26,04,2024

GJURMË LASHTËSIE NË FERIZAJ, AI GJIMNAZI I VJETËR

Must Read
Faruk Tasholli

Ferizaj, si një qytet i ri i Kosovës, edhe pse me pak objekte të vjetra, ai ka ndryshuar pamjet nga kaosi urban.

Por objektet e vjetra të këtij qyteti, si shenja identitare që i ruajnë popujt e qytetëruar, sikur po zhduken nga viti në vit.
Nuk është e largët koha , kur një kujtesë historike iu rrënua këtij qyteti, si ishte shembja e rrufeshme e godinës së vjetër e shkollës fillore „Tefik Çanga“.Bashkë me këtë shembje, pkturat që i stolisën muret e kësaj shkolle për vite të tëra, të punuara nga piktori dhe këngëtari Qazim Dushku, që fëmijërinë e kaloi këtu, sipas dëshmitarëve, u masakruan ashtu si muret e forta.
Rasti më qiti të kaloj nëpër oborrin e ndërtesës së vjetër të gjimnazit në këtë qytet.
U ndala para ndërtesës, të ngritur në vitet 1928-30.
Po ajo godinë që e kam njohur 45 vite më parë: dera e hyrjes, shkallëte gurta, parmakët e betontë dhe të gdhendur e të latuar rreth shkallëve, dritaret e njëjta. Këtu në vitet gjashtëdhjetë ishte edhe internati shkollor, ku nxënës shqiptarë vinin, për kohën, edhe nga Ulqini i largët.
Por, po në këtë ndërtesë filloi punën edhe shkolla e parë shqipe në këtë Ferizaj, në vitin 1941 me drejtorin e parë nga Shkodra, Fadil I. Hoxha.
Nxënës të parë të kësaj shkolle ishin edhe mjekët e përmendur Mehmet Begraca dhe Zef Gjoni.
Pastaj piktori dhe këngëtari Qazim Dushku bashkë me fqiun e tij të parë Ismail Rrahmanin që ende jeton në këtë qytet.
Me ta ishte edhe politikani kombëtar i kohës së komunizmit nga Kaçaniku, Sali Bajra e nxënës të tjerë.
Por kjo ndërtesë, e rrethuar nga betonarmet e godinave të reja, sikur është strukur nga rreziku se do të shembet.
Sikur pret dorën që do ta mbrojë.
E parinovuar nga brenda e zbehtë nga jashtë.
A do të kenë mundësi të mbrohet ky shenj i vjetër, që ruan kujtimet e shumë brezave e të mos e pësojë fatin tragjik si „Tefik Çanga“?!
Çka mund të bëhet në këtë ndërtesë që muret i ka të forta.
A ta ruajmë nga dhëmbi i kohës a çka do të bëhet?
Popujt e civilizuar ecin përpara duke ruajtur kujtesën historike me objekte të mëdha dhe gjëra të vogla.
Dikur Perandoria Osmane, në viset shqiptare, të ndodhura mes Lindjes e Perëndimit, i poqi gurët e barokut dhe i bëri gëlqere për ta shuar kujtesën histoirike duke mbushur trojet tona me shenja orientale.
E tash , çka të bëjmë ne që mbi vlerat tona historike të mos e luajmë rolin e pushtuesve?
Faruk Tasholli

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img