Ferizaj

Galeria e Arteve në Ferizaj vjen me edicionin e katërt të Bienalit të Vizatimit


Publikuar më:


Galeria e Arteve në Ferizaj, në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve Figurativ “Zef Kolombi”, si bashkorganizatorë të Bienalit të katërt të Vizatimit, ka kënaqësinë të bëj publike listën e artistëve pjesëmarrës në këtë Bienal.

Bienali i Vizatimit, tanimë është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit pamor, dhe i vetmi në fushën e Vizatimit në Kosovë dhe rajon i cili këtë vit shënon edicionin e katërt.

Organizimi i një ngjarje të tillë është nevojë imperative e kohës, për të krijuar mundësinë dhe hapësirën që të promovohet një nga fushat më të rëndësishme të arteve pamore, siç është vizatimi.

Bienali i Vizatimit, që nga edicioni parë, karakterizohet për nga mënyra e veçantë e organizimit me kujdesin dhe seriozitetin për të treguar transparencë, korrektësi dhe profesionalizëm, ku organizatorët me kohë kanë ndërmarr, të gjitha hapat e duhur, për të siguruar një garë të fortë, fer, bazuar vetëm në meritokraci apo vlerësimin real të vizatimeve, dhe për këtë qëllim, si kriter kanë vendosur që autorët, në punimet e tyre konkurruese, të mos shkruajnë të dhënat e tyre identifikuese (emrin dhe mbiemrin) dhe secili punim është kodifikuar nga organizatorët me shifra sekrete, në mënyrë që juria të jetë e lirë dhe të mos ndikohet nga emrat e artistëve.

Një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe përcaktimit të jurisë, në mënyrë që punimet të përzgjidhen sipas kritereve të qarta profesionale, pa nepotizëm dhe favorizim, nga një juri e jashtme, e pavarur, profesionale dhe kredibile, e që në rastin e këtij edicioni përbëhej nga Prof. Nehat Beqiri (Maqedonia e Veriut) Prof. Dr. Rubin Mandija (Shqipëri) dhe Prof. Dr. Zeni Ballazhi (Kosovë), të cilit përveç përzgjedhjes së punimeve pjesëmarrëse, përzgjodhën edhe fituesit e tre çmimeve të Bienalit, të cilat do të ndahen në hapjen solemne të ekspozitës që do të mbahet më 26 nëntor 2019 në Galerinë e Arteve në Ferizaj.

Kurator i këtij edicioni të Bienalit të Vizatimit është Jetullah Sylejmani.
Edhe këtë vit, ky edicion kishte karakter ndërkombëtar duke përmbushur një boshllëk të madh në fushën e vizatimit sidomos për vendin tonë, ku u vërejt një interesim i madh i artistëve për të qenë pjesë e kësaj ngjarje, ku konkuruan artistë nga vende të ndryshme si nga Gjermania, Greqia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Në këtë edicion kanë konkurruar 46 artistë prej të cilëve juria ka përzgjedhur 32 artistë pjesëmarrës, ndërsa duke marrë për bazë mundësinë që artistët të aplikojnë me më shumë se një punim, kemi pasur 119 vepra konkurruese prej të cilave juria ka përzgjedhur 54 vepra, dhe ka refuzuar 65 të tjera.

Artistët e përzgjedhur për këtë edicion janë: Aulona Rexha (Gjakovë/Kosovë), Albulen Neziri (Pejë/Kosovë), Besnik Hasanaj (Istog/Kosovë), Agnesa Sejdiu (Ferizaj/Kosovë), Abide Bojaxhiu (Dragash/Kosovë), Laureta Vogliqi (Kaçanik/Kosovë), Mirjana Madhi (Tiranë/Shqipëri), Vehbi Murati (Lipjan/Kosovë), Petala Pavilidou (Greqi), Idriz Berisha (Klinë/Kosovë), Rudolf Faja (Durrës/Shqipëri), Fitim Avdyli (Ferizaj/Kosovë), Zenun Sherifi (Tetovë/Maqedonia e Veriut), Përparim Behluli (Ferizaj/Kosovë), Lumturie Krasniqi (Prishtinë/Kosovë), Blerta Hashani (Ferizaj/Kosovë), Lindita Mehmeti (Gjilan/Kosovë), Azem Gashi (Klinë/Kosovë), Shefqet Mavraj (Istog/Kosovë), Sanije Dreshaj (Klinë/Kosovë), Besjana Kryeziu (Prishtinë/Kosovë), Arbenita Kërçeli (Gjilan/Kosovë), Shpresa Faqi (Gjermani), Jonila Zejna (Ferizaj/Kosovë), Gentian Gashi (Prishtinë/Kosovë), Laura Brahimi (Ferizaj/Kosovë), Gëzim Brestovci (Gjilan/Kosovë), Betim Lajqi (Pejë/Kosovë), Artan Xhakli (Ferizaj/Kosovë), Visar Grajqevci (Fushëkosovë/Kosovë), Avni Behluli (Gjilan/Kosovë), Kujtim Shala (Pejë/Kosovë).

Ekspozita prite të hapet më 26 nëntor në ora 18:00

Bienali është realizuar me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Drejtoria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Ferizaj. / KultPlus.com

To Top