23,04,2024

“Fjala e Vuçiqit, në vesh të Tribunalit të Hagës”: pse u lirua nga përgjegjësia krimineli Sheshel?

Must Read
Shkruan: Besim Zymberi
Shkruan: “Vetëm dy ditë para shpalljes së aktgjykimit nga Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, kryeministri aktual serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi që do ta ndihmonte lirimin e kriminelit Vojisllav Shesheli nga përgjegjësia për gjenocid”. Doli që profecia e Vuçiqit të realizohej. U realizua profecia e Vuçiqit, i cili, vetëm disa muaj më parë u sulmua nga boshnjakët në Potoçari, ku prehen trupat e mbi 8000 boshnjakëve të masakruar në Srebrenicë, nën motivimin e drejtpërdrejtë edhe të vet tij!
Florence Hartmann, ish-zëdhënëse e Tribunalit të Hagës, më vonë autore e një libri që rrëfen intrigat dhe manipulimet politike të Tribunalit në kompromitim të nocionit të drejtësisë, u arrestua nga policët holandezë pikërisht në ditën kur u lirua nga përgjegjësia krimineli Shesheli (31 mars 2016). U arrestua gjatë protestimit kundër vendimit absurd, kundërnjerëzor e kundër drejtësisë, sjell nga një Tribunal që dikur e kishte përfaqësuar vet.
Natyrisht, nuk do shumë mend të konkludohet se lirimi i Sheshelit nga përgjegjësia, është jo vetëm amnistim i krimit të gjenocidit, por edhe motivim për njerëz si ai dhe regjime të profilit të tij, për të vazhduar me tmerre të tilla!
Qëllimi i këtij shkrimi motivohet nga pyetja: pse në të vërtetë u lirua Shesheli?
Përgjigja më e thjeshtë, më e qartë dhe më e pakundërshtueshme, të çon pashmangshëm te një emër: Aleksandar Vuçiq!
Pse Vuçiqi vet mori mandatin që dy ditë para shpalljes së aktgjykimit për Sheshelin, të deklaronte se do ta ndihmonte të lirohej…? Ka vetëm një përgjigje: sepse ai e dinte se do të ndodhte pikërisht ashtu! Sepse ai e dinte se do të ndodhte pikërisht ashtu dhe, pikërisht për shkak të tij!
Pyetja një milionëshe është: a e dinin edhe liderët shqiptarë të Kosovës këtë fakt? Nga reagimet e tyre, mund të merret me mend se nuk janë befasuar fare dhe se reagimet e tyre kane qenë thjeshtë një melodi mashtruese e justifikimit!
Pse të lirohej Shesheli, për shkak të Vuçiqit?
Përgjigjja është: sepse Shesheli ishte “Aristoteli” ideologjik i Aleksandrit serb. Jo vetëm kaq: Shesheli ishte bashkëkrimineli i Vuçiqit dhe Toma Grobarit (Tomislav Nikoliç). Kjo treshe, bashkë projektoi fytyrën e vet kriminele, ndonëse të trashëguar historikisht. Nuk e dalloje dikur njërin prej tjetrit, për kah brutaliteti çetnik i deklarimeve dhe për kah pasioni çetnik i ekzekutimit të krimeve kundër boshnjakëve, shqiptarëve e kroatëve.
Por, ja ç’na polli koha!
Sot, Vuçiq, në Evropë dhe në tërë botën Euroatlantike, ka arritur të riprojektohet si fytyra “moderne” e Serbisë dhe e Ballkanit. Ndërkohë, shqiptarët shikohen me skepticizëm nga Evropa Perëndimore, jo vetëm në nivel të politikës, por edhe në nivel qytetarie. Liderëve shqiptarë të Kosovës, u është projektuar me shume efektivitet një fytyrë kriminele në Evropë. Ata po ndiqen me akuza përbindëshe!
Por, në lojërat politike ndërkombëtare, edhe liderët shqiptarë, disa prej tyre veçanërisht janë ende aktorë të rëndësishëm. Kanë bartur barrën e disa proceseve ende të papërfunduara. Ndaj, ndjehen ende të pashmangshëm në procese të mëtutjeshme. Sidomos në proceset e afrimit me Serbinë, e pse jo, edhe në disa koncesione aspak të këndshme ndaj saj. Në këtë aspekt, edhe si bashkëlojtarë në riprojektimin e figurës “konstruktive” të Vuçiqit, i cili, botës Euroatlantike i duhet si një armë për distancim të Rusisë nga rrethi NATO-BE.
Po ç’hyn lirimi i Sheshelit në këtë mes?
Prapë përgjigja na çon te Vuçiqi.
Nëse kryeministri aktual serb, bashkë me bashkëpartiakun e tij Nikoliç si president serb dhe bashkëpunëtorin e tij, Daçiç, si trashëgimtar i idesë millosheviçiane të zgjidhjes së problemeve, ka arritur që të imponohet si një fytyrë e dialogut, reflektimit e paqes në Ballkan, çfarë do të ndodhte nëse do të dënohej krimineli Shesheli?
Lirimi i tij pikërisht në prag të fushatës së zgjedhjeve të parakohshme në Serbi, në të vërtetë ishte vetëm një akt politik i ndihmës së drejtpërdrejtë për rizgjedhjen e Vuçiqit për kryeministër.
Nëse Shesheli do të dënohej, në çfarëdo kohe, por sidomos në situatë parazgjedhore, Aleksandar Vuçiq, do të fundosej politikisht. Jo vetëm kaq!
Nëse Shesheli do të dënohej, Tribunali i Hagës do të duhej të inicionte një procedurë gjyqësore për krime edhe kundër Vuçiqit e Tomislav Nikoliçit. Do të ishte e pamundur që Shesheli të dënohej e Vuçiq të mos dëmtohej. Do të ishte e pamundur që Shesheli të dënohej, e të mos e ndiqte hija e tij edhe Vuçiqin. Do të ishte e pamundur që Shesheli të dënohej, e bashkëmendimtari i tij i papërmirësueshëm, të vazhdonte ende të mbetej një fytyrë reflektuese e politikës serbe. Do të ishte e pamundur që, Shesheli të dënohej, e Vuçiq të mbetej në pushtet. Prandaj, Shesheli, u liria ngë përgjegjësia, që Vuçiq të mbetet në pushtet, që t’i fitojë zgjedhjet, që të rikonsolidojë qeverisjen e tij, që të ruajë profilin e tij të “moderuar” në botën Euroatlantike dhe që të jetë shpresa më e mirë e saj për një dobësim të rolit të Rusisë në Evropë, me theks të veçantë në Ballkan. Ndoshta me Vuçiqin si investim, është menduar sipas parimit që, vetëm hekuri mund ty thyejë hekurin, që në gjuhën pragmatike do të interpretohej si: vetëm ata që e kanë krijuar problemin, mund ta zgjidhin atë…!? Nuk mendoj se vlerat e qytetarisë e humanizmit duhej të silleshin në këtë kontekst të dyshimtë…!?
Përfundim: Lirimi i Sheshelit, në këmbim të forcimit të pozitës së Vuçiqit, ishte një vrasje e drejtësisë si nocion, pritje, shpresë, ideal dhe në fund të fundit – një e drejtë e panegociueshme! Krejt ky investim kompromitues i botës Euroatlantike, është i pamenduar mirë, i pamatur mirë dhe aspak i sigurt.
Duhet rikujtuar se ish Jugosllavia, ishte në të vërtetë një investim edhe Europerëndimor, qoftë në linjën gjeostrategjike, qoftë në atë kulturore. Por, Jugosllavizmi si ideologji, u bë pothuaj në masën dërrmuese, një hegjemoni politike sovjeto-serbe që dëmtoi jo vetëm popujt jo serbë brenda Jugosllavisë, por edhe vetë interesat e botës Euroatlantike, sidomos nëpërmjet krijimit të Lëvizjes së të Painkuadruarve, që përbëhej nga shtetet që edhe sot, kryesisht kanë qëndrime të hapura anti-Perëndimore.
Një investim i tillë politik, lehtë i shantazhueshëm në të ardhmen, nuk është aspak në favor të shqiptarëve, të cilët, nëpërmjet linjës ndërkombëtare të instaluar të pushtetit, e aprovuar edhe nga politika vendore, deri më sot nuk kanë shfaqur asnjë interesim për akuzimin e Serbisë për kryerje të veprës së krimit të gjenocidit kundër shqiptarëve, me theks të veçantë në vitet 1998-1999, por edhe më herët! Rrjedhimisht, në emër të makro-interesave politike ndërkombëtare, shqiptarët rrezikohen të trajtohen edhe më tutje si instrumente për viktimizim, ndonëse jo në përmasën sikur më herët në histori, por gjithnjë në emër të thirrjeve për stabilitet e paqe!
Është koha e fundit që shqiptarët të forcojnë agresivitetin politik në veprime, e jo të mbeten vetëm lojtarë pasivë, me të vetmen doktrinë politike – atë të reagimit! Nëse në vitin 1999, shqiptarët ishin ata që imponuan reflektimin e botës në vet esencën e thellësisë përmbajtjesore të nocionit të lirisë, tani është në dorën dhe shekullin e tyre që të rinjohin botën me esencën e thellë të nocionit të drejtësisë!
- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shënohet Dita e Shkollës dhe përurohet Salla e Sporteve në Fshat të Vjetër

Paraditen e sotme, në Fshat të Vjetër, u shënua Dita e Shkollës të këtij fshati si dhe u përurua...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img