Lajme

Edhe 2 raste të reja me coronavirus në Kosovë, shkon në 90 numri i të infektuarëve


Publikuar më:


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se janë kofirmuar edhe 2 raste të tjera me coronavirus, duke e çuar në 90 numrin total të të prekurve me CoVid-19.

“Sot me 28.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar (38) mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive”, njofton IKShPK-ja.

Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Podujevë dhe tjetri në Prishtinë.

Sipas të dhënave të Institutit, nga data 8 shkurt deri më 28 mars 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 1029 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, rezultojnë pozitive gjithsej 90 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, thuhet në njoftim.

IKShP thekson se deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 1.875 kontakte të rasteve.

Ndaj qytetarëve të Kosovës sërish është bërë apel të qëndrojnë në shtëpi.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 28 mars 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 623.296 raste të COVID-19 dhe 28.841raste të vdekjes. Numri më madh i rasteve raportohet nga SHBA (106.258), Italia (86.498), Kina (81.394), Spanjë (72.248), Gjermani (53.340), Irani (35.408), Francë (32.964), Mbretëri të Bashkuar (17.089), Zvicër (13.377), Holandë (9.762), Belgjikë (9.134), Austria (8.030), Turqi (5.698), duke vazhduar me vendet fqinje Greqi (1. 061), Slloveni (684), Serbi (659),  Kroaci (657), Maqedoni e veriut (241), Shqipëri (197) dhe Mali i Zi (82).

Deri me 28 mars 2020, nga vendet e BE/AEE dhe Mbretëri të Bashkuar janë raportuar këto raste të vdekjes: Itali (9.134), Spanjë (5.812), Francë (1.995), Mbretëri të Bashkuar (1.019), Holandë (639), Gjermani (399), Belgjikë (353), Zvicër (242), Turqi (92), Austri (68), Danimarkë (65),  Greqi (32), Poloni (17), Luksemburg (15), Hungari (11), Serbi (10), Shqipëri (10), Slloveni (9), Kroaci (5), Maqedoni e veriut (4) dhe Mali i Zi (1).

To Top