26,04,2024

Dyqanet ndajnë e bashkojnë shqiptarët me serbët

Must Read

Sylejman Neziri ka një dyqan ushqimesh në Ferizaj dhe nuk pranon të shesë produkte serbe.

“Ushtria dhe policia serbe masakruan mijëra shqiptarë, përdhunuan më shumë se 20 mijë gra e helmuan fëmijë. Duke e konsideruar këtë nuk mund ta imagjinoj që të kem produkte të tyre në tavolinë”, ka thënë Neziri për “Public Radio International”, transmeton Koha.net.

Kjo faqe ka sjellë në kujtesë bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve para luftës së viteve 98-99.

Dhjetë vjet pas shpalljes si shtet i pavarur, “Plus Marketi” nuk shet produkte serbe jo vetëm për shkak të luftës. Neziri thotë se nëse Kosova nuk i shet produktet e veta ekonomia e saj nuk do të forcohet kurrë.

Në anën tjetër të Kosovës, 50 milje larg dyqanit të Nezirit, Filip Markoviq ka një restorant bashkë me të atin në Mitrovicë. Ai është serb dhe për restorantin e tij përdor produkte serbe. Megjithatë ai nuk përjashton mundësinë edhe të përdorimit të produkteve shqiptare, por as ai nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.

“Nëse diçka është produkt shqiptar dhe është kualitativ, nuk kam zgjidhje tjetër pos që ta blej. Ndarja ishte ilegale, nuk u pyetëm kurrë. Ishte komplet e njëanshme. Do ta keni shumë të vështirë që ta gjeni një serb që njeh pavarësinë e Kosovës”, thotë Markoviq për Koha.net.

Ky medium shkruan po ashtu se në Mitrovicë, serbët në pjesën veriore flasin vetëm serbisht, lexojnë gazetat serbe dhe përdorin dinarin. Në anën tjetër, te shqiptarët flitet shqip e përdoret euro.

Përpos këtyre bizneseve, “PRI” përmend edhe supermarketet në të cilat blejnë të dy komunitetet, por jo duke u shoqëruar me njëri-tjetrin.

“E vetmja mundësi për t’u takuar janë këto supermarkete”, thotë Sefet Selmani, një klient shqiptar.

Ndërsa Milica Andriq nga Mitrovica e Veriut thotë se “blerja në një vend dhe mosluftimi mes dy komuniteteve është përmirësim për shoqërinë”./Koha.net

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img