Editorial

Ferizaj me rrethinë kujton martirin e kombit, Bekim Ruzhdi Sejdiun nga Kosharja


Publikuar më:



Hamdi .Ndrecaj-Panteri. Fakte nga vendi i ngjarjes, kujtesë e pashlyer .

Më 31 .01 .2020, kaluan 30 vjet nga rënia heroike e të riut Bekim Sejdiu nga Kosharja .

Ishte viti 1990, kur populli i Kosovës ishte ngritë në këmbë për ta mbrojtur dinjitetin dhe nderin kombëtar, që pas heqjes së autonomisë së Kosovës dhe risundimit e vënies nën kontrollin totalitar nga Serbia, Kosovën si element konstitutiv të federatës jugosllave e kishte shkelur milicia dhe formacionet serbo-çetnike nga Serbia. Pra ky ishte edhe fundi i monstrumit të ashtuquajtur Jugosllavi socialiste federative, kështu që ishin ato ditë të vështira, ngase ishte një dimër i egër për Kosovën dhe shqiptarët.

Federata jugosllave, që kontrollohej nga soldateska dhe policia federale, me njësitë speciale kishin vënë Kosovën nën kontroll të hekurt e në veçanti, ato ditë Ferizaj me rrethinë ishte vënë në rrethim të çeliktë të soldateskës serbo- sllave.

E tërë Kosova ishte ngritë në këmbë kundër regjimit milosheviqian dhe argatëve të tyre.

Atë ditë populli po demonstronte në fshatin Koshare, pra në Kosharen e Sefë Koshares. Fshatrat përreth Koshares ishin të gjitha në rrugë, që nuk i ndalonte as acari e të ftohtit e muajit janar.

Duke filluar nga fshati Muzeqinë, Rashinc, Zotaj, Gjergjaj e Slivovë…të gjithë ishin tubuar në Kosharen e Sefë Koshares e të Rashit Terhanit, në Kosharen e historisë së madhe të kombit, aty ku gjatë historisë u bënë përplasjet më të mëdha mes forcave shqiptare dhe atyre të Perandorisë Osmane.

Atë ditë, pikërisht më 31.01. 1990, po ringjallej Kosova, ngase po rikthehej dinjiteti i nëpërkëmbur i kombit shqiptar, sepse aksi rrugor Ferizaj-Shtime ishte mbyllur nga pjesëmarrës të shumtë, që po demonstronin kundër regjimit të Millosheviqit dhe soldateskës jugosllave.

Brohoritej për Kosovën republikë, gjersa gjithçka i ngjante një beteje, një lufte, sepse ushtria dhe policia serbo-sllave kishte zënë pozitat dhe tanket dhe autoblindat e okupatorit ishin afruar fare pranë turmës së protestuesve shqiptarë. Aksi rrugor ishte i bllokuar dhe gjithçka shkonte drejt tensionimit.

Pa pritmas, policia jugosllave filloi të hedhte gaz lotsjellës dhe për disa minuta u errësua gjithçka nga gazi lotsjellës. Demonstruesit ishin barrikaduar në rrugën që çon për në Muzeqinë dhe Shtime. Ata lotsjellësit të policisë po i përgjigjeshin me gishtërinj të ngritur lart dhe herë pas here me hedhje gurësh.

Papritmas, shfaqet një automjet i RTP-së, ku disa gazetarë morën ca fotografi dhe mezi depërtuan për t’u larguar, me ç’ rast, papritmas shkrepën rafalët nga breshëritë e armëve automatike të policisë serbosllave.

Për çudi, djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë që po qëndronin përballë asaj makinerie ushtarake nuk lëvizën nga vendi.

Përsëri shkrepën breshëri plumbash dhe ra qetësia për një moment, të cilën e prishin zërat kur thërrasin “Është plagosur një djalë” dhe aty marrim vesh se në fushë të nderit bie Bekim Ruzhdi Sejdiu.

U vra djali sypatrembur i Koshares. Koshares iu shtua edhe një flakadan në historinë e re, pasardhës i të gjithë atyre flakadanëve të lirisë, që ranë në fushën e nderit në përballje me pushtuesin. Bekimi ra në altar për të mos vdekur kurrë. Gjaku i tij i njomë është amanet për brezat, që kjo tokë nuk duron më pushtues. Lavdi veprës dhe jetës së trimit të ri, sypatrebur!


To Top