25,04,2024

ATK Gjobit Biznesin e Vëllait të Ministrit të Infrastrukturës

Must Read

Ilaz Zharku, vëllai i ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharku është gjobitur nga Administrata Tatimore.

Me arsyetimin se në biznesin e tij nuk ka arkë fiskale, Administrata Tatimore e Kosovës e ka dënuar me 1000 euro gjobë kompaninë ”Inex Petrol” pronë e Ilaz Zharkut, vëllait të ministrit të infrastrukturës Lutfi Zharku.

Në muajin mars të këtij viti një qytetar kishte raportuar në KALLXO.com se në pompën ku pronar është vëllai i ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharku konsumatorëve nuk u ofrohen kuponë fiskalë. Disa ditë më vonë hulumtuesit e KALLXO.com kishin  vizituar pompën në fjalë duke blerë karburante dhe duke kërkuar kuponin fiskal.

Përgjigjja e punonjësve ishte negative, pasi ata ofruan një paragon, i cili në dukje nuk është si kuponët fiskalë.

Pronari i pompës Ilaz Zharku nuk e mohon faktin se nuk kanë lëshuar kuponë fiskalë, por arsyetohet se kompania e kishte në defekt arkën fiskale.

“I kam pyetur punëtorët se a ka qenë dikush dhe a ka kërkuar kupon mirëpo ata më kanë thënë se atë ditë arka ka qenë me defekt dhe për këtë arsye nuk kemi mundur të lëshojmë kupon fiskal,” thotë Zharku.

Sipas tij defekti në arkën e tij fiskale nuk ka mundur të zgjasë më shumë se 48 orë.

Për  kuponët fiskal në kompaninë e Zharkut KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës

Këta të fundit edhe pse nuk i kanë dhënë shpjegime ekipit hulumtues të KALLXO.com, kanë dalë në terren ku edhe kanë shqiptuar gjobën.

Shqiptimin e gjobës ndaj “Inex Petrol”, e konfirmoi vetë pronari i kompanisë, Ilaz Zharku, por ai mohoi se kompania e tij të ketë mungesë të arkave fiskale duke pretenduar se i ka dy të tilla.

“ATK-ja në Ferizaj ka qenë në një kontroll dhe na kanë shqiptuar një gjobë mandatore prej 1 mijë eurove me arsyetimin se nuk kemi arkë fiskale, por ne i kemi dy të tilla, ne madje ju treguam se lëshojmë kuponë fiskalë, por megjithatë ata na shqiptuan gjobë,” tha Zharku.

Zharku, megjithatë nuk mohon faktin se kompania e tij pati problem me arkën fiskale, por tha se kjo ka zgjatur më së shumti për 48 orë, ndërsa për të argumentuar se lëshojnë kuponë fiskalë, përmes e-mailit në KALLXO.com  ka dërguar disa kuponë të lëshuar nga ky biznes.

Zharku madje tha se do të bëjnë ankesë ndaj kësaj gjobe, pasi që tha se iu shqiptua pa të drejtë.

“Edhe sikur të ishte një gjobë prej 10 eurove ne do të bënim ankesë, sepse është shqiptuar pa të drejtë,” tha Zharku.

KALLXO.com lidhur me këtë çështje ka kërkuar sqarime nga zyrtarë të  ATK-së, por për afër tre javë nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga ky institucion.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dr Fitim Goga, emërohet UD i Drejtorit Mjekësor të Spitalit të Ferizajt

Ditë më parë, Dr Fitim Goga, është emëruar UD i Drejtorit të Spitalit të Ferizajt. Emërimi i tij lidhet me...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img