26,04,2024

Dokumentari mbi historinë e Kosovës, para publikut zviceran

Must Read

p1-586x389

Pjesë e manifestimit kulturor “Te Recuerdo” të Gjenevës ishte edhe dokumentari “Kosova, dhembje dhe krenari”

 

Rrethi Shqiptar – Mejrinas i Gjenevës në bashkëpunim me katër shoqata të tjera kulturore të komunës  Meyrin, ,kanë organizuar një fundjavë  me  aktivitete të shumta kulturore.

Në të dyja mbrëmjet vëmendjen e publikut e ka zgjuar dokumentari  i autorit Bali Thaqi “Kosova, Dhimbje dhe Krenari”.

Të pranishmit me autorin dhe përmbajtjen e programit i ka njoftuar Agim Paçarizi, kryetar i shoqatës  së lartpërmendur e cila ishte edhe nismëtare e kësaj  ngjarje të rëndësishme.

Zoti Paçarizi në cilësinë e historianit i ka bërë një vështrim kritik në kuptimin pozitiv dokumentarit  “Kosova, dhembje dhe krenari”. Kurse autorin e këtij dokumentari e ka përgëzuar për guximin dhe sakrificën,ngase në rrethana tepër të rënda ai ka arritur realizimin e  shumë pamjeve të tmerrit, të kryera nga kriminelët  serbë, të cilët  në luftën e  fundit vranë e masakruan qindra shqiptar të  Kosovës.

Meqë autori është nga regjioni i Malishevës, pjesën dërmuese të pamjeve i ka xhiruar në këtë komunë dhe në fshatrat e saj.

Pastaj publikun  në sallën “Forum” të Meyrin-it e ka përshëndetur François Hernot anëtar i Kryesisë së Rrethit Shqiptar –Mejrinas. Ai, si  aktivist i njohur dhe me përvojë të gjatë dhe si ish-Kryetar i Kuvendit të komunës së Meyrin-it është shprehur mjaft i kënaqur me integrimin e mirëfilltë të shqiptarëve, tek të cilët sheh tipin e njeriut të vyeshëm e me prirje për të  bërë  shkencë, art e kulturë  dhe çdoherë  të gatshëm për të bashkëpunuar me komunitete të tjera.

Autori i këtij  dokumentari edhe pse me profesion inxhinier i gjeologjisë, punës rreth dokumentarit në fjalë i është qasur me dëshirën e vetme që brezave tu lë diçka me vlerë  nga historia e popullit shqiptar. Ai këtë synim e ka arritur  duke prekur çdo periudhë që nga ilirët e deri te shtetndërtimi i Kosovës së pushtuar nga serbët për më se një shekull.

Në mënyrë që tek  shikuesi të dalë gjithçka e argumentuar që nga lashtësia e deri në ditët e sotme,ofrohen fakte duke u prezantuar  nëpërmjet hartave të ndryshme vendshtrirja e të gjitha fiseve ilire si paraardhës të shqiptarëve.Gjithashtu në dokumentar vërehen edhe gjurmët e qyteteve të rëndësishme ilire si ato të Damastonit, Dardanisë, Apolonisë, Shkupit, Ulqinit, Ulpianës, Nishit, Shkodrës, Lezhës, Therandës etj.

Me mjaft mjeshtëri janë klasifikuar edhe ngjarjet e Mesjetës si periudha më e errët  për shqiptarët.

Diku në vitin 550 deri në vitin 700 fiset sllave invadojnë trojet arbërore. Krenarinë  e tyre e kthen heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, i cili me luftën e tij të suksesshme shpëton krishterimin  nga osmanët. Kjo periudhë ndryshe quhet edhe si epoka e Skënderbeut.

Si epokë  tjetër mjaft e rëndësishme në dokumentar përmblidhet  edhe Rilindja Kombëtare Shqiptare që qëllim ka krijimin e shtetit shqiptar.

Gjithashtu  flitet edhe  për rolin e shqiptareve në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

Hapësira më e madhe  në dokumentar u është lënë mizorive të ushtrisë dhe policisë jugosllave në Kosovë, gjatë viteve 68-të e 81 si dhe Lëvizjeve  Shqiptare të Rezistencës, të cilat nën udhëheqjen e liderëve të kohës kanë kundërshtuar me pendë e pushkë okupimin e Kosovës.

Shikuesit e këtij dokumentari i kanë bërë me lot skenat rrëqethëse të vitit 1990 kur regjimi  i Millosheviqit  helmoi nxënës e studentë e pastaj duke bërë segregacion  i  përjashtoi nga sistemi i rregullt shkollor .

Këto momente  ankthi dhe frike ende i kujton edhe Zonja Luljetë Rexhepi-Demi,e cila mbrëmë ishte në mesin e shikuesve. Ajo këtë tmerr deri vonë enigmë e përjetoi në kohën kur ishte nxënëse e vitit të parë në gjimnazin  “Kuvendi i Lezhës” në Viti. Brezin e saj ajo e quan fëmijë të pa fëmijëri.

Ndërkohë u dhanë  edhe pamje të shumta nga masakrat e kryera gjithandej Kosovës. Këto skena  të gjithë  i përjetuan rëndë, sepse tek çdo njeri normal ato sjellin trauma dhe tronditje psikike.

Episodi  më i veçantë dhe më i rëndësishmi  ishte ai  i  shfaqjes  së Ushtrisë Çlirimtare  të Kosovës, me paraqitjen e së cilës nisi historia e re e Kosovës. Ajo, e ndihmuar nga pakti NATO, i dha fund sundimit të  egër serb mbi Kosovën. Dokumentari u mbyll me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, ku popullit  të këtij vendi pas shumë vuajtjeve dhe persekutimeve iu hapën mundësi të reja për zhvillim e përparim.

Dokumentarët e ngjashëm si ky duhet arkivuar dhe duhet ruajtur me kujdes sepse  nëpërmjet tyre e gjithë bota sheh çmendurinë dhe shfrenimin serb mbi shqiptarët.

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha mban punëtori në Universitetin e Vjenës

Pas një periudhe intensive të hulumtimit dhe bashkëpunimit me akterët nga qeveria, akademia dhe industria në Austri, Prof. Asoc....

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img