26,04,2024

Haradinaj: Të rinjtë nuk besojnë se mund të punësohen pa korruptuar dikë

Must Read

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka lansuar sot Strategjinë Sektoriale 2018-2021, si dhe Planin e Veprimit për Punësimin e të Rinjve, e cila ka për qëllim aftësimin profesional të të rinjve, vetëpunësim dhe ka për prioritet punësimin e një anëtari të familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar.

Strategjia Sektoriale e Ministrisë së Punës ka një kosto të përgjithshme prej 31 milionë e 650 mijë e 310 euro për tri vitet e para të zbatimit.

Ministri Skender Reçica tha se e dinë se papunësia është një nga problemet e mëdha të vendit dhe për këtë arsye MPMS-ja në planin e punësimit të të rinjve i ka kushtuar vëmendje të posaçme punësimit të të rinjve dhe grupeve të cenuara.

 

“Strategjia dhe Plani i Punësimit të të rinjve ofrojnë një qasje të re ku rëndësi dhe prioritet nuk ka vetëm rritja e punësimit përmes masave aktive të tregut të punës, por fokusi është edhe tek aftësimi profesional i të rinjve, orientimi në karrierë i tyre, vetëpunësimi dhe prioriteti i synuar punësimi i një anëtari të familjeve të cilët nuk kanë asnjë të punësuar. Strategjia dhe Plani i Punësimit të të rinjve mbështetet në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021, përkatësisht në komponentin për zhvillimin ekonomik dhe punësim, si dhe në objektivat e përcaktuara nga MPMS. Ne zotohemi se të gjitha objektivat e synuara dhe aktivitetet për realizimin e këtyre objektivave do t’i zbatojmë me përpikëri, ku disa prej tyre vetëm kanë filluar së zbatuari në praktikë”, tha ministri Reçica.

Ministri Reçica tha se Plani i Punësimit të të rinjve gjithashtu është një dokument shumë i rëndësishëm me objektiva të qarta, por ajo që e bënë edhe më të rëndësishme sipas tij është se ky plan është ndër sektorial dhe bashkërendon aktivitetet me ministritë e tjera dhe zyrën e kryeministrit.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se qasja e të rinjve në tregun e punës është një prej vështirësive të cilën Kosova duhet zgjidhur.

 

“Qasja e të rinjve në tregun e punës jo vetëm si strategji si plane, por mendoj se është një prej problemeve ose vështirësive që Kosova duhet ta zgjidhë. Nuk është ndoshta marre me thanë që plot të rinj të Kosovës nuk besojnë se mund ta gjejnë një vend pune për shkak se kanë kryer një aftësim ose për shkak të aftësive të veta në punë, po mendohet se përmes formave të tjera ose me qenë i afërt me partinë në pushtet ose me njohur dikë, apo me korruptuar dikë. Kjo është ndjenja e plot të rinjve të Kosovës, ne duhet me e ndërruar këtë, duhet me ndërruar këtë, se duhet me ndërruar edhe shumëçka në vendin tonë, mirëpo sado larg që dëshirojmë të shkojmë duhet me i qitë hapat e parë, duhet me filluar diku. Kuptohet, sot unë jam i gëzuar që ministria edhe ministri po e fillon zbatimin e strategjisë të paraparë për punësimin e të rinjve”, tha kryeministri.

Kreu i Qeverisë bëri thirrje që askush në çfarëdo situate të mos e mohojë kualitetin dhe t’i lejohen të rinjtë që kanë kualitet ta shohin perspektivën, mundësinë e vet dhe ta kenë një vend pune.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, ka kërkuar që fokusi të jetë më shumë në aftësimin profesional të të rinjve pasi sipas tij, këtë po e kërkojnë edhe investitorët dhe bizneset.

 

“MTI-ja çdo vit në bashkëpunim me Ministrinë e Punës e kemi një program në të cilin, përafërsisht 200 të rinj në programin intership e bëjmë nëpërmjet Ministrisë së Punës. Unë do të kërkoja nga ministri që sa më shumë t’iu jep hapësirë aftësimit profesional sepse kërkesa edhe e investitorëve drejtpërdrejt kudo që takohemi me bizneset, odat, shoqatat investitorët kërkojnë që të përgatisim kuadro për treg pune. Kemi investitorë tash që konkretisht kërkon që unë po filloj këtë investim por me duhen 100 apo 200 kuadro të këtij profili. Ne mendojmë që Ministria e Punës e ka programin dhe deri tash e ka bërë edhe nëpër degë, regjione por kërkojmë që ky numër të rritet”, tha Hasani.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Kulturës Rexhep Hoti, e quajti ndërhyrje në kompetencat e Ministrisë së Kulturës, meqë kjo ministri ka një departament për rininë që merret ekskluzivisht me rininë.

Edhe pse ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica sqaroi se kjo nuk bëhet fjalë vetëm për ministrinë që ai drejton, pasi që në këtë strategji kanë marrë pjesë edhe ministri të tjera, megjithatë Hoti e quajti këtë ndërhyrje në Ministrinë e Kulturës.

 

“Kjo është shumë e saktë që deklarove vetëm se nuk iu takon juve, kjo ishte problemi, mirë që po bëni, atëherë merreni dikasterin e rinisë edhe dërgojeni në Ministrinë e juaj. Nuk po ju ndalojmë të punoni, por atëherë duhet të jemi koshient, Qeveria nuk është parti, dhe duhet të jemi të përgjegjshëm në raport me përgjegjësitë ligjore që kemi dhe kushtetutës së Kosovës. Dhe këtu kam kënaqësinë që kemi edhe kryeministrinë t’i dëgjoj këto gjëra sepse këto probleme nuk janë vetëm këtu, ministria e Kulturës ka një shërbim civil prej 700 punëtorë dhe ata njerëz marrin rroga, nëse doni t’i lini pa punë na tregoni çfarë të bëjmë me ta”, tha ai.

Kurse, ushtrues detyre i udhëheqësit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, tha se papunësia në Kosovë godet të rinjtë nga 15 deri në 24 vjeç.

 

“Papunësia godet sidomos të rinjtë nga 15 deri 24 vjet, dhe 56 për qind prej tyre përafërsisht janë të papunë. Gjithashtu, edhe aktivitetet apo normat e mos aktivizimit janë serioze në Kosovë në krahasim me vendet e tjera, sepse veçanërisht nëse e shohim normën e pos-aktivitetit të femrave në Kosovë është deri në 80 për qind që do të thotë se 80 për qind e femrave nuk janë aktive në tregun e punës. Këto janë çështje brengosëse edhe për juve edhe për neve gjithashtu. Ne duhet të qasemi kësaj çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Ndryshe, strategjia për përmirësimin e planifikimit dhe koordinimit të politikave përfshinë katër objektiva dhe do t’i ketë për bazë katër fusha kryesore e që janë punësimi dhe aftësimi profesional, puna, siguria dhe shëndeti në punë, mirëqenia sociale dhe pensionet.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img