29,03,2024

Eksperti i ITU-së: Ja fajtorët e kontratës mes PTK-së dhe Z-Mobile

Must Read
PTK

Ai personalisht, i ka dërguar një letër të hapur Prokurorit të Shtetit, letër të cilën ai ka vendosur ta quaj Letër pa Zarf. Sipas tij, kontrata kriminale u inicua nga Etrur Rrustemaj dhe Ilir Salihu ndërsa u përfundua nga Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, të cilët sipas tij qëllimisht e humbën arbitrazhin dhe 30 milionë eurot e kompanisë publike.

Lexojeni letrën e Ismet Hamitit, pa asnjë ndërhyrje

Letër pa zarf Prokurorit të Shteti.t28 Dhjetor 2016 – 20:05 – Ismet Hamiti Kontrata e PTK-së me “Z-Mobile” është shembull shkollor i krimit të organizuar, që për nga përmasat e dëmit të shkaktuar dhe numrit të individëve të përfshirë është ndër më të mëdhenjtë në gjithë kohën e pasluftës.I nderuar Prokuror i Shtetit,

Ju shkruaj për të paraqitur një krim kundër pasurisë dhe interesit publik. Përmes kontratës së PTK me “ZMobile” është krijuar një mekanizëm “legal” për plaçkitjen e pasurisë publike me përmasa të mëdha, ideatorë të së cilit janë individë në nivelet më të larta të pushtetit, zbatues janë veglat e tyre në PTK dhe në institucionet e shtetit. Zbatimin e nisën Etrur Rrustemaj dhe Ilir Salihu me anëtarët e tjerë të Bordit, e licencoi Anton Berisha, e miratoi me shumë zell Rexhë Gjonbalaj me anëtarët e tjerë të Bordit, e nënshkroi Shyqyri Haxha, e mbrojti Ahmet Shala, heshti për të Agim Çeku dhe nuk vepruan shumë zyrtarë të tjerë që kishin dijeni për të, përfshirë edhe individë në sistemin e ndjekjes dhe atë të drejtësisë.

Dëmi që i është shkaktuar interesit publik me këtë kontratë është baras me të gjitha të hyrat e “Z-Mobile” që nga ekzistenca e kësaj kontrate deri sot dhe rritet për çdo ditë që kalon.Po të mos ekzistonte kjo kontratë të gjitha këto të hyra do të ishin të PTK-së. Sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj inskenuan “humbjen” e arbitrazhit, me të cilën synojnë të plaçkitin edhe 30 milionë të tjera të pasurisë publike. Krejt kjo paraqet shembull shkollor të krimit të organizuar, që për nga përmasat e dëmit të shkaktuar dhe numrit të individëve të përfshirë është ndër më të mëdhenjtë në gjithë kohën e pasluftës.

Nismëtarë të zbatimit të krimit ishin drejtori i PTK-së i asaj kohe Etrur Rrustemaj dhe Bordi i PTK-së i përbërë nga: Ilir Salihu, kryetar dhe anëtarët Jasper Dick, Enver Xharra, Patrick Robin van der Lean, Edmond Hajrizi dhe Isak Krasniqi. Këta individë janë përgjegjës për shpalljen e publikuar më 30 mars 2007, të titulluar “Mundësi atraktive për operatorët mobilë virtualë (ORMV)” me të cilën shprehej interesi i PTK-së për “ndërmarrje të përbashkët” me “operatorët e mundshëm të rrjeteve mobile virtuale”.Me këtë shpallje ata kërkonin “operator virtual” që, duke shfrytëzuar infrastrukturën e PTK-së, do të ofronin të njëjtat shërbime të cilat i ofronte vetë PTKja.

Me një fjalë, këta individë shpallën tender për t’i krijuar konkurrent kompanisë që drejtonin ata vetë dhe madje me pasurinë e vetë kompanisë, rast ky i pashembullt në universin biznesor në botë. Mund të dëshmohet lehtë se ky veprim ishte në dëm të PTKsë dhe të interesit publik, prandaj përbën një krim të rëndë. Nëse kësaj i shtohet fakti se këtë veprim ata e kanë kryer me porosi dhe për interes të individëve të paracaktuar, i bën ata pjesëtarë të një grupi më të gjerë kriminal. Anton Berisha, kryetari i atëhershëm i Autoritetit rregullator të telekomunikacionit (ART), është po ashtu pjesë e krimit sepse, jo vetëm që nuk i pengoi veprimet skajshmërisht të dëmshme për interesin publik e që e kishte detyrë themelore, por shkeli çdo gjë që mund të shkelej dhe licencoi “operatorin virtual” të zgjedhur nga Bordi dhe menaxhmenti i PTK-së (!!!) në bazë të shpalljes së datës 30 mars 2007.

Prandaj, si nënshkrues i licencës ai është përgjegjës për plaçkitjen e pasurisë publike përmes “Z-Mobile”, që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Rexhë Gjonbalaj me anëtarët e tjerë të Bordit të përmendur më sipër janë përgjegjës për miratimin e kontratës, kurse Shyqyri Haxha, ish-drejtor i PTK-së, është përgjegjës për miratimin në Bord dhe nënshkrimin e kontratës me “ZMobile”. Dëmi që i është shkaktuar interesit publik me këtë kontratë është baras me të gjitha të hyrat e “Z-Mobile” që nga ekzistenca e kësaj kontrate deri sot, që mund të dihet lehtë dhe rritet për çdo ditë që kalon. Po të mos ekzistonte kjo kontratë të gjitha këto të hyra do të ishin të PTK-së.

Prandaj këta individë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate kanë kryer krim të rëndë kundër pasurisë dhe interesit publik. Ky krim kishte mbrojtës të zellshëm në pozita të larta zyrtare. Në mbledhjen e Parlamentit të datës 26 shkurt 2009, duke iu përgjigjur pyetjeve të përsëritura të disa deputetëve, ministri i atëhershëm i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, jo vetëm që mashtroi Parlamentin, që është në vetvete veprim i dënueshëm, por ai edhe mbrojti me këmbëngulje kontratën me “Dardafonin” (me vonë të transformuar në “Z-Mobile”), duke e kualifikuar atë si marrëveshje legjitime dhe të dobishme afariste. Ky individ duhet patjetër të shpjegojë se pse e bëri këtë në kohën kur nuk kishte njeri në këtë vend që nuk e kuptonte se kontrata e PTK-së me “Dardafonin” ishte e kurdisur për individë të caktuar dhe skajshmërisht e dëmshme për interesin publik. Ky zyrtar jo vetëm që nuk e pengoi, gjë që e kishte për detyrë, por ai edhe e arsyetoi krimin në autoritetin më të lartë të vendit, në Parlament.

Prandaj Ahmet Shala ka kryer krim për mospengimin dhe arsyetimin e këtij krimi dhe për këtë duhet të nxirret para drejtësisë. Por për përgatitjen e këtij krimi ishin të njoftuar, me letrën time të datës 27 maj 2007, edhe OKB-ja në Neë York, zyrtarët kryesorë të UNMIK-ut në Prishtinë dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Agim Çeku. Nuk jam në dijeni të asnjë veprimi nga ana e tyre për të penguar këtë krim. Do të ishte më se normale që prokuroria të interesohej se pse Agim Çeku nuk e bëri atë për të cilin ishte paguar. Pse nuk e pengoi krimin për të cilin kishte dijeni dhe pse kishte mbrojtur krimin duke heshtur për të? Me mosveprimin e tij ai ka ndihmuar kryerjen e këtij krimi dhe duhet të konsiderohet pjesë e këtij grupi kriminal dhe të japë llogari para drejtësisë.

Edhe “humbja” në “arbitrazh” është skemë e ideuar nga nivelet më të larta të pushtetit, ndërsa zbatuesit janë Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj. Në të vërtetë kjo skemë nuk është aspak origjinale, sepse zbatohet për plaçkitjen e pronës publike gjithandej në vendet ku sundojnë krimi e korrupsioni. Në këtë rast, me këtë skemë synohet të plaçkiten edhe mbi 30 milionë euro të pasurisë publike dhe ata individë që e kurdisën krejt këtë janë pjesë e të njëjtit grup kriminal. Nuk ka asnjë dyshim se të gjithë këta individë dhe të tjerët që do t’i zbulojnë hetimet, sidomos ndër ata që ishin në bordet e PTK-së që nga viti 2007 e që nuk u përmenden këtu, me veprimet dhe mosveprimet e veta kanë bërë krim, por po ashtu nuk ka asnjë dyshim se të gjithë këta janë vegla të individëve në nivelet më të larta të pushtetit, që janë kupola e këtij grupi kriminal. Prandaj, ju drejtohem me respekt, të ndërmerrni krejt çka është e nevojshme që të ndërpritet plaçkitja e pasurisë publike e përmasave të mëdha dhe që grupi kriminal që ideoi dhe zbatoi kontratën me “ZMobile” të sillet para drejtësisë.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img