19,04,2024

Edicioni i pestë i Kolonisë Letrare “Muzat e Jezercit”

Must Read

Në fshatin malor të Ferizajt, në Jezerc, prej 22 deri më 24 korrik, krijues nga të gjitha trevat shqiptare u bashkuan në edicionin e pestë të Kolonisë letrare “Muzat e Jezercit”, organizuar nga Klubi Letrar “De Rada” dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Ashtu si vitet e tjera, edhe kësaj radhe në kuadër të kolonisë u zhvilluan disa aktivitete si: prezantimi i botimeve të klubit “De Rada” gjatë periudhës 2020-2021, tryeza me temën Kritika letrare shqipe sot – ndikimi në krijimtarinë letrare, diskutime dhe debate rreth letërsisë, orë letrare etj.


Risi për këtë edicion ishte kursi i poezisë udhëhequr nga poeti i njohur Xhevdet Bajraj, ligjërues në Akademinë e Krijimtarisë Letrare në Meksico Siti. Edhe pse në fokus të këtij aktiviteti ishin krijuesit e rinj, kursi u ndoq me interesim nga të gjithë pjesëmarrësit. Në fjalën hyrëse, poeti Bajraj tha se: “Poezia, por edhe arti në përgjithësi ofron mundësinë e zgjimit shpirtëror te njeriu. Prandaj një artist është një luftëtar i dritës dhe me misionin e tij ndriçon qoftë individin, kombin apo tërë njerëzimin.” Më tutje Bajraj u përqendrua te teknikat e krijimit të poezisë, kontrolli i emocionit, figurat stilistike, imazhin poetik, rëndësinë e përzgjedhjes së fjalëve, origjinaliteti në krijimtari etj.

Kontribut të rëndësishëm në këtë aktivitet ofruan edhe pjesëmarrësit e tjerë si Halil Matoshi, Olimbi Velaj, Rozafa Shpuza, Agron Shala, Ahmet Selmani etj. Në diskutimin rreth kritikës letrare shqipe sot, u theksua mungesa e kritikës së mirëfilltë. Gjithashtu, u përmend fakti se shumica e shkrimeve kritike sot, jo vetëm që nuk shërbejnë si urë lidhëse mes librit dhe lexuesit, por të shpeshherë ato e thellojnë edhe më tepër distancën mes tyre.

Nga botimet e Klubit letrar “De Rada” u prezantuan dy antologji (Katërmbëdhjetë autorë, Ku janë ëndrrat – Hajro Ulqinaku), dy vëllime me poezi (Mos vdis nga errësira – Abdyl Hajredini dhe Eja në ëndërr – Drita Popaj) dy romane (Hija – Lorika Abazi dhe Grandpa’s carbine – Gazmend Bytyçi) dhe një përmbledhje me shkrime kritike (Kritika dhe ese – Zyrafete Shala).

Meqë Kolonia letrare “Muzat e Jezercit” i përmbylli pesë edicione të suksesshme të saj, së shpejti do të botohet edhe një përmbledhje me krijimet e autorëve pjesëmarrës në këtë aktivitet nga vitit 2017 deri më 2021.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img