29,04,2024

Përkujtohet në 30 vjetorin e rënies, Dëshmori i Kombit, Bekim R. Sejdiu

Must Read

Salla e Teatrit “Adriana” u mbush nga qindra qytetarë që sot kishin ardhur në Akademinë Përkujtimore dedikuar Dëshmorit të Kombit, Bekim R. Sejdiu, në 30 vjetorin e tij të rënies.
Është kjo një ngjarje e mbështetur nga Komuna e Ferizajt, për martirët e dëshmorët që ranë heroikisht gjatë viteve të ngadhnjimit të guximit shqiptarë kundër robërisë të shpërfaqura në demonstratat e viteve ’89 dhe ’90.
E vet i pari i Ferizajt, Agim Aliu në mesin e qindra të pranishmëve, në fjalën e rastit tha se dëshmorët si Bekim R. Sejdiu e të tjerë, sakrifica e gjaku i tyre janë burimi i forcës sonë të përditshme.

“Si sot, 30 vjet më parë, pamë e dëgjuam atë që asnjë mendje e shëndosh e veç barbaria mund ta bëj, një krim të shëmtuar, një vrasje në prag të shkollës. Ra djaloshi, u vra njomaku, Bekim Sejdiu.Zaten vetëm ndër shqiptarët merr peshë e kuptim më të thellë, lufta e grave, burrave, pleqve, fëmijëve e të rinjve si Bekimi për lirinë. As mosha, as shtati e as njomësia nuk ndali rininë heroike të Kosovës, që gjokspërpara t’i dal armikut. Ditë të bardha po vinin, pranverat e lulëzimit të rinisë guximtare në 89’ dhe ’90-tën kishin lëshuar rrënjën e kushtrimin për liri. E gjersa errësira e vdekjes mundi Bekimin, zbardhi e shpërtheu trimërinë e mijëra bashkëmoshatarëve. Aty ishte dija, ata vranë nxënësin. Aty ishte shpresa, ata shtrënguan lakun e robërisë. Trembej agresori, qëllonte mbi çdo gjë shqiptare, por lumin e zemërimit e guximit të rinisë, nuk e ndali dot. Asnjë gram mishi e asnjë pikë gjaku i çdo shqiptari nuk i trembej armikut. Ishin bekimet e nënave, baballarëve që bijtë e bijat bashkë me ta, ta çrrënjosin robërinë, sa më parë ta ndiejnë erën e ndryshimit e të lirisë. Bekimi nuk ishte vetëm! Prapa kishte lavdinë e idealin. Se ky vend do të bëhej. Se rrezet e ngadhënjimit mbi robërinë do të ndriçojnë në çdo anë. Kurora e rinisë së tij i dha zemër e forcë çdo shqiptari, bëri ecjen para të Kosovës me hapa të përgjakshëm, kumtin se në prag të derës kemi ëndrrën shekullore të lirisë – kurorëzimin e së cilës e bëri dora, mendja, shpirti e gjaku i çdo dëshmori e luftëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Forca jonë buron nga sakrifica e dëshmorëve e martirëve që u bë dritë e shpresës së miliona shqiptarëve ndër shekuj. Shesheve tona të luftimit i dolën zot trimat e breznive. Edhe Bekimi, vëllai e biri i të gjithë ne, lulen e rinisë ia hodhi vdekjes. Për Kosovën!” tha mes tjerash Kryetari i Komunës, Agim Aliu.

Në programin e përgatitur enkas për këtë akademi, u recituan qindra vargje, këngë lahute e poema, të përgatitura nga shkolla e vendlindjes së dëshmorit, shkolla fillore e fshatit Koshare.

Me falënderimin për pjesëmarrje, me lot në sy e të mallëngjyer por krenarë që Kosovës i dhanë birin e tyre, ishin prindërit e Bekimit. Motra e tij, Luljeta Bajrami, falënderoi institucuonet e shtetit, Komunën e Ferizajt, për përkujtimoren që organizoi për të vëllain në 30 vjetorin e rënies së tij.

Bekim R. Sejdiu u vra në moshën 15 vjeçare nga forcat serbe më 31 Janar 1990 në prag të oborrit të shkollës së fshatit Koshare, gjatë vlimit të demonstratave mbarëpopullore shqiptare për Kosovën e lirë e Republikë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gjendet i vdekur një person në Entin Special në Ferizaj

Një person ka vdekur në Entin Special në Ferizaj. Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria Rajonale e Policisë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img