që e bëjnë. Definitivisht ata që nuk japin rezultatet në punën e tyre për gjykimin e korrupsionit duhet të largohen”, tha Preteni.

Ai më tej tha se ka reflektuar edhe kriza politike nga qershori i vitit 2015, që shumë zyrtarë publik të mos bashkëpunojnë me Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ai pret që këta zyrtarë të sjellin informacione në AKK dhe të mbrojnë inversin publik dhe të jenë më bashkëpunues, jo vetëm me agjencinë por edhe me policinë.

Comments
To Top